Bllokohen në Lazarat 500 kg drogë
Policia e ka bllokuar mëngjesin e djeshëm një sasi të konsiderueshme marijuane që pritej të trafikohej
Arrestohen Beqir Avduli, 44 vjeç, dhe nipi i tij, Hasan Avduli, 27 vjeç, kapen në furgonin ku u bllokua një pjesë e hashashit
TIRANE- Operacioni i policisë në Lazarat sekuestron 500 kg marijuanë që përgatitej të trafikohej jashtë vendit, arrestohen dy persona, xhaxha dhe nip me akuzën e kultivimit dhe trafikimit në bashkëpunim të lëndëve narktoike.
Beqir Avduli, 44 vjeç, dhe nipi i tij Hasan Avduli, 27 vjeç, banues në Lazarat, janë arrestuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në një operacion të drejtuar nga policia e Gjirokastrës dhe me pjesëmarrjen e Drejtorisë së Antikrimit të Organizuar.
Të dy nip e xhaxha, sipas burimeve të policisë, janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Të dy personat sipas burimeve të policisë, u kapën mëngjesin e djeshëm rreth orës 5:00, në banesën e tyre në fshatin Lazarat, ndërsa po mbushunin një fugon në pronësi të tyre me një sasi të konsiderueshme lënde narkoike marijuanë.
Një sasi e tillë prej 500 kilogramë dyshuar si mariuhanë, është bllokuar nga policia. Fillimisht ata kanë bllokuar një sasi të vogël në furgonin e tyre me targa GJ 7320 A, dhe më pas pjesa tjetër më e madhe, është bllokuar në katin e parë të shtëpisë së familjes Avduli që shërbente si vend për magazinimin e mallit.
Përpara arrestimit të dy personave, oficerët e policisë kanë qëndruar së paku tri netë jashtë, ndërsa vëzhgonin lëvizjet e dy personave të arrestuar.
Hetimi
Sasia e bllokuar dje, nuk është e para e bllokuar për këtë vit nga policia gjirokastrite. Disa javë më parë, në këtë qytet, është bllokuar një sasi prej më tepër se 500 kg marijuanë, e ardhur po nga Lazarati.
Pas bllokimit të saj hetuesit e antidrogës, kanë nisur përpunimin e të dhënave të reja, për goditjen e grupeve të tjera të dyshuara si të përfshirë në rrjetin e trafikut të marijuanës nga kjo zonë.
Sipas burimeve nga policia për një periudhë kohe janë mbajtur nën vëzhgim të dyshuarit Beqir dhe Hasan Avduli me qëllim kapjen e tyre me mall, si prova më të rëndësishme për çështjen.
Sipas policisë, në orët e para të ditës së djeshme 44-vjeçari Beqir Avduli dhe nipi i tij Hasan Avduli ishin të fshatit Lazarat me një furgon me targa Gj 73 20 A. Oficerët e drejtorisë kundër krimit të organizuar të Policisë së Shtetit të cilët prej disa ditësh ndodheshin në Gjirokastër për këtë çështje, janë angazhuar menjëherë me qëllim kapjen e të dyshuarve.
Në operacion kanë marrë pjesë edhe oficerë të policisë së Gjirokastrës, duke bërë të mundur ndalimin e furgonit.
Droga
Dy personat që ndodheshin në furgon Beqir dhe Hasan Avduli nuk kanë bërë rezistencë në momentin që janë urdhëruar nga oficerët e policisë për të ndaluar.
Pas një kontrolli të imtësishëm në automjet policia gjeti dhe bllokoi një sasi të konsiderueshme lënde narkotike e si e dyshuar e llojit mariuhane. Menjëherë forca të shumta të policisë kanë ushtruar kontrolle në banesat e dy personave.
Burime nga policia thanë se në katin e parë të banesës dykatëshe të 44-vjeçarit Avduli, e cila përdorej prej tij si magazinë u zbulua dhe një sasi tjetër e konsiderueshme hashashi.
Në total policia bllokoi 500 kilogram lëndë narkotike e dyshuar e llojit mariuhanë. "Droga dyshohet se ka qenë e destinuar për trafik jashtë territorit shqiptar konkretisht në Greqi.
Lënda narkotike e bllokuar në furgon dyshohet se ishte nisur për tu trafikuar",- thanë për "Shekullin" burime nga policia të cilat shtuan se po punohet për identifikimin dhe kapjen e të tjerë personave të implikuar në këtë rrjet të trafikimit të lëndëve narkotike ndërsa dosja i kaloi prokurorisë për Krimet e Rënda.
500 kilogramë
lëndë narkotike e dyshuar si mariuhanë u sekuestrua gjatë operacionit "Darka Jashtë" e organizuar në Lazarat
6 operacione të mëdha antidrogë janë organizuar nga Drejtoria e Policisë Gjirokastrës, që prej muajit gusht të vitit të kaluar duke bllokuar sasi të mëdha marijuane.
1000 kilogramë
drogë e llojit marijuanë është sekuestruar nga policia e Gjirokasterës gjatë operacioneve të ndryshme të zhvilluara që nga fillimi i vitit në qarkun e mësipërm