Vdekja e 14-vjeçarit, një makinë këputi telin elektrik

Foto Ilustrative
Tiranë, Qani Leskaj: Nipi im humbi jetën nga kabllot e zhveshur në rrugë.
Vdekja e 14-vjeçarit Armid Leskaj nga kontakti me rrymën elektrike në zonën e Selitës në Tiranë, është bërë objekt hetimi për Policinë e kryeqytetit.
Drejtoria e Tiranës ka nisur një procedim penal menjëherë pas ngjarjes së rëndë duke hetuar subjektet private. Burime nga Policia thanë se ka nisur një hetim për mosrespektimin e kushteve të sigurisë në punë, në lidhje me shoqërinë që kryente punime (asfaltim) në rrugën ku ndodhi ngjarja, si dhe për punonjësit e kompanisë “CEZ”. Sipas Policisë, ngjarja rezulton të ketë ndodhur pasi një automjet i tonazhit të rëndë të shoqërisë që kryente punime ka prekur kabllot elektrike në shtyllë, duke shkaktuar një masë dhe për rrjedhojë në zonën përreth ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike për disa minuta. I mituri, nxënës i klasës së tetë në shkollën “Vasil Shanto”, ka qenë duke kaluar në atë zonë gjatë kohës kur nuk ka pasur energji elektrike, rreth 200 metra larg shtëpisë së tij. Në kohën që CEZ ka risjellë energjinë, 14-vjeçari ndodhej pikërisht poshtë shtyllës me kabllo elektrike dhe në atë moment, për shkak të elektricitetit, është shkaktuar edhe një masë e dytë elektrike dhe një nga kabllot është shkëputur duke i rënë në kokë Armid Leskajt. Në dy krahët e tij ka pasur një shkarkesë të fortë të rrymës elektrike dhe, për rrjedhojë, ka mbetur pa ndjenja. Me një makinë të rastit ai është transportuar në urgjencën e Tiranës së Re, ku dhe ka humbur jetën. Pjesë e procesit hetimor të policisë është edhe vendimi i punonjësve të ÇEZ-it për rikthimin e energjisë në vendin e ngjarjes, pa kryer verifikimet e nevojshme për shkaqet e masës elektrike që solli shkëputjen e rrymës. I mituri është përcjellë dje për në banesën e fundit, gjatë ceremonisë që nisi në orën 16:00 nga shtëpia e tij në Selitë, drejt Varrezave të Sharrës. Gjyshi i tij, Qani Leskaj, tregoi dje për gazetën “Panorama” momentin e fundit kur ka folur me nipin e tij, këshillat për t’u kthyer shpejt në shtëpi dhe si e ka mësuar ngjarjen.
Si e mësuat ngjarjen?
Nuk kishte as pesë minuta që nipi im doli, kur shoku i tij, që ishte me të, erdhi me vrap te ne dhe na tha që Armidin e kishte zënë korrenti. I ati, Adnandi, mori makinën dhe doli me nxitim që ta merrte për ta çuar në spital. Por e kishte marrë një makinë e rastit.
Kur kishit komunikuar për herë të fundit me të?
Para se të dilte nga shtëpia. Paradite kishte luajtur futboll me shokët, sepse nuk është në shkollë këto ditë, pasi kanë marrë pushimet. U kthye në shtëpi, pushoi pak, hëngri dhe bukë dhe na kërkoi leje që të shkonte bashkë me një shok te qendra tregtare të Komuna e Parisit. I thamë që të shkonte, po të mos vonohej. Vetëm një orë na tha se do vonohej, por ne i kërkuam që të mos vonohej më shumë se 45 minuta. Ra dakord dhe iku.
Çfarë kërkoni nga shteti pas kësaj që ndodhi?
Ishte djali i vetëm i tim biri. Nipi im s’i kishte hyrë në hak njeriu, ai ishte djalë i vogël. I bëj thirrje shtetit, nëse ka shtet, që të veprojë sepse telat në këtë zonë kanë vite që janë në këtë formë dhe ashtu siç i ndodhi nipit tim, mund t’i ndodhë kujtdo. Dhe kjo gjendje mund t’u kushtojë jetën edhe personave të tjerë. I bëj thirrje edhe drejtësisë që të veprojë dhe të gjejë përgjegjësit e kësaj që ndodhi dhe të përgjigjen para ligjit.
VIKTIMA
Armid Leskaj, djali 14-vjeçar që humbi jetën dy ditë më parë pas kontaktit me rrymën elektrike, ishte nxënës i klasë së tetë në shkollën “Vasil Shanto”. Ai ishte djali i vetëm i Adnand Leskajt dhe ka vetëm një motër një vit më të madhe, Arselën. Familja e tij banon në një banesë private në zonën e Selitës në kryeqytet.
ETLEVA DELIA