E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ben Blushi, më i kërkuari në Prishtinë

Dyqind kopjet që janë ndodhur në Panairin e Prishtinës të librit më të ri të shkrimtarit Ben Blushi, "Të jetosh në ishull", janë shitur të tëra dy ditë para përfundimit zyrtar të panairit. Ky konsiderohet suksesi më i madh i edicionit të dhjetë të Panairit të Librit, që është mbajtur në kryeqytet nga 19 deri më 24 maj. Sipas organizatorit, Behxhet Bici, drejtues i botimeve "Elta BS" dhe një nga organizatorët, romani i Blushit nuk është gjendur në panair që nga e premtja. "Të premten pasdite e as sot nuk ka pasur më kopje të librit të Ben Blushit, të 200 kopjet që kishin ardhur janë shitur", ka thënë ai.

Bici thotë se pavarësisht kohës së shkurtër të organizimit, edicioni jubilar i Panairit të Prishtinës ka qenë në nivelin e duhur. "Ka qenë në nivelin e duhur, duke pasur parasysh kohën e shkurtër të organizimit të panairit, e cila ka sjellë edhe vështirësitë e veta, megjithatë, komunikimi me 100 botues është punë jo e vogël. Nuk kishim njerëz më shumë, ishim vetëm unë dhe Nazmi Rrahmani," ka theksuar Bici.

Madje, ai thotë se ky edicion është më i suksesshëm se tri edicionet e kaluara. "Edhe me kolegët, kur kemi biseduar, më kanë treguar se kanë shitur më shumë vepra se sa kanë pritur. Ky është një konstatim i përbashkët, në krahasim me tri edicionet e kaluara, ky panair ka qenë më i miri", ka bërë të ditur ai.

Nga ana tjetër, për shkak se hyrja në këtë panair është e lirë, Bici thotë se është e vështirë të dihet saktë numri i vizitorëve që kanë qenë në panair. "Vizitorët mendohet të jenë 40 deri në 50 mijë veta. Por, Panairi i Prishtinës ishte ndër të vetmit në rajon ku hyrja ishte gratis. Po të ishte ndryshe, do ta dinim numrin e vizitorëve me numrin e biletave të shitura, prandaj kjo shifër që thuhet mund të mos jetë e saktë", ka thënë ai.

Në këtë vit kanë marrë pjesë në panair rreth 100 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, ndërsa janë ekspozuar mbi 2 mijë tituj të rinj, duke filluar nga libri për fëmijë, letërsia origjinale dhe e përkthyer, veprat shkencore e deri te libri universitar. "Prishtina 2008" është sponsorizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe Drejtoria për Kulturë të Komunës së Prishtinës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›