E Diel, 1 Nëntor 2026

Një konventë, një gjyq para OKB dhe një detyrim ndërkombëtar

Kristi Pinderi
Seanca e pak ditëve më parë në Parlament kur një grup organizatash të shoqërisë civile kërkuan dekriminalizimin e çdo femre që ushtron prostitucion, ose nëse kjo nuk realizohet, të paktën dënimin bashkë me femrën, edhe të klientit që i kërkon asaj favore seksuale, përbën një fenomen të ri në Shqipëri. Të mësuar për dekada të tëra me një seri proçesesh propagandistike për ruajtjen e moralit të shoqërisë, shqiptarëve me siguri u është dukur dekadente një kërkesë e tillë nga shoqëria civile. Apo të paktën e pakuptueshme, e në rastet më të mira, e parakohshme.
Por në fakt, ka një arsye se pse tani, pse në Kuvend dhe pse shoqëria civile po ndërmerr publikisht një nismë për të diskutuar probleme të tilla si prostitucioni, apo barazinë para ligjit dhe dënimin pa përjashtim të kujtdo që kapet me drogë. Për këtë të fundit, shoqëria civile ka kërkuar që ose të mos përbëjë vepër penale mbartja e një doze deri në 5 gram droge (meqë kjo është një dozë e vetme e përdorimit vetjak), ose të paktën një person që kapet me maksimumi 5 gram drogë, të mos dënohet njësoj si dikush tjetër që kapet me shumë kilogram drogë. I pari qartazi të jep përshtypjen se do e përdorë për veten, ndërsa i dyti kuptohet fare mirë se ka ndërmend ta trafikojë apo ta shesë atë thes me drogë! Pse që të dy duhen dënuar njësoj?, pyesin aktivistët për të drejtat e njeriut.
Vitin e kaluar, Shqipëria raportoi para Komitetit të Kombeve të Bashkuara Kundër Eliminimit të çdo forme të Diskriminimit ndaj Gruas (CEDAW). Ky komitet pasi dëgjoi raportimin zyrtar që duhet të bëhet një herë në katër vjet nga qeveria, dëgjoi edhe një raportim hije që bëhet nga shoqëria civile. Kjo është një formë shumë demokratike, por edhe shumë interesante që OKB përdor për të dëgjuar të gjitha palët. Raportin zyrtar e prezantoi zv.ministrja për Cështjet Sociale znj. Filloreta Kodra në Nju Jork, ndërsa një prej raporteve hije apo opozitar, e prezantoi në emër të një koalicioni organizatash shqiptare znj. Meri Pone, pedagoge dhe aktiviste për të drejtat e njeriut (bashkëshorte e zv/ministrit Ferdinand Pone).
Pasi dëgjoi këto dy raporte OKB, përmes komiteteve të veta, i kërkoi Shqipërisë që derisa të vijë koha për raportimin tjetër të planifikuar, pra pas katër vitesh, në Kodin Penal të vendit duhet të gjenden mënyrat për të dekriminalizuar punonjëset e seksit, ose duhen gjetur mënyra që të mos diskriminohen si minorancë përballë aktorëve të tjerë që bëjnë pjesë në këtë fenomen, pra përballë meshkujve që paguajnë për atë shërbim.
I njëjti argument vlen edhe për mendimin që nëse nuk legalizojmë dot përdorimin vetjak të drograve të lehta, të paktën të mos diskrimojmë gjatë dënimit atë që e ble dhe kapet me një sasi përdorimi vetjak (ngaqë secili, sipas mendimit mbizoterërues, ka të drejtë të bëjë çtë dojë me trupin e vet), kundrejt atij që bën pjesë në rrjetin e trafikimit dhe të shitjes së drogës. Mirëpo, mendime të tilla kanë hasur në kundërshtimin edhe të së djathtës edhe të së majtës shqiptare. Shekulli boton sot në faqet e seksionit Jetë mendimin e një sociologu të njohur, z. Gëzim Tushe si dhe sjell për ju lajmin që një grup të rinjsh po ndërmerr, hë për hë, përmes një faqeje interneti, një fushatë informimi për drogra të lehta, si ashashi. Ne nuk mbajmë anën e askujt, por dëshirojmë tju ftojmë në një debat për tema të tilla në Shekulli Online. Ju falenderojmë për pjesëmarrjen dhe mirkuptimin tuaj.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›