Kola: QKR-ja regjistroi 17.773 biznese të reja në 2008-ën
Bizneset e regjistruara në vitin 2008 janë rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2007. Shifrat janë publikuar dhe nga drejtori i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Tom Kola.
Sipas tij, regjistrimi i biznesit gjatë vitit 2008 ka pësuar rritje të ndjeshme në krahasim me vitin 2007. Sipas shifrave të bëra publike nga Kola, gjatë vitit 2007 u regjistruan 13,285 biznese të reja, ndërsa gjatë vitit 2008 u regjistruan 17,773 biznese të reja, kjo rritje në vlerë absolute është në shifrën 4,488 biznese të reja me tepër se në 2007. Ai ka nënvizuar dje se gjithashtu, një rritje shumë të theksuar pati edhe në regjistrimin e bizneseve të huaja në Shqipëri gjatë vitit 2008 në krahasim me vitin 2007. “Regjistrimi i biznesit me kapital të huaj gjatë vitit 2007 ka qenë rreth 200, kurse gjatë vitit 2008 ka qenë rreth 600. Pra, në tërësi biznesi i huaj në Shqipëri gjatë vitit 2008 përbën 30% të numrit të vitit 2007”, - tha Kola. Më tej ai ka sqaruar procedurat e falimentit të disa bizneseve dhe ato të çregjistrimeve. “Për sqarim të opinionit publik dua të theksoj se falimentimet gjatë vitit 2008 përbëjnë një shifër fare të pakonsiderueshme (rreth 20). Falimentimi nuk duhet ngatërruar me çregjistrimin. Gjatë vitit 2008 kemi pasur 676 çregjistrime. Nga këto, rreth 60%, pra rreth 400 biznese kanë pësuar rritje dhe kanë ndier nevojën e ndërrimit të formës ligjore, nga “person fizik” në “sh.p.k.”. Ky proces kërkon çregjistrimin si person fizik dhe regjistrimin si person juridik”, - ka deklaruar Kola. Më tek ka sqaruar se nga ana tjetër, diferenca (40% e 676 = 270 biznese), në masën 50% të saj (pra, rreth 135 biznese [270:2 = 135]) janë çregjistruar për të mundësuar transferimin tek familjare, kurse pjesa tjetër (përsëri rreth 130 biznese) kanë emigruar (përgjithësisht). Ai theksoi se këto etapa rritjeje nëpër të cilat ka kaluar biznesi shqiptar në vitin 2008, nuk mund të përkthehen kurrsesi si krizë. “QKR-ja është i vetmi ent shtetëror i cili gjeneron statistikat mbi biznesin dhe nuk ka pasur asnjë kërkesë nga jashtë për dhënie statistikash krahasuese. Nga ana tjetër, çdo shifër apo statistikë që jepet jo nga QKR-ja është e rreme”, - ka deklaruar Kola. Drejtori i QKR-së, i pyetur për ritmin e rritjes se biznesit në vitin 2009, tha se parashikimet bazohen nga studimi i statistikave të viteve të mëparshme. “Për rrjedhojë, duke u bazuar në statistikat krahasuese për vitet 2007 dhe 2008, parashikimi është që do të ruhet rritmi i rritjes së numrit të bizneseve të regjistruara si më parë”, - tha Kola.