E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një kronikë mesjetare si imazh skenik

Erlind Zeraliu

Valeria Dedaj

Prej pak ditësh në Teatrin e Operës dhe Baletit kanë nisur provat për operën Skënderbeu e kompozitorit Prenk Jakova. E gjithë puna po merr formë në duart e atij që i është besuar regjia. Carlo Saletti vjen për të disatën herë nga Italia për të bashkëpunuar me projekte të Operës. Regjia dhe ndonjë element tjetër, si për shembull, vokali për rolin e Skënderbeut i Roy Stevens që vjen nga ShBA, janë të vetmit elemente jo shqiptare në operë.

Saletti-t i duhet të dirigjojë kompozimin e 200 figurave në skenë, vendin, lëvizjen, hyrjen në aksion të solistëve po edhe të korit, apo qoftë edhe kalimin e figurantëve të shumtë. Marrim me mend se qeverisja e skenave masive, lidhja e tyre në një ngjarje kronikale të vitit 1443-1444, duhet të jetë më e vështira për Saletti-n sesa ndërtimi i një kronike për heroin, Skënderbeun. Shkurt të sjellësh imazhin skenik të kronikës mesjetare.

Libreti i Llazar Siliqit njeh 25 personazhe, dhe po kaq do të jenë këngëtarë solistë. Pjesa tjetër, janë popull, fshatarësi, luftëtarë malësorë, ushtarë turq. Ngjarjet zhvillohen në tetë muaj: fillon me mbërritjen e Skënderbeut më 1443 në Arbëri, me çlirimin e Krujës dhe mbyllet më 1444 me betejën e Torviollit.

Saletti do të ishte i kënaqur nëse ata që janë personazhe në mesin e këtij deti figurash, krahas realizimit vokal të rolit, të evidentohen nëpërmjet interpretimit aktorial. Dhe në dy aktet e veprës ata kanë rastin ta shprehin këtë individualitet në plot 39 arie. Problemi për pjesën teatrale qëndron te mënyra se si realizohet shkrirja e personazhit me rolin, thotë Saletti. Dikur, kur aktori ngjitej, në skenë duhej që të shikonte regjisorin gjatë gjithë kohës që interpretonte arien, apo gjatë gjithë operës, ndërsa sot kjo histori duhet ti tregohet publikut.

Ka disa muaj që Saletti-t i është propozuar projekti. Me ndihmën e bashkëpunëtores shqiptare Ada Gurra që ka studiuar regji për opera në Itali, Saletti ka përvetësuar tekstin në shqip dhe është njohur me atë pjesë të historisë që trajtojnë Siliqi-Jakova. Carlo Saletti ka një përvojë disavjeçare kryesisht si asistent regjisor në produksione operistike të teatrove të Veronës dhe Triestes. Puna me skenat masive në operën italiane, nuk janë një gjë e re për të.

Regjisori garanton që elementet e simboleve kombëtare në skena dhe kostume, që kanë për autorë Platon Bardhin dhe Edlira Qyshkën, natyrisht që do të kenë vend, por kur flasim për një kronikë mesjetare, nuk ka si të mungojë kështjella, ikona e saj e hirtë, me muret e lartë dhe flamujt në bedena, as artileria e rëndë apo elemente të tjerë që në këtë moment akoma nuk mund të quhen të përcaktuar përfundimisht sepse ka edhe disa ditë punë deri në premierë. Ka vetëm një moment qetësie dhe paqeje në krye të aktit të dytë që fillon me arien e grave, bashkëbisedimi i Donikës me Mamicën, ndërsa e gjithë pjesa tjetër është një atmosferë beteje.

Edhe roli i korit nuk mund të shihet si brenda një kuadrati të ngrirë. Regjisori thotë se shpesh koristët mendojnë që roli i tyre si këngëtarë është i pandryshueshëm dhe kjo e bën pak të vështirë përshtatjen e tyre me të qenët aktor dhe këngëtar njëkohësisht… Vështirësia ime është që ti jap vendin e duhur secilit personazh, pasi dhe ai që ka rolin më të vogël, përderisa del në skenë është i rëndësishëm, thotë regjisori Carlo Saletti.

Ekziston ky shqetësim për tenorin amerikan Roy Stevens, meqë ai do të këndojë shqip për herë të parë në jetë? E për më tepër kur në rolin e udhëheqësit, i duhet të shfaqet krejt i sigurtë në ato që thotë, me shpatën në dorë i hipur mbi kalë?

Tenorit tonë ia do puna të këndojë në shumë gjuhë dhe mendoj se do ta realizojë shumë mirë këtë rol. Ai duhet të jetë dhe strateg dhe një figurë që i drejtohet popullit të tij si një hero kombëtar. Gjatë provave është parë se interpretimi i tij qëndron shumë mirë, komenton Saletti. Ka megjithatë një shqetësim të cilin mund ta ndjejë publiku shqiptar në figurën e Stevens-it: tani për tani le ta quajmë diçka të ndryshme nga ajo çka është mësuar të kapë veshi i spektatorit tonë kur dëgjon një këngëtar të operës në shqip apo në italisht.

Përndryshe, operës Skënderbeu, gjithnjë sipas Salettit-it, mbetet ti gjykohet rezultati përfundimtar që do të ketë në skenë gjatë gjithë javës së ardhshme, prej 18 qershorit.

Mua smë ka hije kurora martesore

Është një varg që del nga goja e Gjergj Kastriotit në momentin më intim të operës.

Figura e Skënderbeut vjen jo vetëm si strateg, luftëtar dhe hero kombëtar, por dhe si një figurë njerëzore që dashuron dhe dashurohet, pavarësisht se kjo anë tregohet në një pjesë fare të shkurtër. Sepse ai duhet të jetë i përqendruar tek çlirimi i vendit. Është përshkrimi që tenori Erlind Zeraliu i bën personazhit të tij.

Pas një pune dymujore për rolin, Zeraliu ngjitet në skenë me kastën e dytë të solistëve të operës së Jakovës. Nisur edhe nga ky përshkrim i tenorit, personazhi duket brenda skemës që është përdorur gjerësisht në arte: kinema, dokumentarë, arte pamore, romane historikë.

Pjesa më e vështirë është aria e parë, momenti kur Skënderbeu përgatitet për luftë, pasi nga ana interpretimit është mjaftë e fuqishme. Ndërsa njerëzorja e tij shfaqet në një moment sentimental përballë Donikës, tregon Erlindi duke na cituar vargjet e këtij momenti:

Mua tani më duhet përkrenarja,

ti je vërtet vajzë Arbënore,

por mua smë ka hije kurora martesore.

Erlind Zeraliu është sot një nga solistët më aktivë në Teatrin e Operës dhe Baletit. Ai ka kryer studimet në Degën e Kantos në Akademinë e Arteve në vitin 2004. Ka realizuar disa role kryesore në operat Vejusha Gazmore, Një jetë me stuhi, Lakuriqi i Natës, Kaspar Hauser etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›