Kapet me drogë shoferi i ambasadës
TIRANË- Ambasadori i Shqipërisë në Romë, Llesh Kola, i gjendur me pushime verore, tregoi gjatë një komunikimi me telefon për “Shekulli”-n detaje të arrestimit të shoferit të kësaj ambasade Arsen Selmanllari me një kilogram kokainë në makinën me targa diplomatike. Sipas ambasadorit Kola, arrestimi i shoferit Selmanllari që punonte prej dy vitesh në përfaqësinë diplomatike shqiptare në Romë, e dëmton imazhin e shtetit shqiptar. Ai, gjatë fjalës së tij, sqaroi se ka qenë Ambasada dhe qeveria shqiptare që ka lejuar policinë italiane të kontrollojë makinën diplomatike, pasi kishte informacion se aty transportohej lëndë narkotike. “Arrestimi i tij, absolutisht e ka dëmtuar imazhin e Ambasadës shqiptare në Romë, pasi ky është një veprim kriminal që ia kemi lënë drejtësisë në dorë për ta zbardhur”,-tha Ambasadori Kola. Gjithashtu, në komunikimin disa minutash, diplomati shqiptar pohoi se Selmanllari njihej si djalë punëtor dhe i pa proceduar penalisht më parë. “Tashmë ia kemi lënë në dorë drejtësisë italiane, për zbardhjen e pozicionit dhe veprimtarisë që kryente Selmanllari këtu në Itali”-tha Kola.
Z. Kola, A mund të na thoni diçka më tepër rreth arrestimit të shoferit të Ambasadës në Romë?
Unë jam me pushime dhe do të ketë një komunikim të ministrisë në Tiranë për këtë çështje ….
Nuk keni dijeni për arrestimin e shtetasit shqiptar Arsen Selmanllari me një kg kokainë në makinën e ambasadës?
Shiko, unë edhe pse jam me pushime jam në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Jashtme shqiptare dhe qeverinë italiane. Jam në dijeni të arrestimit të tij dhe ia kemi lënë në dorë drejtësisë vendase për zbardhjen e kësaj çështjeje
Kush ju ka njoftuar për arrestimin e shoferit të Ambasadës suaj?
Unë mbaj kontakte të vazhdueshme me qeverinë italiane, kështu që kanë qenë institucionet e shtetit italian ata që më kanë njoftuar për dyshimet dhe informacionet që kishin.
Pra keni qenë ju ai që i keni dhënë dritën jeshile policisë italiane të kontrollojë makinën dhe Selmanllarin , pasi dihet që ai kishte mbrojtje diplomatike?
Ka qenë Ministria e Jashtme e Shqipërisë dhe qeveria shqiptare ajo që ka lejuar policinë italiane të kontrollojë punonjësin e përfaqësisë diplomatike në Romë ku dhe ka rezultuar gjetja e kësaj lënde narkotike.
Z. Kola, Arsen Selmanllari ka qenë shoferi juaj personal në Romë?
Jo, ai nuk ka qenë shoferi im personal, por shofer pranë institucionit që unë drejtoj.
Prej sa kohe punonte Arsen Selmanllari pranë Ambasadës shqiptare në Romë?
Ka dy vjet që ka filluar punë këtu.
Gjatë punës së tij në Ambasadë, juve apo vartësve të tjerë i kanë lindur ndonjëherë dyshime se Selmanllari merrej me punë jo të ligjshme duke shfrytëzuar makinat apo dokumentet diplomatike, dhe si e njihnit ju shoferin?
Ll.Kola: Ne si staf i Ambasadës nuk kemi pasur ndonjëherë dyshime ndaj tij, pasi ai njihej si djalë punëtor. Por, nuk mund të flas për të kaluarën e tij civile apo penale, pasi nuk kam informacion. Kam mësuar se ai nuk ka qenë ndonjëherë i ndjekur penalisht apo i dënuar për ndonjë vepër penale.
Z.Ambasador, po vajza që është arrestuar bashkë me të, edhe ajo është punonjëse e Ambasadës?
Shiko, ju po më bëni intervistë apo po pyesni për hetimet e çështjes. Atë, se kush është dhe çfarë bën ia kemi lënë thashë edhe njëherë drejtësisë italiane.
