E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një koreografi energjitike ruse në Ballkan

Një epidemi e papritur dashurie shtetërore për energjinë bërthamore shpërtheu në Ballkan, kur në mënyrë të befasishme edhe Serbia, edhe Maqedonia, shpallën se janë gati të marrin pjesë në financimin e ndërtimit të centralit bërthamor në Belene të Bullgarisë. Centrali bërthamor në Belene është një projekt i madh energjetik bullgar, i planifikuar të ndërtohej me kreditë ruse, dhe për të ndërtimin dhe financimin e të cilit Rusia dhe Bullgaria nënshkruan dhe marrëveshje qeveritare në vitin 2008.
Qeveria e re bullgare e kryeministrit Bojko Borisov, që erdhi në fuqi korrikun e vitit të kaluar, adoptoi një qëndrim tjetër nga ai i qeverisë së mëparshme socialiste me prirje proruse. Më 11 qershor 2010, kryeministri Bojko Borisov u deklaroi 26 ambasadorëve të vendeve të BE-së, të akredituar në Sofje, se qeveria e tij kishte vendosur ngrirjen e dy projekteve të mëdha energjetike ruse në Bullgari: atë të naftësjellësit Burgas-Aleksandropullos dhe atë të centralit bërthamor në Belene.
është e kuptueshme se projekte të tilla madhore energjetike nuk janë thjesht lëndë e pastër teknike apo financiare dhe këto projekte të mëdha kanë përmbajtjen dhe dimensionin e tyre strategjik dhe politik. Bashkimi Europian e kishte shprehur hapur pakënaqësinë dhe mosaprovimin për ndërtimin e një centrali bërthamor të financuar nga Rusia, dhe natyrisht edhe me pronësi të Rusisë, në një shtet anëtar të Bashkimit Europian. Sepse do të ishte hera e parë që ndërtohet një central bërthamor nga Rusia, me para dhe me teknologji ruse, në një shtet anëtar të BE-së.
BE, që duhet të kujdeset për politikat, për strategjitë dhe për diversifikimet energjetike, dhe sidomos për implikimet gjeostrategjike të projekteve energjetike ndërkombëtare në shtetet anëtare, i rekomandoi qeverisë bullgare të Borisovit rishikimin e projekteve ruse. Si rezultat i kësaj, qeveria bullgare shpalli se nuk mund të pranojë financimin e centralit bërthamor të Belenes vetëm nga Rusia, por do të kërkonte një financues strategjik europian.
Në këto përplasje interesash strategjike, natyrisht Rusia nuk qëndroi duarkryq ndaj ngrirjes së projekteve të saj energjetike nga qeveria e Bojko Borisovit. Ajo e kërcënoi qeverinë bullgare me dy karta, së pari, që nëse Sofia nuk realizon projektin e Belenes, do të detyrohet të zhdëmtojë palën ruse me qindra milionë euro për heqjen dorë nga projekti, dhe së dyti, nëse heq dorë nga projekti i Belenes, do të përballet me përjashtimin e saj nga projekti rus i gazsjellësit “South Stream”.
Si shumica e lojërave, intrigave dhe përplasjeve gjeostrategjike, të gjitha lëvizjet dhe kundërlëvizjet energjetike në rajon janë bërë e po bëhen në prapaskenat e pallateve të pushtetit të lartë në Ballkan dhe në Rusi. Dhe befas shohim se nga Serbia ofrohet pjesëmarrja e saj në financimin e centralit super të shtrenjtë bërthamor të Belenes. Më 7 gusht, kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov njoftoi pas takimit të tij në Varna me presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, se Serbia i kishte shprehur një “po” të vendosur pjesëmarrjes së saj në projekt. Në fillim u deklarua se pjesa e Serbisë në financimin e Belenes do të jetë 5 për qind të shumës së përgjithshme, dhe që kapte një shifër prej 455 milionë euro. Por ministri serb i Energjisë, Petar Skundriç, shpejt e ngriti shumë më lart bastin energjetik të Serbisë. Ai deklaroi më 10 gusht se Serbia ka gatishmërinë ta pesëfishojë kuotën e pjesëmarrjes në financimin e centralit bërthamor të Belenes në një nivel që arrin në mbi 25 për qind të financimit të plotë. Po të kemi parasysh se kostoja e projektit të centralit bërthamor të Belenes parashikohet të shkojë deri në 10 miliardë euro, është shumë e lehtë të kuptohen arsyet pse oferta dhe gatishmëria e Serbisë për të marre pjesë me mbi 25 për qind të financimit të centralit bërthamor la shumë qarqe gojëhapur si në Serbi, ashtu dhe në Ballkan e në Europë. Sepse deri tani, asnjë qeveri e asnjë shtet i Europës Perëndimore nuk ka guxuar të shpallë një financim të tillë për Belenen. Madje, koncerni gjerman RWE u tërhoq nga projekti i Belenes para disa kohësh.
