Një komedi dramaturgjike? Ta shohim
Çfarë ka ndodhur me filmin e Kumbaros nuk është ndonjë përjashtim nga rreshti i kinemasë shqiptare pas viteve ’90, por përbën një përjashtim sa i takon gjuhës filmike. Vetë Kumbaro thotë se ka qenë një nga pikat e tij më delikate që filmi të mos kushtëzohet nga gjuha e tekstit, por të shembë këtë ngërç të kinemasë sonë, për të nisur edukimin me dialogun
Humanizmi për moshën e tretë. Nëse bëhet fjalë për angazhimin e një regjisori, Saimir Kumbaro në premierën e filmit të tij “Ne dhe Lenini”, premiera e së cilës u dha të premten në mbrëmje dhe vazhdon të shfaqet në “Milenium”, ka mundur të na sjellë një rrëfenjë shumë afër dokumentarit.
I mbështetur në tekstin dramaturgjik të Ruzhdi Pulahës, regjisori ka prirjen të na tregojë “mrekullitë” që të jep në ekran një skenar i mirë.
Ndonëse flitet për moshën e tretë dhe ritmi celuloid nuk të fal në një produksion cilësor, për regjisorin Kumbaro duket fatlumë kapërcimi i këtij problemi aq delikat. Kjo është nga ato dilema që gjithnjë vihet ngushtë një regjisor, sidomos në kinematografinë tonë, kur duhet t’i përgjigjen një raporti siç është ai mes gjuhës së filmit dhe tekstit. Çfarë ka ndodhur me filmin e Kumbaros nuk është ndonjë përjashtim nga rreshti i kinemasë shqiptare pas viteve ’90, por përbën një përjashtim sa i takon gjuhës filmike. Vetë Kumbaro thotë se ka qenë një nga pikat e tij më delikate që filmi të mos kushtëzohet nga gjuha e tekstit, por të shembë këtë ngërç të kinemasë sonë, për të nisur edukimin me dialogun. “Ne jemi munduar të kursejmë dialogun. Në film duhet gjuha filmike”. kjo thënie, së bashku me zbatimin e saj, është garancia që merr me vete regjisori Kumbaro duke na shtyrë më tej, si shkak pse filmi ynë nuk po hyn dot në tregun rajonal, si një kinema e re.
Duke e futur edhe veten në rrethin e regjisorëve shqiptarë, që ankohen dhe vuajnë për skenarë, ku deklarata se gjithë dështimi i kinemasë sonë vjen nga skenarët, Kumbaro na sjell në këtë produksion përvojën me konsulentin amerikan të dialogut. Për përpunimin e skenarit ka kërkuar edhe ndihmën e skenaristit amerikan Sean Clarck, por që në fakt nuk është përfshirë si autor i skenarit. Filmi na çon në një shtëpi të moshuarish që quhet “Lulet e vjeshtës”, ku një grup pleqsh ngrysin ditët. Në film interpretojnë aktorët nga më të mirët që janë mbajtur deri tani, si Robert Ndrenika, Mirush Kabashi, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Lazer Filipi, Mehdi Malkaj, Hajrie Rondo etj. Duket sikur regjisori në disa raste luan dhe me jetën e tyre reale. Në një linjë të ngjeshur ky film tregon se këta pleq kërcënohen të dalin nga shtëpia, pasi ndërtesës i del pronari, një biznesmen që ka vënë kandidaturën për kryetar bashkie në qytet. Për saktësi subjekti, e gjithë situata ndërlikohet kur pleqtë i kundërvihen vendimit të Komisionit të Pronave për anulimin e tij. Përplasja ndodh mes pleqve dhe kandidatit për kryetar bashkie, pasi ky i fundit ka falsifikuar dokumentet e pronësisë dhe kërkon të përvetësojë një pronë që nuk i takon. Ky moment ndoshta jo dhe aq domethënës lidhet me portretit e Leninit, një ngjashmëri me aktorin Lazer Filipi, i cili është edhe aktori i filmit që ende “nderohet” për interpretimin e Leninit tek “Orët e Kremlinit”. Pra, është një vorbull nostalgjie ana tjetër e këtij filmi. Toni dramaturgjik duket se na vjen më shumë nga karakteri i tekstit që ka shkruar Pulaha, duke njohur “gjuhën” e tij edhe në teatër apo në projektet radiofonike dhe televizive që ka shkruar.
Po angazhimi i regjisorit cili është? Kumbaro tha se ka kërkuar të na sjellë një komedi dramaturgjike. Madje thotë se një perspektivë e tij është eksplorimi në komedi. Filmi i Kumbaros e përmbush komedinë, ashtu sa edhe lënda dramaturgjike. Në miniaturë filmi tenton linjë idesh, që i takojnë regjisorit. Kompleksiteti shqiptar në vitet e tranzicionit lidhet sa me mbeturinat klishe të komunizmit, sindromat e sotme të persekutuesve, korrupsioni, dyfytyrësia, hipokrizia e pasanikëve të sotëm... të gjitha këto, si dhe pak tendenca erotike, apo dashurie si për të falur dhe larguar hakmarrjes, - nuk gjenerojnë në film si pjesë e tonit regjisorial, për të denoncuar me forcë politike. Është një denoncim ironik, pak i lehtë, me tendencën për t’ia zbuluar masës jo si fakte çudibërëse, por si fenomene të së përditshmes. A duhen pranuar? Regjisori Kumbaro jep një pasqyrë gati dokumentare të realitetit, siç e tha edhe vetë në konferencën për shtyp, pa një përpjekje fitimtare. Në fakt filmit i mungon një ballafaqim më i madh, më bindës mes asaj se si ky kontingjent njerëzish që kanë përfunduar në azil, e kanë përjetuar dhe përjetësuar komunizmin. Është një shkëndijë që na vjen përmes marrëdhënies së Robert Ndrenikës dhe Margarita Xhepës, që në film na kujtojnë pasojat e diktaturës, por asgjë më shumë, përveçse ndjesës dhe pranimit kalimthi. Duke iu përmbajtur natyrës së filmit, gjithçka vjen më e thjeshtë, më e lehtë për t’u përtypur prej publikut. Është komedi, ku drama tregohet në dy sisteme, në këtë të sotmen që e përjetojnë dhe të kaluarën që e kanë pësuar. Se sa vlen kjo si ndërgjegje, qoftë për regjisorin, qoftë për skenaristin, duket se nuk ka pasur aq shumë rëndësi, sesa mëshimit të faktit ku jemi sot. Të kërkosh humanizmin për moshën e tretë dhe të denoncosh korrupsionin në këtë nivel, sigurisht që nuk mund të sjellë gjë tjetër veçse humorin, atë që është e pamundur të realizohet. Në këtë kontekst përmbushet filmi, si një komedi dramaturgjike, pa rënë nga karrigia, si domethënie e zhvillimit të projektit dhe qëndrueshmërisë regjisoriale e gjitha në një linjë, 83-minutëshe.
Të hënën ky film ka premierë edhe në Prishtinë. “Ne dhe Lenini” deri tani nuk e ka menduar se çfarë jete tregu do të bëjë, por për një gjë krejtësisht të sigurt përgjigjet regjisori Kumbaro se fajin për mosshfaqjen e filmave nuk e kanë tani as mungesa e sallave, por edhe ata vetë, profesionalizmi i tyre.