E Diel, 1 Nëntor 2026

Një krizë pa rrugëdalje apo?

Në se ka diçka për të cilën qytetarët dhe politikanët shqiptarë bien të gjithë dakord, kjo është kriza e sistemit shëndetësor.Madje jo vetëm kaq.Kushdo është i bindur se kriza është e thellë dhe totale. Ajo ka mbërthyer të gjithë pjesët e sistemit– kujdesin parësor dhe atë spitalor, drejtimin dhe financimin, si dhe (çka është më e rënda) qeverisjen dhe politikëbërjen. Kjo situatë katastrofike shpjegohet së pari me vëmendjen jashtëzakonisht të paktë që i është kushtuar sistemit shëndetësor nga të gjithë qeveritë e pas viteve ’90.I vetmi mandat i plotë i konsumuar nga një ministër shëndetësie ishte mandati 1997-2001, gjatë të cilit nuk mund të ishte prioritet reforma për shkak të gjendjes afrikane ku ishte katandisur sistemi shëndetësor. Të gjithë mandatet e tjera kanë qenë gjysmake apo çerekësh, ku lëvizjet motivoheshin thjesht dhe vetëm me lojërat politike të momentit.

Rrjedhimisht, asnjë ministër nuk pati kohë të konceptonte, ndërmerrte dhe zbatonte një reformë jo më totale, por as edhe pjesore të sistemit shëndetësor.Një tjetër shkak i rëndësishëm për ngecjen e reformës është vëmendja e paktë që i është kushtuar mendimit teknik vendas dhe të huaj. Në tetëmbëdhjetë vitet e tranzicionit ekspertët e huaj kanë shkruar mijëra faqe “asistencë teknike”, një pjesë jo e vogël e së cilës e paguar nga paret e taksapaguesve.

Fatkeqësisht, shumë pak prej mendimeve, sugjerimeve dhe rekomandimeve të tyre janë ndjekur dhe akoma më pak janë zbatuar. I njëjtë ka qenë edhe fati i dokumenteve strategjikë (e thënë ndryshe “strategjitë në letër”). Fillimisht të huajt dhe, më pas, vetë specialistët shqiptarë shkruan strategji pas strategjish, kulmi i “suksesit” të të cilave ishte momenti i lançimit me kohë e bujë, për t’u lënë më pas në harresë.

Për ta përfunduar këtë pjesë të analizës, duhet theksuar se shëndetësia funksionon ende mbi bazën e ligjit të viteve ’60.Gjatë viteve të fundit janë hartuar shumë projektligje të cilat për shkak të lojërave meskine me interesa momentale janë lënë zvarrë për muaj me radhë derisa është “gjykuar me vend” rishkrimi (natyrisht duke paguar nga e para ekspertë të huaj dhe vendas).Pa ligje, pa strategji, me financime qesharake, me një mendim teknik të lënë në harresë, me politikanë të cilët në momentin kur nisin të njohin situatën, i vjen radha për të lënë karrigen, qytetarët shqiptarë nuk duhet të ankohen për mungesën e barnave, për kushtet e këqija, për ryshfetet që duhet të paguajnë; ata thjesht duhet të çuditen se si ka mundësi që ky sistem shëndetësor totalisht i amortizuar vazhdon të mbahet ende në këmbë.

Për një sistem shëndetësor mund të gjykosh deri njëfarë shkalle edhe bazuar mbi një ose disa masa të veçanta reforme. P.sh. autonomia e gjerë menaxhuese qe iu dha fillimisht qendrave shëndetësore dhe menaxhimi i spitaleve nga jo mjekët janë dy masa që tregojnë për një tendencë të sistemit shëndetësor shqiptar drejt autonomisë dhe drejtimit profesional, e përkthyer kjo në një ecje me kah pozitiv. Në mënyrë të ngjashme mund të gjykohet edhe për sisteme të tjera shëndetësore. Në Maqedoninë fqinje prej një viti ka një përpjekje serioze për të nisur pagesën e spitaleve bazuar mbi miksin e diagnozave të trajtuara, ose siç njihet në gjuhën teknike mbi grupet e lidhura me diagnozat (DRG).

