Një italian në Kombinatin e grave në Tiranë

Kopertina e librit mbi kombinatin
U prezantua dje në UET libri i sociologut Luigi Za.
Një kombinat që i dha formë një lagjeje periferike, me punëtorë nga e gjithë Shqipëria.
Shënimet në fund të faqes përbëjnë gjithë faqen…. Me këtë thënie të kaluar gojë më gojë të Jean-Luc Godard, Luigi Za përmbledh gjithë idenë se përse një sociolog i njohur si ai do ti kushtonte dy vite kërkimi (plus 8 të tjera mendimi), një lagjeje periferike shqiptare.
Janë periferitë ato që bëjnë qytetet, thotë pedagogu i Salentos, gjatë një takimi të zhvilluar dje në Universitetin Europian të Tiranës, ku prezantoi librin e tij Kombinat-Historia dhe jeta e përditshme e një lagjeje simbol të Tiranës (botimet Besa). Kur erdhi për herë të parë në Shqipëri, në vitin 1992, sociologu Za e gjeti Kombinatin në fazat e shpërbërjes. Sot, 20 vjet më pas, lagjja ka përjetuar të gjitha ndryshimet e 20 viteve tranzicion, Kombinati i tekstileve nuk ekziston më, veçse si një gërmadhë dhe nga porta e tij, para së cilës përshëndeste shtatorja e Stalinit me dorën ngritur, nuk dalin tufa-tufa gratë punëtore. Megjithatë, ai është po aty, me ndërtesat e vjetra industriale, me pallatet me çati tjegullash, ku bashkëjetojnë të ardhur nga të gjitha zonat e Shqipërisë dhe ku rëndon i njëjti mënjanim nga pjesa tjetër e kryeqytetit, si të mos ishte pjesë e tij. Sociologu i njohur italian është i interesuar në veçanti për qytetet, sidomos ato që kanë një histori nga pas. Natyra më mërzit. Unë dua të eci në rrugë, mes dritaresh, dhe të imagjinoj se çfarë bëhet brenda tyre.
Lagja e grave

Pamje nga Kombinati i Tekstileve Stalin, para viteve 90
Luigi Za ka parë shumë qytete industriale, ai përmend Mançesterin, Torinon, Liverpulin… Thelbi te të gjitha është i njëjtë, ashtu si edhe në Kombinat, ishte industria që ngriti qytetin. Por, lagja shqiptare përfaqëson Shqipërinë e re, atë të ndërtuar nga Njeriu i ri. Një lagje e ngritur për punëtorët e ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë. Ishin kryesisht gra, fshatare, të cilat më në fund ishin të zonjat të fitonin vetë rrogën e tyre. Ato përbënin 90% të punëtorëve të Kombinatit dhe pjesa më e madhe e librit i është kushtuar pikërisht atyre. Kombinati ishte ai që ishte, sepse ishte një qytet punëtor. Hapësirat dhe banesat janë krijuar në funksion të atij tipi popullate, tregon Za. Libri, i cili ende nuk ka ardhur në gjuhën shqipe, tregon për Kombinatin që në fillimet e tij, kur lindi si një vepër e madhe në Shqipërinë ende zonë bujqësore dhe blegtorale, pas Luftës së Dytë Botërore. Në dyzet vitet e periudhës socialiste u ndërtuan fabrika të reja dhe lagjja u zgjerua; erdhën banorë të rinj, thuajse të gjithë të punësuar në fabrikat e ndryshme, u ndërtuan pallate, shkolla, dyqane dhe shërbime të tjera. Ndryshimet që ndodhën në vitet 90 në Shqipëri përfshinë edhe këtë zonë urbane të Tiranës, duke e modifikuar rrënjësisht funksionin e zonës punëtore e për pasojë, përbërjen demografike e sociale, thotë sociologu. Ky libër nuk është nostalgji e së kaluarës. Për mua mbledhja, dokumentimi i së shkuarës është i rëndësishëm. Në fakt, ky libër flet për të tashmen përmes kujtimeve, sqaroi Luigi Za
Dëshira për të folur
Një lagje si pjesë e një sistemi ndërurban, popullata, raportet sociale, arkitektura, modelet kulturore, mënyra e jetesës, integrimi mes periferisë e qytetit dhe ndikimi në jetën e përditshme të individëve… Sociologu është përpjekur ta shohë në shumë këndvështrime jetën e një lagjeje, e cila u ngrit, u kushtëzua dhe u pagëzua me emrin Kombinat, si Kombinati i Tekstileve që u ngrit aty në vitet 50. I rrethuar mes kolegësh dhe studentësh, Za nuk i shpëton dot formatit të pedagogut, ndaj nis e shpjegon metodologjinë që ka përdorur në hartimin e këtij libri 500-faqësh dhe shkollat e mendimit ku ai është mbështetur. Përmend Shkollën e Çikagos, e interesuar për raportet mes njeriut dhe ambientit dhe ajo Franceze, e interesuar më së shumti për konfliktet që gjeneron një zonë e caktuar studimi. Dhe kërkimet mbi lagjen Kombinat i përfshinin të dyja. Studimi ka zgjatur dy vjet, por unë kisha tetë vjet që e mendoja. Gjithnjë u kërkoja miqve të mi në Tiranë të më flisnin për Kombinatin, si ishte krijuar ai, si jetohej, dhe ata më thoshin se është një lagje periferike, si të gjitha ato në zonat industriale, që lindën bashkë me Kombinatin. Ku ka gjalluar nga pak kriminalitet, apo prostitucion… Por vetëm kaq, thotë sociologu Za. Veç fakteve dokumentare, për sigurimin e të cilave ai ka bashkëpunuar me kolegët shqiptarë, libri i tij mbi Kombinatin është ndërtuar mbi vetë dëshmitë e njerëzve që jetojnë aty. Janë plotësuar 200 pyetësorë dhe janë realizuar shumë intervista, të gjata madje. Është interesante se sa të gatshëm janë shqiptarët për të folur. I janë përgjigjur negativisht ftesës sonë vetëm 2-3%, ndërkohë që në Itali, në të tilla raste, kjo përqindje shkon në 20. Ata që ishin më së shumti të gatshëm për të folur ishin ish-punonjësit e vjetër, të cilët ndjenin nevojën për të rrëfyer, madje nuk të lëshonin me historitë e tyre, thotë sociologu.
ZA: Njerëzit më parë ndiheshin më të rëndësishëm
Luigi Za
Ajo që mund të them, se ndoshta sot, kur fshat global do të thotë dominim i financës mbi prodhimin kapitalist apo socialist, është zvogëluar dinjiteti i njerëzve. Më parë jetonin më keq, sigurisht, sot jetohet më mirë, mund të konsumohet më shumë, por ajo që shoh këtu te njerëzit, apo për shembull në Manchester, pasi edhe atje ka një fabrikë të shkatërruar, është humbja e dinjitetit të tyre, dinjitetit se janë të aftë të bëjnë diçka, ndjesisë se mund të prodhojnë diçka. Nuk është melankoli për të kaluarën, por më shumë një keqardhje për atë sesi më herët njerëzit ndiheshin të rëndësishëm, sepse ishin punëtorë, mekanikë, inxhinierë, sepse prodhonin, sepse bënin diçka.
ALMA MILE
