Thikë në zemër vëllait për 5 mijë lekë
G.Marku, 14-vjeç, goditi tre herë me thikë vëllain e tij Alfred Marku, 23 vjeç, pas një sherri për para mes tyre
Policia arrestoi vëllain vrasës, ndërsa e pyeti në praninë e një psikologu, për vrasjen e të vëllait më të madh
Masakron me thikë vëllain nëntë vjet më të madh pas një sherri për 5 mijë lekë të vjetra. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme në fshatin Laknas të Tiranës kur 14-vjeçari G.M, ka vrarë me thikë vëllain e tij, Alfred Marku, 23-vjeç.
Krimi brenda familjes ndodhi pas një sherri për motive të dobëta mes dy vëllezërve. I mituri i ka kërkuar para vëllait më të madh i cili nuk ka pranuar t'ia japë. Pas fjalëve të ndërsjella, 14-vjeçari e ka qëlluar atë disa herë me thikë duke i shkaktuar dhe vdekjen.
Forcat e policisë së komisariatit nr.5, dhe oficerët e zyrës së hetimit të vrasjeve mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes për të sqaruar rrethanat e krimit ndërsa kryen arrestimin e të miturit.
Ai kishte parë babain t'i jepte 5 mijë lekë të vjetra vëllait më të madh, ndërsa atij nuk i dha. Kjo gjë duket se e ka mërzitur 14-vjeçarin G.M, i cili i kërkoi vëllait 23-vjeçar Alfred Marku, t' ia jepte atij paratë. "Nuk të jap lekë. 5 mijë lekë që më dha babi më duhen dhe nuk mund të jap" mësohet t'i ketë thënë 23-vjeçari vëllait të tij 9 vjet më të vogël.
Ai ka pretenduar se babai u kishte thënë t'i ndanin bashkë paratë dhe jo t'i merrte ai të gjitha 5 mijë lekëshin. Nga ana tjetër, i riu ka vazhduar të insistojë se nuk ka lekë për t'i dhënë vëllait pa e ditur se ato pak para do ti kushtonin jetën.
"Pasi u bind se nuk do të merrte asnjë lek, 14-vjeçari ka filluar të ulërasë e të zihet me vëllain. Më pas ai ka marrë një thikë dhe e ka qëlluar tri herë atë",- thanë për "Shekullin" burime nga policia. Alfred Marku u transportua me urgjencë në spitalin ushtarak nga familjarët e tij, por ndërroi jetë sapo mbërriti në "duart" e mjekëve.
Mësohet se 23-vjeçari kishte marrë një plagë në zemër e cila i shkaktoi dhe vdekjen. Vëllai i tij po përpëlitej i gjakosur në dyshemenë e shtëpisë, ndërsa 14-vjeçari me thikë në dorë endej nëpër shtëpi. I shokuar nga krimi që sapo kreu kur viktima ishte pikërisht vëllai i tij, i mituri G.M, nuk tentoi të largohej.
Ai u kap nga policia menjëherë pas krimit dhe u shoqërua në ambientet e policisë ku dhe u mor në pyetje. "I mituri ndodhej në gjendje shoku, ndërsa dyshohet se ai vuante nga sëmundja psikike. Ai pranoi se kishte qëlluar vëllain e tij me thikë pasi ishte zënë me të për 5 mijë lekë të vjetra",- thanë për gazetën burimet policore.
"Autori i kërkoi paratë vëllait të tij i cili nuk pranoi t'i jepte dhe për këtë shkak ata nisën një sherr që përfundoi në vrasje",- shtuan më tej burimet policore. Ndërkohë që në pyetje janë marrë edhe familjarët e tjerë për të zbardhur me saktësi shkakun e ngjarjes, ndërsa policia sekuestroi thikën me të cilin u qëllua për vdekje Alfred Marku.
Aksidenti
Debatonte me një person, shtyp fëmijën e tij me makinë
Sherri mes të rriturve i ka marrë jetën një fëmije 3-vjeçar. Ngjarja ndodhi mbrëmë në Shkozë të Tiranës kur vogëlushi 3-vjeçar Andrea Cacaj gjeti vdekjen pasi u shkel me këmbë nga disa persona që po ziheshin mes tyre dhe babai i tij.
Burime nga policia thanë se sherri ndodhi në oborrin e banesës së Kastriot Cacajt i cili po debatonte më disa persona. Sherri mes tyre kishte nisur për parakalim të makinave ku pas fjalëve fyese të ndërsjella ata kanë nisur të grushtohen me njëri-tjetrin.
Dëshmitarë të këtij sherri kanë qenë edhe fëmijët njëri prej të cilëve 3-vjeçari Andrea. Errësira dhe goditjet mes burrave ka bërë që fëmija të mos vihet re nga ata të cilët e kanë shkelur dhe shtypur duke i shkaktuar atij vdekjen.
Vetëm pasi janë shkëputur ata kanë parë fëmijën të përpëlitej ndërsa u përpoqën t'i jepnin ndihmën e parë por ka qenë e kotë pasi ai kishte gjetur vdekjen.
Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarje dhe shoqëroi personat për të zbardhur rrethanat, mes tyre edhe babain e fëmijës. Burime nga policia thanë se po punohet për të zbuluar shkaktarin e vdekjes së 3-vjeçarit.