E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një serb humb jetën nga goditja e trenit

Një qytetar i ri serb ka humbur jetën të dielën në hekurudhën e Jarinjes afër Leposaviqit, si pasojë e goditjes nga treni.

Sipas dëshmitarëve okularë, deri te aksidenti ka ardhur pasi treni i udhëtarëve, i cili po qarkullonte në relacionin Kralevë - Zveçan ka hasur në viktimën që në ato momente po qëndronte i shtrirë mbi hekurudhë.

Sipas burimeve të Kosovapress-it, jetën e ka humbur D.K.(20 vjeç), nga fshati Postinje të Leshakut.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, toger Besim Hoti, i cili tha se aksidenti fatal ka ndodhur rreth orës 9:30.

“Një person i komunitetit serb ka humbur jetën aksidentalisht në fshatin Kamen të Leposaviqit nga goditja e trenit që po qarkullonte në linjën Jarinje - Leshak”, bëri të ditur Hoti.

Sipas tij, viktima ka qenë i shtrirë në momentin derisa treni po kalonte te pika kritike, ndërkohë që ngasësi përkundër përpjekjeve për të frenuar trenin, nuk ka arritur të bëjë një gjë të tillë.

“Rasti është evidentuar si rast aksidental, derisa të mos përcaktohet ndryshe nga ana e prokurorit”, ka thënë Hoti. /kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›