E Shtunë, 31 Tetor 2026

Errësirat kanë zbritur përsëri në Gurëz

25-02-2012 / Nga Atë Pasquale Nalli

Është një mëngjes i butë dhe rrezet e diellit depërtojnë përmes reve. Është e diel, dita e Jetës dhe e Dritës që ka fituar mbi Errësirat. Nga dritarja e dhomës sime mund të shoh bustet e dom Shtjefën Kurtit, martir i fesë, e të atë Michele Bulmetti, martir i bamirësisë, që shohin e mbrojnë veprën tonë. Atë Giuseppe, bashkëvëllai im, me fton të shoh me vëmendje bustin e dom Shtjefnit, e duke e vështruar, kuptoj që dikush ka dashur të poshtrojë përkujtimin e martirit tonë dhe dëshminë e tij në Krishtin deri në pushkatim.  Dalim nga shtëpia e shkojmë pranë bustit të dom Shtjefnit, e konstatojmë gjestin e ulët të personave të poshtër, që kanë vepruar në errësirat e natës. Kishin mbështjellë me letër higjenike fytyrën e dom Shtjefnit. Provova mëshirë për këtë gjest të mjerueshëm, e në qetësi të thellë të shpirtit pëshpërita “Ki mëshirë, o Zot!...”. Më del para syve ajo skena, e treguar shumë herë, që ka ndodhur brenda mureve të kishës së vjetër të shkatërruar, e dom Shtjefën Kurtit përballë gjykatës-farse që e dënonte me vdekje, sepse kishte pagëzuar një fëmijë. Dhe ai me krenarinë dhe dinjitetin e të krishterëve të parë përgjigjej: “Për këtë kam jetuar dhe jam prift, për të lindur të krishterë të rinj në Krishtin”. Dhe përsëri, arrogantëve komunistë që kërcënonin të shkatërronin kishën e vjetër, ai u përgjigjej: “Shkatërrojeni, do të ndërtojmë një tjetër më madhështore se kjo për lavdinë e Hyjit”. Dhe gjithëpushtetshmëria e diktaturës u poshtërua, edhe për veprimin guximtar e të palodhur të një njeriu të rindërtimit të Kishës Shqiptare: atë Michele Bulmetti. Është poshtëruar përkujtimi i një njeriu të Hyjit në rrethimin e shenjtë të Kishës Katolike. Kush vepron në këtë mënyrë tërheq mbi vete mallkimin: nuk është Hyji që na dënon, por janë veprat tona të liga që na dënojnë.
Bijtë e errësirës kanë vepruar natën. Ishte natë kur Juda doli nga çenakulli. Është gjithmonë natë kur ne veprojmë në urrejtje, në gënjeshtër e në padrejtësi. Ndoshta nuk egziston më ndërgjegjja e gjesteve blasfemike që kryhen dhe e kufirit mes së mirës dhe së keqes, ose ndoshta ka zbritur në ndërgjegjen e brezave të rinj një hije e madhe, që rrjedh nga mungesa e vlerave, e që na bën të themi: mund të bëjmë gjithçka. Nuk duhet të mësohemi me vulgaritetin, me blasfeminë e poshtërimin e shenjtërisë së jetës njerëzore e të dëshmisë së martirëve që nuk janë zmbrapsur përballë së vërtetës.
Historia që sot jetojmë është lënë në duart tona, secili duhet të japë kontributin e tij të ndershmërisë, të së vërtetës dhe të solidaritetit. Historia jonë e sotme na mëson që duhet të vigjëlojmë gjithmonë për të mos u rrokullisur në ideologjitë arrogante dhe gjakësore e në humnerën e sjelljeve të pamëshirshme e shtazarake. Një popull që harron të kaluarën e tij hap derën e humbjes së identitetit të tij e të shkatërrimit të tij. Situata e sotme e popullit tonë është prodhuar nga hiret e komunizmit, logjika e të cilit fatkeqësisht duket se mbizotëron edhe në ditët tona. Logjika e mbizotërimit mbi tjetrin, e të fuqishmit mbi të dobëtin, e indiferencës ndaj nevojave të atij që nuk ka ushqim, është i sëmurë ose pa punë, dhe e korrupsionit që shpërndahet lart e poshtë.
Nuk mund të qëndrojmë indiferentë përballë këtyre dukurive, sikur të mos na përkitnin.  Mungesa e idealeve dhe e pasionit për jetën në brezat e rinj është rezultati i mediokritetit tonë, i mosangazhimit tonë edukativ dhe social. Nuk mund të ankohemi për çorientimin e bijve tanë pa akuzuar vetveten se kemi munguar në rritjen e tyre edukative, në transmetimin e vlerave që formojnë çdo njeri. Të rriturit duke mos qenë mësues të mirë të jetës së bijve të tyre, mbledhin frytet e një breznie që nuk jep fryte angazhimi për jetën, drejtësinë dhe solidaritetin.
Në këtë realitet të shënuar fort nga një eklips vlerash, që domethënë krizë morale, ne njerëzit vullnetmirë, besimtarë të çdo lloj besimi, jemi thirrur nga ligji i ndërgjegjjes për të shkuar drejt idealeve të larta.
Gurëz,

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›