Është caktuar një koordinator kombëtar për drejtimin politik të procesit, është punësuar një kompani e huaj për drejtimin teknik dhe në çdo spital janë duke u trajnuar kodues profesionistë të cilët bëjnë të mundur klasifikimin dhe paraqitjen e veprimtarisë së spitalit sipas këtij sistemi bashkëkohor. Si rezultat i drejtpërdrejtë i kësaj mase, brenda disa viteve, politikëbërësit maqedonas do të jenë në gjendje të mësojnë me saktësi se sa kushton trajtimi i një sëmundje të caktuar. Rrjedhimisht, ata do të jenë në gjendje të “shtrijnë këmbët sipas jorganit”, d.m.th. do të përcaktojnë cilat sëmundje mund të përballohen dhe trajtohen me sukses me fondet e disponueshme nga buxheti i shtetit, në cilat raste do t’i kërkohet pacientit të kontribuojë me bashkëpagesa, në cilat fusha do t’i lihet hapësirë sigurimeve shëndetësore private dhe ku do të lihet gjithçka në dorë të tregut të lirë.

Nga ana tjetër spitalet, të cilët prej disa viteve drejtohen nga dy bashkëdrejtorë me kompetenca ekuivalente (mjek dhe menaxher), do të përfitojnë transparencë maksimale sepse do të paguhen pikërisht për volumin e punës së kryer.Në nivelin e spitalit, kjo kontribuon në përmirësimin e cilësisë së shërbimit për pacientët në gjithë aspektet dhe drejtimet e punës që përmbledh ky term. Kosova padyshim është më e varfër dhe mundësitë për reforma atje kushtëzohen së tepërmi nga buxheti i pamjaftueshëm që disponohet. Në këto kushte autoritetet kosovare kanë lëvizur me shumë zgjuarsi në një drejtim tjetër bashkëkohor të reformës – promovimin e partneriteteve publike-private (të njohura ndryshe edhe si PPP-të). Natyrisht, kjo nuk është një shpikje kosovare. Në pjesën më të madhe të vendeve të zhvilluara, sistemi shëndetësor funksionon tashmë si një PPP gjigante. Shteti ndërgjegjësohet për pamundësinë e përballimit të kostove në rritje të sistemit shëndetësor dhe hap dyert e institucioneve publike për financime private me një interes reciprok – arritjen e fitimeve personale (kërkesë kjo e çdo biznesi) dhe plotësimin e objektivave qeveritare (duke vënë kushte të caktuara sociale për funksionimin në mjedise publike). Shembujt e PPP-ve janë të shumtë duke filluar nga dhënia me qira e mjediseve deri tek transferimi i menaxhimit të komplekseve spitalore drejt kompanive të specializuara.

Kur sistemi i PPP-ve të nisë nga funksionimi në Kosovë, shteti kosovar nuk do të ketë nevojë të investojë miliona dollarë për blerjen e pajisjeve diagnostike moderne, por do t’i japë të drejtën një kompanie private për t’i blerë dhe instaluar ato në mjediset e Qendrës Klinike Universitare. Natyrisht kundrejt detyrimit kontraktual që kategori të caktuara të përfitojnë falas nga shërbimi dhe kategori të tjera të përfitojnë nga çmime të subvencionuara. Ndërkaq kostot e investimit, mirëmbajtjes dhe amortizimit janë “kokëçarje” për privatin. Duke zgjedhur sistemin e PPP-ve, shteti kosovar ndërmori ndoshta të vetmen masë që do t’i mundësojë plotësimin e nevojave të qytetarëve në një kohë relativisht të shkurtër, përndryshe qytetarët do të prisnin vite të tëra për të përfituar nga shërbime të caktuara diagnostike dhe kuruese.

Edhe kur situatat duken të pashpresa, përsëri ka zgjidhje; madje shpesh zgjidhet janë të shumta dhe të larmishme. Një nga aksiomat e përmirësimit të cilësisë thekson se, për të përmirësuar cilësinë, jo domosdoshmërish duhen shtuar burimet, mjafton të shqyrtohen me kujdes proceset dhe të ndryshohet mënyra e operimit.

I vetmi parakusht pa të cilin nuk mund të ecet në rrugën e reformës është që drejtuesit dhe politikëbërësit të nisen nga dëshira e mirë për të sjellë ndryshimin aq të nevojshëm dhe aq të kërkuar në gjithë këto vite tranzicioni.Nëse gjithçka do të nisë nga synimi për t’u dhënë shqiptarëve një shëndet më të mirë, zgjidhjet teknike dhe politike ekzistojnë.

*Autori është mjek

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›