PS: Kod te ri per zgjedhjet
Partia Socialiste, nëpërmjet përfaqësuesve të saj në nivel politik e teknik është duke kontribuar për të realizuar një reformë rrënjësore të sistemit zgjedhor, në funksion të interesave kombëtare. Përfaqësuesi i kësaj partie, Fatmir Xhafaj tha se: “Këtë reformë ne duam ta çojmë deri në fund, pa deformime, në një bashkëpunim me të gjitha forcat politike.
“Ne kërkojmë që muaji shtator, të jetë muaji që do të miratojë përfundimisht kodin e ri zgjedhoir të Shqipërisë. Ky përbën objektin tonë kryesor politik për sesionin e ri parlamentar. Ne e kemi deklaruar dhe e rikonfirmojmë se nuk ka dhe nuk mund të ketë objektiv tjetër kryesor politik për ne përpara kodit, për shkak se ai është ligji bazë që përcakton rregulltat e garës së ardhshme elektorale, e cila është e afërt dhe së dyti, për faktin se mos miratimi në kohë, krijon probleme për proçesin e ardhshëm elektoral.”- tha Xhafaj.
Fjala e sotme e Xhafaj lidhur me kodin e ri zgjedhor
Tashmë ne kemi fiksuar në kushtetutë, periudhën zgjedhore dhe në amendamentet që tashmë kemi miratuar në komisionin e posaçëm parlamentar, kemi përcaktuar gjithashtu edhe periudhat konkrete, çka për rrjedhojë rezulton edhe periudha zgjedhore, që i përket zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Mbeten rreth 10 muaj nga shtatori, çka bën të konsiderueshme disa afate përgatitore të procesit, ndaj të gjitha këto në tërësi, e bëjnë prioritetin e prioriteteve miratimin e kodit të ri zgjedhor në muajin shtator, me fillimin e sesionit parlamentar. Ne nuk synojmë miratimin e kodit në vetvete, por para së gjithash një ligj cilësor që përmbush më së miri zbatimin e normave kushtetuese, respektimin e standardeve dhe rekomandimeve të dhëna nga OSBE/ODHIR në këtë fushë dhe natyrisht merr në konsideratë edhe infrastrukturën politike e zgjedhore të vendit”.
Me PSD kemi për një sërë çështjesh pika vlerësimi të përbashkëta dhe në ditët në vijim do të shohim mundësinë e konkretizimit të tyre të metejshëm, duke qënë të hapur për të vazhduar dialogun edhe për çështjet e ngritura nga z. Gjinushi në këtë takim, për një pjesë të të cilave kemi rënë dakort që të disktojmë rreth opsioneve që ata do të na paraqesin në takimin e ardhshëm.
Me PDS ka pasur një komunikim të znj. Leskaj me z. Milo, në të cilin është shprehur vullnet për dialog e mirëkuptim në këtë proçes. Ne kemi lexuar me vëmëndje edhe një letër të z. Milo drejtuar z. Rama, lidhur me mundësitë e bashkëpunimit në proçesin zgjedhor dhe kemi vlerësuar me interes disa ide të trajtuara në të lidhur me administrimin e proçesit zgjedhor dhe sigurinë e votës. Është rënë dakort që në ditët në vijim të mundësohet një takim i drejtëpërdrejtë i përfaqësuesve të dy partive.
Jemi shumë të çuditur nga reagimet e z. Ilir Meta pas takimit me z. Xhufi, Kryetar i Grupit Parlamentar të kësaj force politike. Me z. Xhufi patëm një komunikim politik shumë normal. Në reagim të kërkesës së tyre ne ju parashtruam disa nga konceptet tona kryesore lidhur me Kodin e ri Zgjedhor, si psh lidhur me koalicionet, administrimi i proçesit zgjedhor, etj. Na u kërkua dhënia e kohës dhe mundësisë për konsultime në nivel politik e teknik, për të qënë përgjigja e tyre pjesë e takimit tonë të ardhshëm.
Në kundërshtim me çdo lloj norme etike dialogu politik përgjigja erdhi nëpërmjet medias nga z.Meta dhe jo nga personat e mandatuar prej tij për konsultime politike dhe aspak në formën e vendosur për dialog politik ndërmjet palëve.
