E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurteshi: Nuk i heshtim edhe shkeljet e ndërkombëtarëve

Gjykatat ende janë institucionet për të cilan vijnë më së tepërmi ankesa për shkelje nga qytetarët, ka thënë Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, i cili tregon se ky institucion ka bashkëpunim të mirë edhe me komunitetet pakicë. Sipas tij edhe përkundër faktit se janë përjashtuar nga mundësia për evidentimin e shkeljeve ligjore të cilat bëhen nga misionet ndërkombëtare, Avokati Populli nuk i heshtë rastet kur paraqiten nga qytetarët.

Edhe pse nuk të jep numër fiks të ankesave që paraqiten në institucionin e Avokatit të Popullit, kreu i këtij institucioni Sami Kurteshi ka thënë për Kosovapress se është numër i madh i lëndëve që janë duke shqyrtuar dhe një pjesë e madhe e tyre ende nuk kanë gjetur zgjidhje.

“Sipas statistikave numri i lëndëve të cilat paraqiten brenda vitit në institucionin e Avokatit të Popullit përafërsisht është 1.300 lëndë. Prej këtyre lëndëve kemi raste të cilat janë ende të hapura e të cilat janë 518, pra të cilat nuk mund të mbyllen për arsye se kanë të bëjnë me institucione të ndryshme dhe vazhdojnë procedurat. Ne përpiqemi që rastet ti mbyllim me procedura shumë të shpejta, por jo duke lënë anash kualitetin e tyre”, ka thënë ai.

Më tej, ai ka thënë se gjyqësori është institucioni për të cilin qytetarët ankohen më së tepërmi, pasi shkeljet dhe zvarritja e lëndëve nëpër gjykata zgjat me vite, ndërsa ankesa ka edhe për administratën qendrore dhe atë komunale dhe disa institucione tjera.

“Gjykatat janë institucioni për të cilin vijnë më së tepërmi ankesa, diku 40 për qind e të gjitha ankesave. Mandej vjen administrata e nivelit qendror, ministritë dhe drejtoritë e ndryshme brenda ministrive dhe pastaj vjen administrata komunale. Unë mendoj se te administrata komunale duhet të kihet diçka parasysh, pasi ato janë dera e parë ku lajmërohen qytetarët për problemet e ndryshme. Mandej kemi institucionet e formave të ndryshme, për shembull Stacioni Policor është një institucion që mund të shihet si institucion për të cilin ka ankesa më shumë, pastaj është Agjencioni Kosovar i Privatizimit. Kurse ankesat të cilat hyjnë në lëmi të ndryshme janë ato për çështje sociale, ekonomike, çështjet e pronave, etj”, pohoi Kurteshi.

Sipas tij, institucioni i Avokatit të Popullit ka bashkëpunim të mirë edhe me komunitetet pakicë, të cilat në një masë të mirë edhe bëjnë ankesa sa herë kanë probleme dhe u shkelen të drejtat e tyre.

Kurteshi tregon se për dallim nga institucionet tjera, zyra e institucionit të Avokatit të Popullit funksionin edhe në veri edhe pse atje nuk ekziston afërsia e bashkëpunimit me qytetarët njësoj si në pjesët tjera të Kosovës për arsye politike dhe presioneve nga strukturat e ashtuquajtura paralele.

“Jo nuk është i njëjtë, numri i ankesave është më i vogël. Arsyet janë thjeshtë politike, mirëpo ankesa të qytetarëve serbë ka. Meqë atje pushtetin pak më shumë e kanë në dorë strukturat të cilat po i quajnë paralele, apo edhe vet Qeveria e Serbisë me njerëzit e vet në Kosovë, qytetarët serbë nuk mund të ankohen edhe shumë në institucionet publike të Republikës së Kosovës, pra kjo mund të jetë një arsye pse numri i ankesave është më i vogël se në pjesët tjera të Kosovës, përndryshe ankohen”, ka thënë ai.

Ndërkohë edhe përkundër faktit se janë përjashtuar nga mundësia për evidentimin e shkeljeve ligjore të cilat bëhen nga misionet ndërkombëtare, Sami Kurteshi pohon se Avokati Populli nuk i heshtë rastet e ankesave kur paraqiten nga qytetarët.

“Ne jemi të përjashtuar nga ato kompetenca, mirëpo imuniteti i ndërkombëtarëve nuk ka të bëjë vetëm me institucionin e Avokatit të Popullit, por ka të bëjë edhe me institucionet tjera. Ne bëjmë diçka tjetër, ne këto çështje nuk i heshtim dhe përpiqemi të bashkëpunojmë me institucionet ndërkombëtare, nuk i heshtim në kuptimin se ne ju dërgojmë letra kur hasim në raste të shkeljeve, qoftë të EULEX-it, qoftë të UNMIK-ut”, është shprehur Kurteshi.

Ndër të tjera kreu i Avokatit të Popullit bëri të ditur se janë duke u marrë edhe me Ligjin mbi propozimin për pensionim të deputetëve, porse para se te shqyrtohet si duhet nuk mund të jepen vlerësime nëse është bërë kundër ligjeve dhe Kushtetutës. /kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›