A është vërtet Serbia kaq e fuqishme dhe kaq e pasur sa që të paguajë financimin e mbi 25 për qind të një projekti gjigant me shpenzime astronomike si ai i Belenes? Dyshimet janë tepër të mëdha brenda në vetë Serbinë, ku gazeta “Blic” shkruan se “mbetet e paqarte pse Serbia duhet të marrë pjesë në projekte energjetike të një shteti tjetër, kur në 20 vjet asgjë nuk është bërë në sektorin energjetik të vendit”.
është vështirë të besohet, për më tepër jashtë Serbisë, se Serbia është vërtet partneri strategjik europian, që shpalli qeveria bullgare se është duke kërkuar, që të realizojë projektin e centralit bërthamor të Belenes, pas pezullimit që i bëri financimit të plotë rus. “është interesant, shkruante më 12 gusht “EUinside”, të kuptosh se qëllimet e Serbisë për pjesëmarrje përputhen me deklaratën e Bullgarisë për të gjetur fonde europiane për Belenen”.
Përtej retorikës glorifikuese apo gazifikuese të disa ministrive ballkanike të energjetikës, logjika nuk mund të mos shtyjë më tej, që të qëmtosh këtë dashuri të papritur dhe të shtrenjtë bërthamore të Serbisë, si dhe këtë gatishmëri për të dërguar një të katërtën e një shpenzimi prej 10 miliardë eurosh në projektin e një shteti tjetër, në këto kohëra krize dhe shtrëngimesh financiare edhe për vende të pasura europiane, pa le pastaj për shtete ballkanike si Serbia apo Maqedonia.
Ishte vërtet fat, që vetë ministri serb i energjisë, Petar Skundriç, nuk i la analistët dhe diplomatët të hamendësonin nëpër teori konspirative, por shpjegoi më 10 gusht se ku do t’i gjejë qeveria e tij paratë, ose më saktë, se të kujt janë paratë, me të cilat Serbia, në mënyrë kaq gjeneroze i del për zot projekteve bërthamore, që janë tej këllqeve financiare të në shteti ballkanik. Ministri serb specifikoi se “mundësitë e mëdha janë që Serbia të marrë kredi nga Rusia për financimin e pjesëmarrjes në Belene, sepse Rusia është jashtëzakonisht e interesuar për realizimin e projektit”. Me një fjalë, Serbia do të marrë pjesë me paratë e Rusisë, dhe kjo nuk mund të mos tingëllojë paksa e habitshme, kur Bullgaria mund t’i merrte vetë drejtpërdrejt nga Rusia ato kredi, dhe kur Bullgaria vetë i refuzoi ato kredi ruse dhe financimin e plotë rus të centralit bërthamor.
Edhe po të supozohet se Serbia do t’i kishte vetë paratë e saj, ajo nuk do të mund të klasifikohet si një investues strategjik europian, për faktin se nuk është anëtare e Bashkimit Europian, për faktin se është aleati numër një strategjik i Rusisë në Europën Juglindore dhe se zyrtarisht Rusia është një nga katër shtyllat e politikës së jashtme të Serbisë.
Kemi pra një koreografi energjetike të Rusisë në Ballkan, e cila duke hasur në refuzimin e Bullgarisë për financimin e drejtpërdrejtë rus në Belene, zgjedh aleatin e saj kryesor në rajonin e Ballkanit, Serbinë, për të transmetuar këtë financim rus. Nga kjo koreografi energjetike ruse me sa duket mbesin të kënaqur të dy palët. Edhe Rusia realizon financimin, investimin dhe kontrollin e vet mbi centralin bërthamor dhe mbi nevojat energjetike rajonale, ashtu siç ishte planifikuar, por edhe qeveria e kryeministrit Borisov del e larë përpara Bashkimit Europian dhe opinionit publik vendas, sepse ajo po i siguron financimet tani nga një shtet ballkanik si Serbia. Në fakt, po të shohësh me kujdes, konstaton se Rusia po përpiqet që ta zgjerojë listën e financuesve të centralit bërthamor me shtete ortodokse, që kanë disa lidhje partikolare me Rusinë. Stanislav Georgiev, përfaqësues i Bulatom, Shoqata Bullgare e Industrisë Atomike, deklaron se “palët e ndryshme të interesuara për financimin e Belenes si Bullgaria, Rusia, Maqedonia dhe Serbia, demonstrojnë se projekti po hyn në një fazë të re”.
Faza e re me sa duket është sifonimi i parave ruse nëpërmjet gatishmërisë investuese të shteteve të ndryshme ballkanike, për ta paraqitur projektin si një projekt ballkanik dhe europian.
Nuk dihet ende se cili është apo do të jetë reagimi i Bashkimit Europian ndaj kësaj koreografie të re energjetike ruse në Ballkan, ndaj kësaj taktike apo metode të re të linjës së tubacioneve të parasë nga Rusia nëpërmjet tubacioneve ballkanike. Një gjë bëhet çdo ditë e më e qartë se projektet, marrëveshjet, planet dhe tymnajat energjetike, qoftë për gazin, qoftë për naftën, qoftë për centralet bërthamore, kanë brenda farën e një përmbajtjeje të qartë strategjike afatgjatë, dhe se format e përplasjes së interesave gjeostrategjike të gazit dhe të energjisë po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›