E dëmton imazhin e Shqipërisë, ky arrestim për trafik i një punonjësi të një prej përfaqësive tona më të rëndësishme?
Absolutisht po, është një veprim që duhet dënuar dhe që ka dëmtuar imazhin e vendit tonë. Por, ne dhe qeveria shqiptare jemi të vendosur që çdo person qoftë punonjës ambasade apo jo, që është i përfshirë në kryerjen e veprave të ndryshme penale ta marrë dënimin e merituar.
------------------------------------------Arsen Selmanllari u arrestua në Milano pasi në makinën me targa diplomatike iu gjet 1 kg drogë
Kapet me 1 kg kokainë shoferi i Ambasadës shqiptare në Romë
MILANO- Arrestohet nga policiaitaliane shoferi i Ambasadës shqiptare në Romë, Arsen Selmanllari me një kg kokainë të fshehur në kroskotin e makinës me targa diplomatike. Sipas burimeve zyrtare të anti-mafies rajonale në qytetin e Milanos, shqiptari Selmanllari edhe pse ishte me dokumente dhe makinë me targa diplomatike, u kontrollua nga policia italiane pasi kishte informacione dhe dyshime të sigurta se ai po transportonte drogë për llogari të një rrjeti trafikantësh. Mësohet gjithashtu, se bashkë me shoferin e Ambasadës është arrestuar edhe një femër, që mendohet se është e dashura e Selmanllarit. “Arrestimet e dy shtetasve shqiptarë janë kryer gjatë një kontrolli policor në autostradë në dalje të Milanos. Policia i është afruar çiftit shumë qetësisht pasi kishin parkuar në një vend të gabuar, por pyetjeve të tyre shoferi i është përgjigjur në mënyrë nervoze. Pas këtij reagimi, policia ka kërkuar që Selmanllari të hapte kroskotin e makinës, ku pas një kontrolli të vogël aty u gjet droga e paketuar në dy pako 500 gramshe, që mendohet se është kokainë”,-thanë burimet e policisë së Milanos. Gjithashtu, mësohet se kontrolli ndaj makinës me targa diplomatike nuk është bërë, deri në momentin që policia italiane ka marrë dritën jeshile nga Ambasada Shqiptare në Romë. Kontroll ky që ka çuar në gjetjen e njëçante sportive brenda së cilës ishin dy pako 500 gramshe me kokainë. “Gjatë ndalimit dhe lejes për t’i kontrolluar në makinë, shoferi Arsen Selmanllari ka replikuar me oficerët e policisë duke u treguar atyre dokumentin e lëshuar nga Ministria e Jashtme Italiane, që e ndalon policinë të kontrollojëpersonat me imunitet diplomatik. Gjithashtu, Selmanllari i ka treguar efektivëve të policisë edhe pasaportën diplomatike të shtetit shqiptar të lëshuar nga Ministria e Jashtme me emërtimin si përfaqësues diplomatik. Por, në bazë të informacioneve që kishte policia senë makinën e tyre kishte drogë, ajo vendosi menjëherë kontaktet me ambasadën shqiptare e cila nga ana e saj në atë moment i hoqi mbrojtjen diplomatike Selmanllarit. ”-thuhet në deklaratën e zyrës së anti-mafias rajonale në Milano. Pas heqjes së mbrojtjes diplomatike dhe gjetjes së drogës, policëtitalianë kanë prangosur në vend Arsen Selmanllarin dhe të dashurën e tij rumune. Sipas grupit hetimor të krimit të organizuar të Guardia di Financias së Milanos 33 vjeçari Selmanllari dyshohet se kryente transportimin e drogës për llogari të një grupi trafikantësh, që mbetet të zbardhet në ditët në vazhdim.
