E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një kryetar për Partinë Demokratike

Periudha e saponisur postzgjedhore e tranzicionit të pushtetit nga të djathtët tek të majtët, duket se e ezauroi shumë shpejt rezultatin spektakolar që arriti koalicioni i majtë më 23 qershor me 84 mandate në parlamentin e ri. Rezultati ishte befasues për vetë sistemin zgjedhor, që për herë të dytë parallogariste një rezultat të ngushtë mes fituesit e humbësit, pa peshë për partitë e vogla. Pikërisht këto të fundit, e sidomos fenomeni LSI me një rezultat të katërfishuar në këto zgjedhje, dëshmuan se strategjitë elektorale mund të kapërcejnë edhe sistemet më defavorizuese zgjedhore. Për nga rezultati partiak, LSI rezultoi fituesja reale e këtyre zgjedhjeve, që betonoi qartësisht peshën e kësaj partie në skakierën politike, si përcaktuese për herë të tretë radhazi e koalicionit fitimtar. 
Ajo që bie në sy është se më shumë se për pritshmëritë ndaj fituesit, flitet për zhvillimet brenda Partisë Demokratike e të ardhmes së saj. Një debat që çuditshëm ushqehet nga kundërshtarë të demokratëve, që në kushte normale, do duhej t’i gëzoheshin plotfuqisë së mandateve të marra, si garanci për të realizuar çdo pikë të programit me të cilin morën besimin e qytetarëve në 23 qershor. 
Arsyet për këtë vëmendje jo të natyrshme ndaj humbësit janë dilema që lidhen sa me të kaluarën, aq edhe me të ardhmen e skenës politike shqiptare. Pasiguri se qeverisja nuk do jetë aq e lehtë përtej shifrës së artë prej 84 mandatesh? Frikë nga Berisha opozitar, edhe në prapaskenë, pavarësisht zërit të mekur 56- mandatësh? Pasiguri ndaj raporteve të reja që do krijohen në skakierën politike, pasi kryetari i ri PD nuk do jetë thjesht figura përbashkuese e të djathtëve, por edhe interlokutori me mazhorancën e re dykrerëshe? 
Të gjitha këto pikëpyetje e të tjera, duket se e justifikojnë vëmendjen e plotë publike ndaj Partisë Demokratike që ka paralajmëruar një erë të re post-Berishë në rrugën e saj të re në opozitë. Por a do nisë një epokë e re për demokratët?
Ndjesitë e përziera për humbjen spektakolare nisën të sfumoheshin nga gjesti po aq spektakolar i marrjes së përgjegjësisë nga një person i vetëm, lideri i saj, kryeministri Berisha. Dorëheqja dhe vendimi për të milituar si një anëtar i thjeshtë, duke i hapur rrugë përzgjedhjes së pasardhësit të tij, u shoqëruan me skena përlotjesh kolektive, të papara që nga viti i largët 1984, të pandeshura as me dorëheqjen e ngjashme të liderit të socialistëve Fatos Nano në vitin 2005, e vështirë se do haseshin në rast të një humbjeje të re të liderit aktual të PS. Emocione të ngjashme, natyrisht në një nivel më modest kanë pranuar jo publikisht se kanë provuar edhe kundërshtarë të Berishës jashtë partisë së tij. 
Të para në këtë kontekst, këto zhvillime janë në fakt më interesantet e momentit, sepse lidhen me rolin e ri në opozitë të njeriut që dominoi për 23 vjet arenën politike në këtë vend, njëlloj aktiv si në pozitë e opozitë, omniprezentin Sali Berisha.
Nxitimi për të zgjedhur kryetarin e ri, duke zëvendësuar analizën e humbjes me amnistinë që prodhoi dorëheqja e Berishës, tregon se Partia Demokratike është gjendur e papërgatitur për këtë rezultat. Mpirja kolektive për shkak të humbjes është një verbëri e pajustifikuar politike, edhe në teori, për demokratët që e sollën të parët rrotacionin e sistemit politik në Shqipëri. 
