Një përgjigje publike e munguar, por e detyruar
Aldrin Dalipi
Këto ditë qytetarët kanë shprehur shqetësim në lidhje me taksën e pastrimit, e cila tashmë i është bashkangjitur faturës së Ujësjellësit. Bëhet fjalë për kategoritë në nevojë, sikurse janë pensionistët, veteranët dhe invalidët e luftës, familjet që marrin ndihmë ekonomike, të verbrit dhe të sëmurët paraplegjikë e tetraplegjikë, (kategori kjo qe përfitonte deri ne 2011 një pagesë minimale), e cila nuk është marrë parasysh në faturimin e ujit të muajit janar, për taksën që bashkia mban përgjegjësi. Kështu, kjo pjese e qytetarëve, të cilët i përkasin shtresave në nevojë, kanë paguar të plotë faturën pa iu marrë parasysh statusi i tyre. Përveç kësaj, këta qytetarë, kanë nisur të kryejnë nga e para, procedurat e plotësimit të dokumenteve të kërkuara nga bashkia e Tiranës, pasi faturat ju kane ardhur ne banesat e tyre. Qytetarët, po shohin në njësitë bashkiake të kryeqytetetit se si bashkia detyron këtë shtresë të pamundur për të kryer procedura, ndërsa listat e tyre kanë qenë prezente në institucionin vendor të Tiranës.
Përse një qytetari të thjeshtë i majtë apo i djathtë qoftë, apo pa asnjë bindje politike, duhet të harxhojë kohë, mund dhe para për të kryer një veprim të cilin e kanë zgjidhur më parë në raport me qeverisjen vendore? Një pensionist, një veteran, invalid i luftës dhe i punës, përfituesit e ndihmës ekonomike, një i verbër, i sëmurë paraplegjik dhe tetraplegjik, duhet të marrë përsëri rrugën me sakrificën njerëzore dhe financiare, për të nxjerrë një grup dokumentesh vetëm e vetëm se bashkia e Tiranës nuk është e aftë ta zgjidhë ndryshe. Nga ana tjetër për njësitë bashkiake nuk është parashikuar në buxhet asgjë në lidhje me këtë procedurë.
Gjithashtu, bashkia e Tiranës, në njoftimin që u ka nisur njësive vendore, thotë se kontratën e ka firmosur në datën 31 janar 2012 me ujesjellsin. Ndërkohë që faturat që kanë në dorë qytetarët, mbajnë datën e printimit 30 janar. Si mundet që qytetarët të paguajnë për një kontratë, e cila është lidhur një ditë pasi faturat janë nisur në drejtim të tyre, edhe me taksën e pastrimit?! Këtë përgjigje e ka detyrim publik që ta japë z. Basha.