E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një jetë nëpër flakë

Bainca është një fshat që shtrihet në një fushëgropë rrëzë maleve të Sharrit. Ndodhet në një hapësirë që bën trekëndëshin ku takohen komuna e Kaçanikut, e Ferizajt dhe e Shtërpcës. Në atë hapësirë gjendet shtëpia e Lulëzim Rexhës, ushtarit të tri luftërave të zhvilluara në Kosovë, Preshevë e Maqedoni. Para se të formoheshin njësitet e para të UÇK-së në Zonën e Neredimes, Luli katër vjet rresht kishte qëndruar si komitë, duke bredhur maleve përreth, ndërsa nuk u kishte rënë në dorë policisë serbe. Fati i tij është tipik për një të ri kosovar që nuk ka kursyer as edhe jetën për bërjen e lirisë dhe të shtetit.

Luli, pas angazhimeve nëpër flakët e luftërave, duke përdorur një kalë me qerre ka shitur dru dhe hekura të mbledhur nga mbeturinat. Me mund dhe sakrificë të madhe ka bërë një shtëpi të vogël. Po flakët nuk e kanë lënë të qetë as në liri. Ditën e 15 marsit të këtij viti i ka dalë flaka shtëpisë së tij, duke i lënë në këmbë vetëm muret dhe oxhakun.

“Rreth orës 17 të asaj dite mora fëmijët me gruan dhe shkuam tek motra në Ferizaj. Rreth orës 22 më kanë lajmëruar se shtëpia ishte djegur. Përpjekjet e zjarrfikësve nga Ferizaj ishin të kota. Kur erdha gjeta vetëm muret. Shtëpia tri ditë ka tymuar rresht”, kujton 15 marsin Lulëzim Rexha, i cili ka 4 muaj që jeton në çadrën e vendosur para shtëpisë së djegur.

Ai dyshon se djegia e shtëpisë të ketë ndodhur nga rryma, por kjo tashmë për të nuk ka rëndësi, ndërsa shtëpia i është bërë edhe më e madhe, edhe më e bukur.

“Kur i kisha humbur shpresat se mund të bëja edhe një shtëpi ashtu siç e kisha bërë me sakrifica të mëdha këtë që është djegur, Zoti më takoi me kryetarin e shoqatës “Feniks” dhe ja ku kanë arritur punët”, shprehej i gëzuar Lulëzim Rexha, tek ndihmonte të enjten vendosjen e dyerve dhe dritareve në shtëpinë e tij të re. As gruaja e tij nuk mund të gjente fjalë falënderimi për kryetarin e shoqatës humanitare “Feniks”, nga Ferizaj, Milaim Jasharin, të njohur si Xha Lumi.

“E zorshme është jeta në çadër. Për katër muaj nuk kam bërë një natë gjumë. Zgjohem disa herë natën dhe shikoj fëmijët a janë mirë të mbuluar. Në çadër jetën e bëjmë me një shkrepsë të vogël. Kaq kemi dritë natën në të”, tregon gruaja e Lulit, nëna e katër fëmijëve, të cilët brenda çadrës ndanin dhuratat e imëta, të cilat, bashkë me dyert e dritaret, ua kishin sjellë njerëzit e shoqatës “Feniks”.

Nga shumë donatorë që përkrahin këtë shoqatë humanitare, e cila për katër vite të ekzistimit të saj ka ndërtuar 61 shtëpi anë e kënd Kosovës, është edhe pronari i firmës “Fitimi”, Daut Ademaj, nga Shtimja.

Ai është ngjitur në Baincë të Kaçanikut për t’i vendosur dyer dhe dritaret që ia ka dhuruar Lulëzim Rexhës. Nuk ka dëshirë të flas për gazetë. Por, pak si me mllef shqipton fjalët: “Eh sikur qeveria jonë të ishte humane kështu si është populli, punët do t’i kishim shumë më mirë. Po kur populli po sheh si shkojnë punët, po ftohet gjithnjë e më shumë edhe për aksione të tilla”. Donator i shoqatës “Feniks” është edhe nëna e tij Naxhija. Ajo i kishte dhënë nga 50 euro për 11 familjet e vendosura kohë më parë në pallatin e UÇK-së, të bërë nga kjo shoqatë, karshi shkollës fillore “Ganimete Tërbeshi” të qytetit të Ferizajt.

Të gëzuar për përfundimin e punëve janë edhe aktivistët e shoqatës “Feniks”.

“Më duhet ta falënderoj për këtë rast biznesmenin Ahmet Hasani nga Ferizaj, i cili na ka mundësuar që shtëpisë së djegur t’ia shtojmë edhe gjysmë kati të ri”, shprehet i lumtur edhe kryetari i “Feniks”, Milaim Jashari, i cili nuk kursen fjalët e mira për vullnetin e njerëzve që të ndihmojnë në këso raste. Por, ai nuk kursehet të ngre akuza për institucionet tona, të cilat bëjnë shpenzime të mëdha koti e nuk ndajnë mjete për qëllime humane.

Fati i Lulëzim Rexhës vërtet është i veçantë. Ai do të futet në shtëpinë e re këto ditë, por nuk i dihet ku do të jetë nesër. Vetëm pak ditë përpara nga gjykata e Shtërpcës i kanë ardhur dy dënime për dëmtimin e pyllit. Një dënim ka vlerën në të holla prej 1500 eurove, ndërsa një tjetër prej 900 eurove.

Por ai nuk mërzitet për këto.

“E rëndësishme është që po i strehoj fëmijët. Disi duhet të jetojmë. As ne nuk kemi dëshirë ta dëmtojmë pyllin, por nga zori e bëjmë. Ky pyll ma ka shpëtuar jetën para lufte, ky pyll më ka shërbyer të mbetem gjallë pas lufte”, shprehet pak si me shaka ushtari i tri luftërave, të cilit nuk i është sosur gazepi kurrë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›