E Shtunë, 31 Tetor 2026

Task Force, Berisha: Ja lehtësitë për biznesin

TIRANE-Vetem 35 dite per te marre nje leje ndertimi ne Tirane, nga 436 ditë që duheshin dhe vetem 13 dite per regjistrimin e pronesise.

Keto dhe te tjera lehtesi per biznesin ne kuadrin e permiresimit te klimes dhe shkurtimit te procedurave ka garantuar  kreu i qeverise ne mbledhjen e sotme te Task Forcës së Reformës Rregullatore.

Ne qender te diskutimit ka qene analiza dhe vendimet mbi thellimin e mëtejshëm të reformave për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri.

“Përmirësimi i klimës së biznesit ka qenë dhe është një nga objektivat më madhorë të kësaj qeverisjeje, që konsideron sektorin privat, biznesin, një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të shpejtë e të qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare. Rezultat i kësaj politike ka qenë rritja e numrit të bizneseve, përthithja e katër miliardë investime të huaja në 6 vjet, rritja ekonomike dhe rënia e papunësisë, trefishimi i eksporteve, etj”- tha ai.

Sipas Berishes, ministria e Ekonomisë ka bërë një studim të hollësishëm të të gjithë problematikës së klimës së biznesit dhe masave që duhet të merren për të vendosur një seri standardesh të reja në të gjitha fushat.

Gjithnjë e më shumë po rritet interesi i investitorëve vendas e të huaj për të investuar në këtë vend. Gjithnjë e më shumë bëhet e domosdoshme që burokracia shqiptare ti shërbejë biznesit sa më mirë, të bëjë gjithçka për të lehtësuar barrën burokratike ndaj tyre, u shpreh ai.

Vendosmëria për të vazhduar e thelluar reformat u konkretizua me detyra e hapa konkretë, për tu ndërmarrë e realizuar në afat kohor prej një muaji, në shumë drejtime të reformës rregullatore si; koha që shpenzohet në marrëdhëniet shtet – biznes, kostoja e këtyre proceseve, numri i hapave dhe procedurave, etj.

Disa nga lehtësitë e tjera që i ofrohen së shpejti biznesit kanë të bëjnë me:

- Numri i procedurave të regjistrimit të biznesit do të reduktohet nga 5 që janë sot në vetëm 2 dhe kostoja e regjistrimit ulet në vetëm 100 leke, nga rreth 112 lekë që ka qenë.

- Për sa u përket lejeve të ndërtimit, Tirana, e cila deri vjet klasifikohej ne vendin e fundit në rajon dhe në botë do të lehtësojë biznesin e ndërtimit duke reduktuar numrin e procedurave dhe kohën për të marrë një leje ndërtimi. Konkretisht numri i procedurave reduktohet nga 24 që janë sot në 5 dhe dhe kohëzgjatja për të marrë një leje ndërtimi do të ulet në mënyrë drastike nga plot 436 ditë që duhen sot në 35 ditë. Kjo e bën të krahasueshme Tiranën me SHBA ku duhen 40 dite.

- Për furnizimin me energji, numri i procedurave reduktohet në 4, nga 6 që është sot, numri i ditëve nga 177 që është sot ulet në vetëm 45 ditë ndërsa kostoja reduktohet afro 3 herë.

- Për regjistrimin e pronësisë, numri i procedurave përgjysmohet – pra nga 6 që janë sot bëhen 3, ndërsa numri i ditëve të duhura për këtë proces reduktohet me 3 herë, pra nga 33 ditë që është sot bëhet 13.

- Për pagesat e taksave do të ulet kontributi i punëdhënësit nëpërmjet heqjes së pagës së referencës; dhe thjeshtimit dhe shkurtimit të kohës, kostove dhe procedurave nëpërmjet veprimeve që do të kryhen online.

- Për tregtinë e jashtme, dokumentet për eksport do të reduktohen me më shumë se gjysma , nga 7 që janë sot, në vetëm 3 dokumente ndërsa dokumentet për import reduktohen nga 8 që janë sot në 4. Koha e nevojshme për eksportim do reduktohet me 5 herë, nga 19 ditë që janë sot në 4 dite ndërsa koha për import do të reduktohet me 6 herë, nga 18 ditë në vetëm 3 ditë.

Po ashtu, përmirësime të ndjeshme do të bëhen në lidhje me zbatimin e kontratave, zgjidhjen e paaftësisë paguese, (falimentimin), marrjen e kredive, mbrojtjen e investitorit, etj.

Këto hapa që po zbatohen me shpejtësi, do të shoqërohen dhe me përshtatje ligjore dhe synojnë arritjen e objektivit madhor të kësaj qeverisjeje: rritjen e besimit dhe sigurisë së investitorëve, si dhe nxitjen e tyre të zgjedhin Shqipërinë si vendin më të mirë për të bërë biznes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›