Nga ana tjetër, debati për pasardhësin e Berishës po ngecet tek emri i Lulzim Bashës si i paravendosuri i tij, duke i dhënë njëkohësisht peshë dhe kosto si kandidat favorit. Është e njohur se karriera politike e Bashës, që nga fillimet si koordinator i KOP-it, disa herë ministër e kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës është e lidhur fort me mbështetjen direkte të Sali Berishës. Por nga ana tjetër, cili nga anëtarët e lidershipit të Partisë Demokratike ka qenë në pozicione partiake apo shtetërore jashtë vullnetit të Berishës? Listat e kandidatëve të 23 qershorit në 12 qarqet e vendit janë dëshmia më e freskët e traditës së pandryshueshme në këtë parti.
Berisha ka qenë sistematikisht lideri që ka drejtuar me dorë të fortë Partinë Demokratike, përtej statutit e rregullave të tij për 23 vjet, me një vendimmarrje absolutisht vertikale, ku organet e zgjedhura në qendër e bazë ishin kryesisht zbatuese të direktivave, e jo gjeneruese të mendësive të përshtatura me ndryshimet natyrale të militantëve e qytetarëve në mbarë vendin. 
Pra, Basha apo dikush tjetër, pasardhësi i Berishës i ka pothuaj zero mundësitë që t’i shpëtojë ndikimit direkt të kryetarit në ikje. Për nga statura politike, me gjithë defektet e veta, Berisha nuk ka pasur të ngjashëm në këto 23 vjet në politikën shqiptare, e jo më brenda partisë së tij. Pra mundësia e gjetjes së një figure që do gëzonte mbështetjen spontane të drejtuesve e bazës së PD është një utopi e pastër. Secili nga aspirantët publikë e jopublikë për postin e kryetarit është rritur e zhvilluar nën karizmën e Berishës. E prandaj nuk ka asgjë të keqe që kryetari në ikje të ketë të preferuarin e tij, sa kohë që nuk e shpërdoron fuqinë, duke imponuar një emër konkret. Humbja uniforme në të gjitha qarqet e vendit, duket se i zeron kontributet e kaluara të çdo pretendenti për pasardhës dhe Berisha si politikan race, i pari e kuptoi këtë. Me marrjen totale të përgjegjësisë, ai i la një peshë jo të vogël morale elitës drejtuese të Partisë Demokratike. Ky çlirim nga përgjegjësia e humbjes, në fakt është një detyrim më shumë ndaj kryetarit në detyrë. Fatura mund t’u paraqitet shumë shpejt. 
Në këto kushte zgjidhja është në dorën e vetë demokratëve: të jenë aktorë apo spektatorë në këtë proces jetik për Partinë Demokratike. Vendosja paraprake e rregullit të gjithëpërfshirjes në një garë të shëndetshme pa të humbur, do ishte hapi i parë emancipues për PD-në e re post-Berishë. Me bilancin aktual, pozicioni i kritikut që nuk vepron, apo akoma më keq, i sabotuesit, mund të rezultojë më komod, por me pasoja në kohëzgjatjen e qëndrimit në opozitë të demokratëve. Edhe sepse përveç Berishës, nuk ka mbetur asnjë figurë aktive në PD me kontribut të pandërprerë prej viteve ‘90. Shumica janë prurje të vitit 1996, rikthime apo ardhje të reja të 2005-ës. 
Pra, më shumë se “delfin” i Berishës, apo model i tij, demokratëve u duhet një figurë politike që të arrijë të rifrymëzojë anëtarësinë, se rikthimi në pushtet mund të jetë një ëndërr e afërt. Duhet një interlokutor që t’i japë fund harxhimit të energjive me luftërat e vogla brendapartiake. Duhet një interlokutor që të maksimizojë peshën e numrit modest të mandateve, duke shfrytëzuar çdo instrument parlamentar, e duke ofruar zgjidhje në interes të qytetarit. Duhet një interlokutor që fitoren e ardhshme të PD ta bazojë tek numrat brenda spektrit të natyrshëm politik, duke e bashkuar të djathtën, pa e mbajtur kokën pas. 
Natyrisht që demokratëve nuk u mungojnë kapacitetet brenda e jashtë radhëve të tyre. Çështja është se sa do përfshihen ata realisht në këtë proces? Inaktiviteti mund të sjellë skenarët e njëjtë të së kaluarës, me pritshmërinë naive se rezultati do jetë i ndryshëm.  
(e.m/GazataShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›