E Diel, 1 Nëntor 2026

Një letër për Withers "fut në sherr" politikën shqiptare

Një letër e publikuar mbrëmë në media, sipas të cilës ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për çështjet evropiane Philip Gordon, ka dërguar një letër në Ministrinë e Jashtme, ku shpreh mbështetjen për të gjitha deklarimet e ambasadorit Withers mbi çështje të ndryshme në Shqipëri.

"Sekretarja dhe unë kemi besim të plotë tek ambasadori Withers dhe në punën që ai po bën për të çuar përpara marrëdhëniet tona dhe ndihmën për Shqipërinë në realizimin e potencialit të saj të plotë. Përkushtimi i tij ndaj idealeve të demokracisë dhe shtetit ligjor përgjatë 26 vitesh shërbimi të shquar kanë luajtur rol thelbësor në arritjen nga ana e Shqipërisë të anëtarësimit në NATO dhe respektimit të detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO", shkruante Gordon në letër, e publikuar nga TCH, autenticiteti i të cilës nuk dihet ende.

Por, ishte ky lajm që shkaktoi reagime në Tiranë. Opozita u shpreh sot në mbështetje të Withers dhe theksoi se letra është një qëndrim i rikonfirmuar i qeverisë amerikane në lidhje me zgjidhjen e shpejtë të krizës politike dhe garantimin e pavarësisë së funksionimit të institucioneve.

Duke e marrë të mirëqenë ekzistencën e letrës, deputeti socialist, Ditmir Bushati, tha se “mesazhi i Departamentit Amerikan të Shtetit është një paralajmërim i qartë ndaj aventurës së Sali Berishës për të vënë nën kontrollin personal çdo qelizë të shtetit të së drejtës, përfshirë edhe Shërbimin Informativ Shtetëror”.

Deputeti opozitar i vlerësoi si “sharlatanizëm” ankesat e qeverisë shqiptare ndaj ambasadorit amerikan në Tiranë, çka për hir të së vërtetës marrëdhëniet e tij me maxhorancën në pushtet nuk kanë qenë fort të mira.

“Qëndrimet e Ambasadorit në ikje Withers dhe atij në ardhje Arvizu në lidhje me zhvillimet politike në Shqipëri ngjasojnë si dy pika uji, pasi nuk janë qëndrime personale, por qëndrimet e aleatit kryesor të kombit shqiptar, SHBA-ve”, vijoi Bushati, i cili ka shtuar se Berisha përdori Bashën në 2008 dhe Metën në 2010 për t'u ankuar ndaj përfaqësueve diplomatik të SHBA-ve.

Për këto letra, si ajo e “ankesës” e drejtuar për në SHBA, apo ajo e “mbështetjes” e ardhur nga Uashingtoni për ambasadorin Withers, u pyet sot edhe shefi i diplomacisë shqiptare Ilir Meta. Sipas tij, nuk kishte asnjë letër për ankesë ndaj Withers, por nuk shpjegoi nëse kishte marrë një letër nga Gordon.

“Më vjen keq që kjo thatësirë që vjen nga koha ka sjellë edhe thatësirën për lajme. Lajmet të cilat janë publikuar në lidhje me një letër drejtuar Uashingtonit janë spekulative. Puna ime më bën që të shkëmbej letra me Uashingtonin por nuk ka asnjë letër zyrtare drejtuar çdo vendi të huaj për tu ankuar për ndonjë ambasador”, u shpreh meta gjatë një takimi me gazetar.

Meta shtoi më tej, se Shtetet e Bashkuara mbeten partneri strategjik për Shqipërinë dhe marrëdhëniet me këtë vend janë tejet të mira. “Vlerësimet janë maksimale. është aleati jonë strategjik dhe marrëdhëniet janë dhe do të jenë shumë të mira”, vijoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›