E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një kthim në skenën shqiptare

Ndihet tepër e emocionuar. Vizitat në Shqipëri janë të rralla për të. Njësoj të rralla janë edhe shfaqjet në skenën shqiptare. Enkelejda Shkoza, mexosopranoja e cila interpreton në skenat më të mëdha operistike botërore, kësaj here është kthyer. Ka lënë pas skenat e njohura, për të kënduar në skenën e Teatrit Kombëtar, nën dirigjimin e Jean Michel Ferran. E ftuar nga Camerata e Tiranës, 39-vjeçarja, e cila prej vitesh ka nisur një karrierë ndërkombëtare, do të interpretojë nesër në mbrëmjen gala të organizuar me rastin e Krishtlindjeve. Pas kësaj, të ardhurat e këtij koncerti do të shkojnë për fëmijët shqiptarë në nevojë, si dhe ndërtimit të "Qendrës Mjekësore Kombëtare për Fëmijë". Pas largimit nga Shqipëria, mexosopranoja Enkelejda Shkoza debutoi në Strasburg me "Stabat Mater" të Pergolesi-t dhe më pas u vendos për studime në Milano. Më 1996 fitoi në Stamboll çmimin ndërkombëtar "Leyla Gencer" dhe më pas nisi të këndonte në teatrot kryesorë të operës në Itali, me operat "Cosi fan tutte", në "Otellon" e Verdit etj. Ajo ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë me dirigjentë nga më të njohurit në botë.

Si ndiheni tani që do të interpretoni pas kaq kohësh për publikun shqiptar?

Vetëm ideja që do të vija të këndoja këtu më emocionon. Sigurisht që më ndodh edhe kur bëj koncerte jashtë, por fakti që do të jem këtu, që do të këndoj për njerëzit e mi, për publikun, tim më bën që të paraqitem sa më mirë të jetë e mundshme.

Si ju duket ky koncert dhe arsyeja për të cilën ai zhvillohet?

Ky koncert ishte për mua një shtytje e madhe. Është e padiskutueshme që ne duhet të bëhemi të ndjeshëm, të ndihmojmë sa të kemi mundësi për fëmijët në nevojë. Nga ana tjetër, cilësia e orkestrës, Camerata e Tiranës, është një siguri më tepër për mua dhe kjo nuk është pak për një këngëtare. Gjithashtu, një tjetër arsye që më shtyu mua të jem këtu, është edhe realizimi i koncertit në skenën e Teatrit Kombëtar. Unë që në moshë të vogël e kam ndjekur shumë teatrin, ndaj edhe është një nder interpretimi në skenën ku kanë shkelur e ku kanë interpretuar aktorët tanë më të mirë. Fakti që do të ngjitem në skenën e teatrit, më bën të ndihem krenare.

Ju nuk keni ardhur shpesh në Shqipëri për koncert, por a ka pasur ftesa e interesim për prezencën tuaj në skenën shqiptare?

Ftesat nuk më kanë munguar asnjëherë. Kam ndier gjithnjë mirëpritjen dhe gatishmërinë totale nga ana e institucioneve këtu në Shqipëri. Kam qenë unë që nuk kam pasur mundësi të vij e të këndoj në skenën shqiptare për arsye kalendari. Megjithatë, shpresoj që në një të nesërme të më jepet mundësia të bëj në Shqipëri diçka më komplekse, siç është një koncert në Teatrin e Operës për shembull.

Kur mendoni se do të jetë kjo e nesërme?

Nuk e di, por besoj se për këtë duhet folur seriozisht me z.Zhani Ciko, sepse nuk është një angazhim që bëhet për tri ditë. Kërkon përgatitje, kërkon kohë. Duhet që gjithçka të gërshetohet në mënyrë mundësisht perfekte për të realizuar një koncert të mirëfilltë në një skenë siç është ajo e TOB-it.

Keni interpretuar në shumë skena të mëdha. Por si ka qenë fillimi i karrierës suaj? A keni pasur vështirësi fillimisht?

Po, unë kam interpretuar pothuajse në të gjitha skenat evropiane. Kam qenë në Paris, në Vjenë, por edhe më larg akoma, në Amerikë. Mendoj se të arrish të ecësh përpara në profesion, është çështje këmbënguljeje e talenti. Megjithatë, mendoj se kam pasur fat. Unë them se fillimet në çdo fushë janë të vështira. Unë sigurisht nuk bëj përjashtim. Megjithatë mendoj se pikërisht njohuritë e marra nga shkolla shqiptare, së cilës i jam shumë mirënjohëse, më ka ndihmuar për të ecur përpara. Ne kemi marrë një përgatitje komplekse nga të gjitha anët. Më kujtohet se si në shkollë mësonim jo vetëm se si të këndonim, por edhe si të interpretonim e të kërcenim në skenë. Të gjitha këto njohuri që unë kisha, më jepnin një siguri të madhe, edhe pse nuk do të interpretoja për publikun tim, por për një tjetër, që shpesh ishte edhe më i kualifikuar.

