E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një jetë me bandat

Jeta e Prokop Mishkut është e lidhur me bandat frymore. Ai ruan me kujdes çdo kujtim që ka të bëjë me to. Turnetë në qytete të ndryshme të vendit, duartrokitjet në rrugë e sheshe. "Në ato vite, suksesi i bandave ishte i madh, pasi kalimi i tyre në rrugë krijonte emocione te populli dhe të gjithë i donin", thotë ai.

Mishku do të bëhej pjesë e formacioneve muzikore që para se të udhëtonte drejt Pragës për të studiuar. Ishte vetëm një adoleshent kur hyri në Bandën e Ushtrisë. Vitet në këtë bandë janë një eksperiencë e vyer për të, pasi aty ishin të gjithë muzikantë që kishin mbajtur për vite me radhë Bandën e Zogut. Sipas tij, Banda e Zogut do të ishte furnizuesja e të gjitha bandave muzikore që do të krijoheshin më pas.

Kur filloi Lufta e Dytë Botërore, banda qendrore e Shqipërisë doli në mal, duke ndenjur aty deri sa u çlirua vendi.

Dirigjenti i parë i kësaj bande ishte Kristaq Panduku, i cili kishte studiuar në SHBA dhe ishte ish-pjesëmarrës i bandës së njohur "Vatra". Ai u bë dhe dirigjenti i parë i orkestrës frymore të Shqipërisë në ato vite.

Më pas u krijua Filarmonia Shqiptare dhe të gjithë instrumentistët e mirë kaluan në filarmoninë e shtetit dhe më vonë në Teatrin e Operës dhe Baletit.

Pas studimeve në Pragë, Mishko kthehet në Tiranë, ku punon si pedagog dhe themelon shkollën e trombës në Akademinë e Arteve. Në 37 festivale të Radio Televizionit Shqiptar, ai ka qenë trombisti i parë. Shkolla e trombës do të ishte furnizuesja kryesore e të gjitha orkestrave frymore në qytete të ndryshme të vendit si: Durrës, Shkodër, Fier, Lushnjë, Gjirokastër, Berat etj.

Në vitin 1972-1973, Syrri Rroi krijoi bandën amatore të qytetit të Tiranës. Për Mishkon, që ka dhënë aq shumë për bandat në vend, ishte trishtim të shihje mënyrën sesi u shndërruan bandat pas viteve ‘90. Kjo bëri që ai t‘i bashkohej me dëshirë iniciativës së disa instrumentistëve për të krijuar sërish bandën e qytetit të Tiranës. "Iniciuesi i parë u bë dirigjenti Edmond Doko, që e rithemeloi këtë bandë prej së dyti dhe banda filloi të funksionojë, duke bërë koncerte 2-3 herë në muaj në Tiranë e duke rifituar sërish autoritet", thotë Mishko.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›