Ndërkohë që edhe argumentat e z.Meta për çështjet e trajtuara ishin më shume pretekste për të justifikuar një vendim politik të marrë prej tij, se sa argumenta parimore e profesionale në funksion të dialogut të hapur.
Ndërsa që publiku dhe veçanërisht opozita vlerëson faktin e vendosjes së këtij dialogu politik, z.Meta nxitoj që publikisht të shpallte kundërshtimin e tij dhe faktin që ai nuk do të ishte pjesë e koalicionit me PS dhe partitë e tjera të opozitës. Ky ishte mesazhi që priste të dëgjonte z.Berisha.
Pyetje: Zoti Xhafaj, duke qënë të hapur për dialog, a pranoni të toleroni në një nga pikat më të kundërshtuara të LSI, që janë koalicionet e përbëra dhe administrimi i zgjedhjeve?
Përgjigje: I qëndroj vlerësimit sa më lartë. Ajo çfarë u tha, nuk ishte propozim apo një variant I mbështetur në një gjykim të ngritur mbi argumenta ligjore e professionale. Ishte një gjykim dhe vlerësim personal politik, i përdorur si pretekst për justifikimin e një vendimi të paramarë lidhur me koalicionet e ardhshme elektorale. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë për çështje që kanë të bëjnë me kodin, me të gjitha forcat dhe natyrisht, me partitë e opozitës. E kemi sqaruar se ne mbështetim modelin e kualicionit të përbërë i njohur tashmë si model subjekti elektoral, i aplikueshëm edhe në shumë vende të tjera, ku aplikohet sistemi proporcional. Koalicioni i përbërë është fundi i pazareve paralektorale dhe vendosja e vullnetit të elektoratit në qëndrën e gravitetit zgjedhor. Ne kemi thënë se në vlerësimin tonë me këtë koalicion çdo parti merr vetëm atë që i japin votuesit dhe votuesit janë shumë më përcaktues se sa përpara. Eshtë një mënyrë që lejon atë model koalicioni npërmjet të cilit bëjnë që populli votues të zgjedhë alternativën : mes të majtës e të djathtës, progresives dhe regresives, të ardhmes apo të shkuarës, politikës së re dhe politikës së vjetër. Më tej gjitashtu edhe brenda vetë alternativës votuesit i mundësohet të zgjedhë atë subject zgjedhor që i duket më e përshtatshme për arsye të caktuara. Pra, kjo formë koalicioni mundëson edhe një konkurrencë të ndershme midis palëve, por edhe një konkurim e vlerësim të ndershëm mes aleatëve, për sa pretendon se peshon seicili.
Në rastin e koalicionit të përbërë, votuesit, krahas koalicionit, zgjedhin edhe partinë, në momentin e votimit. Votimi është i thjeshtë fare. Opsioni që ne sugjerojmë është:
Në fletën e votimit është shënuar koalicioni përkatës psh koalicioni A dhe brenda saj janë shënuar të gjitha partitë anëtare të këtij koalicioni me kutitë përkatëse përbri. Zgjedhësi në kutinë e votimi vendos shenjën te njëra nga këto parti anëtare të koalicionit. Duke bërë këtë zgjedhje, ai ka votuar automatikisht për partinë që dëshëron, por edhe për koalicion pjesë e së cilës është kjo parti. Duke bërë këtë veprim, vota e zgjedhësit është përcaktuar njëherësh për partinë, por edhe për koalicionin. Kjo bën të mundur që të maksimizohet vota e grupimeve politike, në mënyrë që asnjë votë të mos shkoj dëm nga preferencat e votuesit, por nga ana tjetër, bën të mundur që çdo parti të ruaj individualitetin e saj dhe natyrisht pesha e çdo partie brenda një grupimi të caktuar të jetë e vlerësueshme dhe e matshme nga votuesit. Kjo është ajo për të cilën është folur nga ana jonë. Kështu eliminohet një dushk i ri ligjor në kushtet e sistemit të ri zgjedhor.
