E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Zvarritja e Ligjit për Prishtinën solli miliona humbje

Anëtari i kryesisë së AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se Kuvendi i Kosovës nuk duhet të vonohet edhe më shumë në miratimin e Ligjit për Prishtinën, sepse zvarritja e deritashme i ka sjell humbje prej milionave euro kryeqendrës së Kosovës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes anëtarit të saj Besnik Tahiri ka mbështetur edhe një herë ditën e diel vendimin për aprovimin e Ligjit për Prishtinën, duke ritheksuar se kryeqendra ka nevojë të jetë e rregulluar em një ligj të veçantë.

Duke shprehur papajtueshmërinë që ky ligj është zvarritur që 2 vite, Tahiri vlerësoi se zvarritja e deritashme ka shkaktuar dëme të mëdha në investime, menaxhimin e kryeqytetit dhe funksionimin e tij.

“Së fundi jemi dëshmitar që kryeqendra e humbi një donacion rreth 14 milionë euro nga Komisioni Evropian, donacion ky që ka qenë për dedikim për Qendrën e Rinisë dhe tani më ky donacion është për pjesë të tjera të Republikës së Kosovës. Kjo ka shkaktuar një dëm, dhe një pamundësi që kryeqyteti të ketë një qendër funksionale dhe po ashtu zvarritja e këtij ligji dhe diskutimet që janë bërë rreth këtij ligji pa asnjë nevojë, i shprehin dyshimet tona se edhe pas miratimit në parim ky proces do të zvarritet edhe në Kuvend”, ka thënë ai.

Sipas tij, zvarritja për miratimin e Ligjit të Prishtinës nuk ka ndonjë shpjegim përveç tekeve dhe inateve politike që përgjithësisht kanë shkaktuar brenda kësaj periudhe një dëm prej rreth 30 milionë euro për Prishinën.

Ndërkaq anëtari i kryesisë së AAK-së ka thënë se ky subjekt politik është i shqetësuar me paralizimin dhe bllokimin total të qarkullit në kryeqytet.

“Shprehim një papajtueshmëri të plotë në lidhje me kaosin urban që është duke ndodh në Prishtinë, ju e dini që tani kemi një frekuentim edhe të qytetarëve që vinë nga shtetet perëndimore, pastaj edhe qytetarët e tjerë që vinë nga komuna të tjera është një bllokadë totale. Kërkojmë dhe i rekomandojmë komunës së Prishtinës që të kenë një mbikëqyrje më të madhe të punë kryesve lokal në mënyrë që këta punë kryes të punojnë nëse është nevoja edhe ditën dhe natën në mënyrë që me kohë t’i përfundojnë këto ndërtime pasi që qyteti është në bllokadë”, është shprehur ai.

Ndër të tjera, Besnik Tahiri ka dhenë edhe disa rekomandime për Kuvendin e Kosovës lidhur me Ligjin për Prishtinën, duke kërkuar që Pallati i Rinisë të jetë nën menaxhimin e komunës së Prishtinës dhe kryetari i komunës të mos jetë edhe kryesues i Asamblesë Komunale. /kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›