Ju jeni mexosoprano, ndiheni e dominuar prej sopranove?

Unë them se sopranot nuk bëjnë dot pa ne. Jemi ato që kontradiktojmë, që u marrim burrat, ne jemi gjithmonë vjehrrat e këqija. Të gjitha këto role nuk mund t‘i bëjë kurrë një soprano, këto mund t‘i bëjmë vetëm ne, mexosopranot. Ne kemi plot role për fat. Ka menduar për ne Verdi, ka menduar Rossini, e shumë kompozitorë të tjerë na kanë pasur për zemër, kështu që nuk mund të ankohemi.

A keni një rol të preferuar?

Unë do të kisha shumë qejf Karmenin. Më kanë propozuar për këtë rol e shpresoj që të vijë dita të realizohet, sepse është një rol të cilin unë e dua shumë. Pastaj ka edhe shumë role të tjera që i kam qejf, por Karmenin e dua në mënyrë të veçantë.

Ka mjaft artistë shqiptarë, të cilët sikundër edhe ju janë larguar nga Opera. A ju ndodh të komunikoni me ta?

Shpeshherë takohem me ta. Takohem shpesh me tenorin Saimir Pirgu. Ai sa herë kam kënduar në Vjenë, vinte të më takonte. Unë e vlerësoj shumë, pasi është një djalë me shumë entuziazëm, një i ri gjithmonë me shumë energji. Me Inva Mulën gjithashtu jam takuar, kam kënduar bashkë me të vitin që shkoi. Jemi shoqe. Ka shumë instrumentistë e këngëtarë me të cilët ruaj lidhje. Erla Kollaku është një tjetër emër që ka sukses në skenat e huaja. Ka shumë instrumentistë me të cilët takohem gjatë punës. E po aty zbulojmë se vijmë prej të njëjtit vend, se jemi shqiptarë.

A jeni ndjerë ndonjëherë e paragjykuar për faktin e thjeshtë se jeni shqiptare?

Jo, jashtë nuk i intereson kujt kombësia, vendi nga vjen. Ti shkon bën audicione, nëse vlen, atëherë kjo ka rëndësi. Unë nuk e di se çfarë ndodh mbrapa skenave, edhe pse e di se gjithmonë ka preferenca të ndryshme. Për mua pak rëndësi ka kjo, sepse unë di të bëj atë që di të bëj, jap maksimumin tim dhe se ç‘ndodh mbrapa krahëve të mi, këtë nuk do ta di dot kurrë.

Ju keni edhe një vajzë të vogël. A ju ka mbajtur larg skenës? Keni sakrifikuar për të dhe a ka marrë ajo prej talentit tuaj?

Xhoisi po, në fillim fare më ka mbajtur disi larg skenës. Për shembull i tillë është rasti i Kanadasë, kur më ofruan për të bërë Normën. Në atë kohë nuk mund të largohesha aq gjatë. Megjithatë, kjo zgjedhje nuk më ka bërë të ndihem aspak keq, sepse fëmija im më ka pasuruar jetën, kështu që nuk e quaj aspak sakrificë. Ajo që tani ka filluar ta ndjekë rrugën time. Më dëgjon me vëmendje sa herë unë studioj dhe luaj në piano.

Çfarë mendoni për operën shqiptare? A është ajo në nivelet e skenave ku ju keni interpretuar jashtë vendit?

Kur këndon jashtë, e shikon që ka një lloj artdurimi, po e quaj kështu. E vë re këtë edhe kur interpretohet muzikë kishtare. Askush nuk pipëtin. Janë dashur shekuj në Gjermani, ose në vende të tjera evropiane, që të arrihet kjo, dhe nuk ka se si të pretendojmë të kemi të njëjtin nivel. Mendoj se ne duhet të nisim një herë duke ngjitur në skenë vepra më popullore, më të dëgjuara, në mënyrë që fillimisht të nisim të krijojmë një shije te publiku e më pas, dalëngadalë, të nisim edhe me të tjera vepra. Mendoj se është një proces që duhet të bëjë të vetin, por gradualisht. Nëse do të propozohen vepra të bukura, jo shumë të vështira sigurisht, atëherë do të nisë një traditë e mirë edhe në operën tonë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›