Për sa i takon administrimit, nuk do të hyjë në detaje në detyrim të etikës së negociimit në komision, por ne kemi dhënë disa opsione që kanë të bëjnë me përmirësimin konceptual të administrimit të proçesit zgjedhor në Shqipëri. Ne mendojmë se administrata zgjedhore duhet t'u kushtojë shumë pak shqiptarëve dhe t'u ofrojë një shërbim shumë më cilësor ditën e zgjedhjeve dhe në periudhën paszgjedhore. Kapitulli i shëmtuar i pazareve me votat e qytetarëve në komisionet e votimit e të numerimit, duhet të mbyllet njëherë e mirë. Partitë duhet të tregojnë vullnet të plotë për këtë. Partia Socialiste synon futjen e qytetarëve të autorizuar nga ligji dhe jo nga partitë në numërimin e votave. Ne kemi propozime konkrete për këtë.
Partitë dhe vet maxhoranca duhet të heqë dorë nga kontrolli mbi KQZ dhe vetë KQZ në kuadrin e ndryshimeve të fundit kushtetuese, duhet të marrë një rol tërësisht administrativ.
Në vlerësimin tonë kontrolli ligjor mbi proçesin duhet t’i mbetet tërësisht arbitrit të paanshëm, gjyqësorit. E ritheksoj, se kontrolli ligjor duhet t’i mbetet tërësisht gjyqësorit, në numërim, në gjykim në shkallë të parë dhe të dytë. Ky është opsioni më i mirë sipas nesh, edhe pse jemi të hapur për të dëgjuar opsionet e palëve të tjera të përfshira në këtë proçes, dhe siç kemi bërë këto ditë, të dëgjojmë edhe partitë e tjera opozitare. Çdo paragjykim e etiketim me terma jo etike ndaj opsioneve tona nuk është qëndrim etik, professional dhe luajal.
Pyetje: Burime nga maxhoranca, janë cituar për zgjedhjet që mund të zhvillohen më 28 qershor. A është korrekte kjo, duke qënë se datën e përcakton presidenti dhe a jeni ju për votimin për karta identiteti për aq sa do të bëhen dhe pasaporta. A do të lëshoni pe në këtë pikë?
Përgjigje: Nuk bëj debat për kronikën, sepse është e drejtë e gazetarit dhe skam asnjë koment për këtë fakt.Përkundrazi. Nga ana tjetër, burimi i cituar ka dashur të rikujtoj injorancën e kryeministrit të shprehur edhe në konferecën e tij të shtypit të këtij muaji. Pse? Së pari, me ndryshimet kushtetuese, kemi përcaktuar qartë se kur është periudha zgjedhore. Këtë e ka përcaktuar neni 65, pika 2 e amandamenteve të reja, ku thuhet, se zgjedhjet zhvillohen në periudhën më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të kuvendit. Periudha zgjedhore, sipas kushtetutës, përcaktohet në ligjin për zgjedhjet. Në mbledhjen e dytë të komisionit të posaçëm parlamentar, ne kemi bërë përcaktimin e periudhave zgjedhore. Në rastin konkret periudha zgjedhore është mars-qershori, periudha pararendëse, sepse kuvendit aktual i mbaron mandati më 3 shtator. Pra periudha zgjedhore pararendëse për zgjedhjet e ardhshme është 15 mars - 30 qershor. Data është kompetencë e Presidentit të Republikës. Kjo është e përcaktuar edhe në ndryshimet e reja kushtetuese si dhe me rregullimin ligjor që kemi kaluar në komisionin parlamentar.
Për sa i takon lajmit lidhur me kartat e identitetit, burimi që duket se është nga maxhoranca, do t’ju kujtoj shqiptarëve se ky kryeministër nuk do t’i mbaj premtimet e angazhimet e marra zyrtarisht. Ky kryeministër ka deklaruar që zgjedhjet do të bëhën me kartat e reja të identitetit. Këtë jua ka deklaruar shqiptarëve, parlamentit dhe partnerëve ndërkombëtar dhe për këtë ju jeni dëshmitar në daljet e fundit të kryeministrit me çertifikatën e radhës ku ai e rikonfirmoj se e njeh këtë detyrim edhe përpara përfaqësuesve të BE dhe OSBE duke theksuar faktin se kartat e identitetit do të jenë identifikimi kryesor i zgjedhësve në zgjedhjet e ardhshme. Nëse maxhoranca ka kuptuar se nuk e mban dot këtë angazhim dhe ka filluar të nxjerrë burime të panjohura, kjo është çështje tjetër. I takon kryeministrit të deklarojë se nuk është në gjendje të bëj kartat dhe më pas flasim, por pasi të jetë bërë ky përgënjeshtrim publik nga kryeministri.