Një letër për presidentin Topi
Albin Kurti
Shkelqësia Juaj, Z. President
Tashmë është bërë e qartë situata e terrorit dhe rrezikut për spastrim të ri etnik në pjesën veriore të Mitrovicës. Sulmi i datës 8 prill 2012 ndaj familjes Haradinaj pati për pasojë vdekjen e Selver Haradinajt dhe plagosjen e fëmijëve të tij. Të nesërmen, në të njëjtën lagje, u mor peng polici i Kosovës, u përzë patrulla policore dhe u shkatërrua pika e saj statike, kurse gazetarët u sulmuan dhe pati dhunë ndaj tyre. Të gjitha këto janë më se të mjaftueshme për ta provuar qëllimin e strukturave armiqësore e kriminale të Serbisë në veri të lumit Ibër. Siç e dini, Republika e Kosovës nuk mundet që këtë çështje ta iniciojë për diskutim në organizata apo struktura ndërkombëtare si OKB dhe NATO. Ndërsa Ju, si përfaqësuesi i Republikës së Shqipërisë dhe i shqiptarëve në OKB dhe NATO, mundeni që ta inicioni diskutimin mbi rrezikun e afërt të spastrimit etnik të shqiptarëve në Mitrovicë.
Nevojitet pra, veprim politik e diplomatik kombëtar, para se përmasat e spastrimit më të ri etnik ndaj shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës, të ngjajnë me ato të viteve 1998, 1999 dhe 2000. Ndihma Juaj në këto momente është e domosdoshme dhe e pazëvendësueshme.
Me respekt dhe mirënjohje