Një jetë e mrekullueshme
Piktorja Lume Blloshmi vjen me një ekspozitë personale në Galerinë ZETA, ditën e enjte, 12mars, ora 18.00.
Blloshmi paraqitet në vazhdën e programit me artistë bashkëkohorë nga vendi dhe bota që Galeria ZETA po organizon në bashkëpunim me T.I.C.A. - Instituti i Artit Bashkëkohor. Ekspozita mban titullin "Një Jetë e Mrekullueshme" dhe synon të paraqesë një kërkim të artistes përtej pikturës.
Ajo ridimensionon punën e saj përmes futjes së subjekteve të marra nga jeta e përditshme, të përzgjedhura përmes vëzhgimit të pastër instinktiv.
Duke përdorur satirën dhe aktin Dushampian të "emërdhënies", Lume Blloshmi ndërton një univers të vogël, në të cilin, nëse shohim me kujdes, vërejmë që ka atë vetë në qendër dhe personazhet e saj sillen rrotull si planetë të veckël të ndërvarur.
Ekspozita e cila është kuruar nga Edi Muka, sjell një numur projektesh të reja, si dhe disa pjesëza të reja nga seria në vazhdim "It's a men's ëorld / Është një botë burrash".
Ky prezantim mbështetet nga FAVA - Fondacionit për Artin Pamor Shqiptar Përtej Kufijve.
FAVA i përkushtohet mbështetjes së arteve të bukura në Shqipëri përmes ndihmës së komunitetit të biznesit dhe ruajtjes se koleksionit të veprave shqiptare si kontribut në ruajtjen e një pasurie të rrallë për vendin dhe dashamirësit e huaj.