Protesta mbi pallat, ndërtuesi: Ja pakti im për 13 familjet
TIRANE – Namik Pelivani, ndërtuesi i pallatit 10-katësh në Unazën e Re të Tiranës, mbi tarracën e të cilit 7 gra qëndruan në formë proteste për rreh 38 orë duke kërcënuar me vetëvrasje, ka përpiluar ofertën më të fundit të tij me sipërfaqe konkrete banimi. Në një njoftim të shoqërisë “Pelivani” sh.p.k., shpërndarë dje për median dhe dërguar për dijeni Kryeministrit dhe Ministrisë së Brendshme, jepen sipërfaqet e hapësirave të banimit për 13 familjet, të cilat kanë shembur me vullnetin e tyre në vitin 2009 dhe i fton ata në selinë e shoqërisë për të nënshkruar projekt-kontratën. Dy ditë pasi mori fund protesta e shtatë grave që kishin hipur mbi tarracën e pallatit dhjetëkatësh duke kërcënuar me vetëvrasje pas mosmarrëveshjes për kompensimin e shtëpive të prishura, vjen edhe oferta e fundit nga ndërtuesi që ato akuzonin. “Duke verifikuar kushtet paraprake dhe mundësitë e shoqërisë, për banorët të cilët kanë statusin ‘të pastrehë’, kanë ndërtuar pa leje dhe e kanë deklaruar për legalizim, i vendoset për banim, në tejkalim të të drejtave që parashikohen prej ligjit, sipërfaqja 584 metra katrorë. Dhe vetëm në rast mirëkuptimi, që përbën 12 për qind të sipërfaqes së ndërtimit të apartamenteve si banesa sociale, në projektin në vazhdim. Secilit prej banorëve i premtoj se në rast marrëveshjeje do të ketë në dispozicion banesa sociale me koeficientin e përfitimit 0.595 të sipërfaqes së ndërtuar pa leje, sipas kondicioneve urbane në fazën në vazhdim të ndërtimit”, thuhet në njoftimin e sipërmarrësit Namik Pelivani. Në një tabelë përmbledhëse ai jep detajet për të trembëdhjetë familjet që përfitojnë apartamente në pallatin që ai ka ndërtuar në Unazën e Re. “Secili nga banorët rekomandohet të paraqitet në selinë e shoqërisë dhe të nënshkruajë projekt-kontratën përkatëse, ku të gjitha kushtet teknike do të detajohen. Në rast se banorët e pastrehë apo familjarët e tyre kërkojnë ndryshime të objektit të kontratës/ofertës, apo prenotim sipërfaqeje mbi atë që përfiton nga ligji apo mbi atë që parashikon kjo kontratë, atëherë ka të drejtën e parablerjes me çmim 5 për qind poshtë çmimit të shitjes”, thuhet në njoftimin e shoqërisë “Pelivani”. Ndërsa sqarohet po ashtu se banesa sociale kalon në pronësi pas miratimit të kredisë shtetërore, për blerjen e sipërfaqes 5 për qind poshtë çmimit të tregut.
Pakti
1. Kadri Lila, me marrëveshje 148.75 m2, pa marrëveshje, 45m22. Enver Lila, me marrëveshje, 148.75 m2, pa marrëveshje, 45m2
3.Fiqiri Kodra 155.89 m2 45m2
4. Kujtim Braka 291.55 m2 45m2
5. Petrit Rasha 163.625m2 45m2
6. Gëzim Rasha 47.6 m2 45m2
7. Idriz Jeminaj 54.145 m2 45m2
8. Luan Rasha 134.47 m2 45m2
9. Agim Rasha 60.095 m2 45m2
10. Ardjan Gjoni 116.62 m2 45m2
11. Vjollca Fusha 59.5 m2 45m2
12. Bujar Pashaj 47.6 m2 45m2
13. Hasan Pashaj 154.7 m2 45m2