Një kartë morale për Presidentin e ri
Debatet lidhur me figurën aktuale të Presidentit. Topi na rikthejnë në vëmendje çështjen e modelit për pasuesin e tij. Duhet thënë se, pavarësisht akuzave që gjenden tanimë në hullinë politike, për shkak se z. Topi zgjodhi rikthimin në politikë, shtrohet si domosdoshmëri qartësimi i kartës morale të pasuesit, për shkak të peshës, së pari simbolike, për të gjithë, e veçanërisht për rolin si garant i zbatimit të Kushtetutës që mbart veprimtaria e Presidentit.
Aktualisht z. Topi akuzohet nga ministra të qeverisë për ryshfete në këmbim të emërimeve në Drejtësi, nga Kryeministri për mënyrën se si e ka vënë pasurinë e paluajtshme, për abuzime në kompetencën për dekorime, si dhe nga e tërë maxhoranca për njëanshmëri politike, me qëllim rrëzimin e qeverisë aktuale. Pra, shkurt, kemi të bëjmë me një kontestim, çka e ka bërë institucionin e Presidentit të humbasë prej kohësh, për një pjesë të mirë të shqiptarëve, dëlirësinë që duhet të rrezatonte.
Por, gjithsesi, Topi është në muajt e fundit të mandatit, e duket qartazi se ai po mendon për vendin që do të ketë në të ardhmen politike; ndaj dhe analizat mbi të vlejnë vetëm për të menduar më qartë për pasardhësin e tij. Pikërisht për këtë nevojitet të ndalemi mbi debatin, pasi nuk duhet që të kemi sërish si President një person që mund të akuzohet lehtësisht, apo të jetë i kontestuar për shkelje ligji, apo për mënyrën se si e ka vënë pasurinë. Dhe në këtë moment shoqëria duhet të këmbëngulë që kompromisi më i madh mes palëve nuk duhet të jetë përkatësia politike, por Karta Morale, e cila më pas vlen për të besuar se kemi të bëjmë me një person që është i çliruar nga e kaluara, në mënyrë që të përdorë të gjitha mekanizmat në të mirë të një simboli për të gjithë, si dhe për të dhënë i pari shembullin e ndëshkimi të ligjshkelësve.
Aktualisht shqiptarët kanë një mosbesim të nivelit të lartë në Drejtësi, duke vënë në dyshim dukshëm nivelin e demokracisë, e cila është e lidhur drejtpërdrejt me dhënien e së drejtës. Sepse qytetarët, nëse humbin besimin se mund ta fitojnë një të drejtë, i shembin të gjitha urat e komunikimit me funksionimin e demokracisë, duke kaluar sa nga vetëdrejtësia (vetëgjyqësia) e deri në shkeljen e hapur të lirisë së tjetrit, të pronës së tjetrit apo edhe në inkurajimin e ryshfetit.
Po kështu, lidhur me sistemin e vlerave, Presidenti është njëri nga përgjegjësit e hierarkisë se si shteti vlerëson figurat e rëndësishme, të cilat janë më pas edhe shembull për të tjerët. Nuk është fjala këtu për raste të gabimeve fatale, si dekorimi i ish-prokurorit Breca nga Presidenti aktual, por gjetjen e rrugëve të inkurajimit të asaj që është simbolike për brezat dhe ku Presidenti duhet ti inkurajojë qytetarët e këtij vendi të besojnë për të qëndruar këtu.
Do të ishte naive të besonim se të gjithë mekanizmin do ta shëronte një President ndryshe nga ai aktuali, apo ndryshe edhe nga ata që kanë qenë përpara kreut aktual të shtetit, pasi çdo lloj zgjedhjeje do të jetë produkt i modeleve me të cilat funksionon politika sot. Por gjithnjë ekziston mundësia që të hidhet një hap ndryshe, dhe ky është momenti që klasa politike të tregojë se dëshiron një njeri që të jetë i vlefshëm për të gjithë. Nëse kërkohet kompromis për një Kartë Morale, nëse kandidati do të jetë një person që më së pari është një qytetar i mirë, që ka mundur të respektojë ligjet dhe të ndërtojë një pasuri përmes rrugëve ligjore dhe të moralshme, atëherë ia vlen të diskutojmë edhe lidhur me emrat.
Drejtësia, një nga mekanizmat më të rëndësishëm në demokraci, është rrezatim i modelit se si funksionon Presidenti. Kreu aktual nuk mundi dot të dalë nga skema e akuzës për korrupsion, si i gjithë sistemi, duke reflektuar mungesë të lirisë. Në fund të fundit, pak rëndësi ka për qytetarët nëse ka ndodhur apo jo realisht, përderisa institucioni i Presidentit nuk mundi dot të përfaqësonte ndëshkimin e korrupsionit. Ndaj dhe për pasardhësin nevojitet më së pari të kërkohet pikërisht që të jetë shembulli i së drejtës. Sepse në shoqëri nuk është e nevojshme vetëm të vërtetojmë, por më së pari të besojmë. Të besojmë për një figurë të re; dhe rruga e vetme për të shkuar drejt një emri të përveçëm është konsensusi për një Kartë Morale.
