E Shtunë, 31 Tetor 2026

Romani "Vitet e urithit" i Kim Mehmetit, më i miri për vitin 2008

Juria e çmimit "Rexhai Surroi", të hënën ndau çmimin për romanin më të mirë në gjuhën shqipe për vitin 2008. Ky çmim iu dha shkrimtarit Kim Mehmeti, për romanin e tij "Vitet e urithit", botuar në vitin 2007 nga shtëpia botuese "Toena" në Tiranë. Çmimin "Rexhai Surroi" e ndan kompania "Koha". Juria në përbërje nga Sabri Hamiti, Eqrem Basha dhe Bardh Rugova, pasi bëri më parë një përzgjedhje të ngushtë prej katër veprave ("Jeta në një kuti shkrepëse" e Fatos Kongolit, "Të jetosh në ishull" e Ben Blushit, "Vitet e urithit" e Kim Mehmetit dhe "Nëna Bora" e Agim Gjakovës), nga një numër prej 50 veprave të paraqitura në konkurs, njëzëri vendosi që ky çmim t‘i jepet shkrimtarit Kim Mehmeti. Në arsyetimin e jurisë thuhet se ky çmim i jepet Kim Mehmetit, i cili është kolumnist në gazetën "Shqip", për shkathtësinë dhe koloritin e rrëfimit poetik, për mjeshtrin e ndërtimit të prosedeut romanesk, midis magjisë dhe reales, të vërtetës dhe fiktives, të ambientuar në fshatin e tij metaforik, në të cilin ndërthuret e tërë historia jonë, në një periudhë të ndjeshme të agonisë së Perandorisë Osmane, Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, stalinizmit dhe titizmit. Juria vlerëson se nga romani në roman, Kim Mehmeti dëshmohet me personalitetin më të veçantë në letrat tona. Romani i fundit, "Vitet e urithit", është kurorë e këtij rrugëtimi origjinal dhe të papërsëritshëm, që kapërthen një krah të pambërthyer aq shpesh në subjektet tona letrare, në të cilat fatet e familjeve dhe individëve ndërthuren dhe përplasen në furtunat e historisë, në zgrip të ekzistencës, të ruajtjes së identitetit dhe dinjitetit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›