----------------------------------------------Shoferi i ambasadës ditën e arrestimit e ka marrë makinën pa lajmëruar personelin
Selmanllari: Nuk dija gjë për drogen në makinë
MILANO- Gjyqtari hetimor pranë Gjykatës së Milanos, me kërkesë të drejtorit të anti-mafies rajonale Marcelo Musso, ka vendosur djemasën e sigurisë “arrest me burg” për ish-shoferine Ambasadës shqiptare në Romë Arsen Selmanllari. Sipas agjencive të lajmeve të shtetit fqinjë, Selmanllari, 33 vjeç, gjatë ditës së djeshme ka dalë bashkë me të dashurën e tij, njërumune 34- vjeçare para gjyqtarit hetimor të Gjykatës së Milanos, ku ka mohuar që kishte dijeni për sasinë e drogës që ndodhej në kroskotin e makinës së tij me targa diplomatike. Gjatë fjalës së tij, 33- vjeçari Selmanllari ka kërkuar nga gjyqtari që e fejuara e tij, emrii të cilës nuk bëhet i ditur por që thuhej se punonte në një bar në Romë, të lihet e lirë pasi edhe ajo nuk kishte asnjë dijeni për atë që mund të ndodhej në makinën të cilën ai e drejtonte. Por, gjyqtari hetimor përkundër pretendimeve të “çiftit diplomatik” ka vendosur të pranojë kërkesën e drejtorit të anti-mafies rajonale të Milanos qëtë dy të rinjtë të qëndrojnë në qeli me masën e sigurisë “arrest me burg”. Ndërkohë, në një komunikim me mediat, zyra për shtyp pranë Ministrisë së Jashtme shqiptare ka deklaruar shkarkimin nga detyra dhe heqjen e të gjitha privilegjeve që gëzonte Arsen Selmanllari nën statusin e punonjësit të ambasadës shqiptare në Romë, duke njoftuar gjithashtu edhe për një kallëzim penal drejtuar atij në prokurorinë e Tiranës. Arrestimi i Selmanllarit u bë një ditë më parë në një autostradë në të dalë të Milanos, gjatë një kontrolli rutinë policor. Pas shqyrtimit të kësaj seance, gjyqtari vendosi që seanca e radhës të mbahet me datën 2 shtator.
-------------------------------------------Shoferi në Milano pa dijeninë e ambasadës "Shoferi Arsen Selmanllari ka dalë pa lejën e autoriteteve të ambasadës shqiptare në Romë”. Të patën kështu ka deklaruar për autoritetet italiane, ambasadori shqiptar Llesh Kola pas skandalit të ndodhur dy ditë më parë në qytetin e Milanos në Itali. Pas arrestimit me 1 kilogram kokaninë të shoferit Arsen Selmanllari, ambasadori shqiptar ka kërkuar menjëherë heqjen e imunitetit diplomatik të shoferit. Po kështu ambasadori Llesh Kola ka pohuar për autoritetet italine se nuk ka pasur dijeni për lëvizjet e Arsenit në qytetin e Milonos. Po e njëjta masë është dhënë edhe për vajzën e cila është arrestuar bashkë me shoferin e ambasadës shqiptare. Burime të sigurta bëjnë të ditur se vajza ka nënshtetësi rumune dhe prej disa vitesh është rezidente në Itali. Po sipas këtyre burimeve bëhet e ditur se vajza, identiteti i të cilës nuk bëhet i ditur, punonte në një bar-kafe, ndërkohë që Arsen Selimllari e ka prezantuar si të dashurën e tij. Në seansën e parë, Selmanllari ka kërkuar që vjaza të lihet e lirë, pasi sipas tij ajo nuk ka patur dijeni për sasinë e kokainë së ndodhur nëmakinë.Ndërkohë që në Shqipëri Arseni rezulton të jetë banor i kryeqytetit dhe që prej 2 vjetësh kryen detyrën e shoferit në Ambasadën Shqiptare në Romë.Sipas mediave italiane, 33- vjeçari Arsen Selmanllari ështëarrestuar dy ditë më parë pasigjatë një kontrolli të ushtruar në makinën e tij është gjëndur një sasi prej një kilogramësh kokaine. Mediat bëjnë të ditur se sasia e lëndës narkotike ndodhej në kroskotin e makinës dhe se poseduesi i saj nuk kishte bërë as kujdesin më të vogël për të fshehur sasinë e konsiderueshme të kokainës. Duket se targat e makinës dhe imuniteti i trupit diplomatik ka qënë një mburojë e fortë për shoferin për trafikimin e lëndëve narkotike. Ndërkohë që burimet e policisë shqiptare bëjnë të ditur se kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes edhe në Shqipëri. Sipas të njëjtave burime, po punohet për të zbuluar lidhjet e mundshme që Arsen Selmanllari mund të ketë në Shqipëri.