E Diel, 1 Nëntor 2026

Një lexim teknik i rezultateve të 23 qershorit

2009-20133Risitë, tiparet, kuriozitetet dhe leximi krahasues i zgjedhjeve të fundit parlamentare

Nga Afrim Krasniqi

Analiza politike e zgjedhjeve të 23 qershorit ka nisur tashmë të bëhet nga parti, grupime, rrjete profesionale dhe media. Natyrisht që një analizë serioze kërkon qetësi, arsyetim profesional, largim të emocioneve të humbjes/fitores dhe argumente të provuara, – elementë të cilët në këtë fazë kohore përgjithësisht mungojnë. Sipas traditës para-demokratike shqiptare, ai që humbet, edhe kur është qeveri, – ankohet për vjedhje votash, ai që fiton, edhe kur fitorja vjen nga vota kundër palës tjetër, – e himnizon meritën e tij. Po ashtu, edhe parti që kanë fituar vota për merita informale, kryesisht pagesa dhe sistem mafioz shkëmbimi, – mbeten jashtë analizës për sa kohë që ato marrin pushtet dhe shumica pritet të shkojë me fituesin. Shprehja Rroftë mbreti! Poshtë mbreti, tipike për shoqëri populiste, vlen edhe për realitetin shqiptar, ku parti d.m.th, pushtet, vend pune, status social, garanci investimi, mbështetje biznesi, ose të kundërtat e tyre.

Për të gjitha këto motive, qëllimi i analizës së mëposhtme është leximi teknik i zgjedhjeve dhe rezultatit të tyre. Gjë që natyrisht ka vlerë sidomos për ata që merren me fushë studimore dhe duan të lexojnë tek turmës që feston me shampanjë apo derdh lot për kryetarin që ndryshoi zyrë.

Vota historike kundër, – më shumë se një milion

Duke llogaritur faktin se koalicioni i majtë fitoi zyrtarisht 993,904 vota ose 57.6% të votave kombëtare, dhe se jashtë tij votë për rotacion politik llogariten edhe 40 mijë vota të marra nga FRD e AKZ apo disa mijëra vota të tjera nga dy parti të tjera të majta jashtë koalicioneve dhe dy kandidatë të pavarur, (të majtë) atëherë shifra e votave për rotacion tejkalon edhe formalisht shifrën prej 1 milion votash dhe mund të krahasohet vetëm me votën e rotacionit politik më 1992. Numerikisht e tejkalon edhe atë me disa qindra vota. Fakti që kjo ndodh 21 vjet më vonë, në kushtet kur zgjedhje nuk bëhet për ndryshim sistemi dhe kur fryma e ndryshimit nuk dukej e njëjtë si më 1992, lidhet me votën e ndërgjegjshme, të kalkuluar pavarësisht motiveve, dhe kështu, mbetet një votë unike në historinë e pluralizmit politik në Shqipëri. Madje demokratët morën 528 mijë vota ose 232 mijë vota më pak sesa opozita antikomuniste e drejtuar nga PD, fitoi në zgjedhjet e para shumëpartiake më 1991.

Në dallim nga 1991 kemi rënie të numrit të votuesve me rreth 200 mijë zgjedhës, por në dallim nga viti 1992, zgjedhje të gjithë-pranuara në standarde dhe rezultat, më 2013 morën pjesë rreth 400 mijë zgjedhës më shumë, kurse në dallim nga zgjedhjet e fundit parlamentare 2009, pjesëmarrja në zgjedhje këtë herë u rrit me 205 mijë vota ose rreth 150 mijë vota më shumë edhe se në zgjedhjet lokale 2011. Kjo rritje natyrshëm u shkon partive opozitare dhe partive të reja, sepse përbëhet nga votues më të motivuar për të shkruar në votime, gjë që tradicionalisht nuk ndodh me palën në qeveri.

PS me 175 mijë vota më shumë se PD në 4 vjet

Koalicioni i majtë siguroi 17.5% më shumë vota sesa koalicioni i djathtë, shifër me hendek domethënës krahasuar me 2009. Tabela përmbledhëse e zgjedhjeve nxjerr në pah diferencën e thellë midis palëve kryesore në zgjedhjet e 23 qershorit. LSI ka rritjen më të madhe matematikore me 106 mijë vota më shumë sesa më 2009, ndjekur nga PS me 92 mijë. Rritje të njëjtë kanë FRD dhe PDIU, e para jashtë koalicioneve dhe e dyta si pjesë e koalicionit të djathtë, me rreth 30 mijë vota secila. Rritje shënoi edhe PR, gjysma e të cilës erdhi nga votat që mori në Durrës nga pjesë të së majtës (kandidat i saj ishte një ish eksponent i qeverive dhe parlamenteve të majta).

Surprizë ishte rezultati i një partie të vogël dhe të re politike, PKD në qarkun Shkodër, sidomos në zonën e Pukës kur mori në total rreth 8 mijë vota, shumë me tepër sesa mbi 50 parti të tjera konkurruese në zgjedhje.

Krahasuar me 2009 kur PS ishte 10 mijë vota përpara PD në zgjedhjet e fundit rezultati u thellua në 175 mijë vota, një rezultat dhe diferencë shumë e thellë. PR dhe PDIU siguruan rritje votash kryesisht për shkak të cilësive personale financiare të kandidatëve respektivë, shumica e tyre pa lidhje direkte ose formim politik, gjithsesi votat e tyre të përfituara në koalicionin e djathtë nuk arritën të zëvendësojnë efektin LSI tek e majta. Kjo e fundit, duke përfituar nga qëndrimi me njërën këmbë në pushtet (të vjetër) dhe me tjetrën në opozitë (pushtet të ri) maksimalizoi votat dhe mbështetjen, tej parashikimeve të saj. Interesant është fakti se megjithëse LSI mori 2.5 herë më shumë vota sesa më 2009, pesha politike e saj mbetet e njëjtë si më 2009 në koalicion me PD. Për shkak të sistemit zgjedhor dhe politik, një parti si ajo, si me 4 ashtu edhe me 16 deputetë, ka të njëjtën vlerë dhe peshë në vendimmarrjen politike, dje me të djathtën dhe sot me të majtën. Penalizmi që iu bë më 2009 u kthye në përfitim më 2013, nga i njëjti sistem zgjedhor.

Rënie drastike e partive historike të majta-djathta

Sipas tabelës, më 2009 patëm 34 subjekte zgjedhore nga 66 më 2013. Rritja e subjekteve zgjedhore nuk e rriti ndjeshëm konkurrencën e partive të vogla politike. Në këto zgjedhje pati dy subjekte të reja politike, FRD dhe AKZ, jashtë koalicioneve të mëdha, siç pati krijim në minutën e fundit të partive të reja politike si taktikë elektorale, siç ishte Aleanca Popullore tek e majta. Kjo parti tërhoqi rreth 9 mijë vota nga komuniteti çam dhe mbështetësit e saj, – një rezultat surprizë dhe i njëjtë me AKZ, e cila zhvillonte aktivitet prej një viti dhe kishte pretendime shumëfish më të mëdha. Nëse votat e AP si parti e komunitetit çam, do të bashkoheshin me PDIU, do të kishim më shumë se një mandat shtesë, pasi në të paktën tri qarqe diferencat e mandatit shtesë u përcaktuan nga një minimum votash.

Rënia drastike në zgjedhje shënuan parti të vjetra 22 vjeçare siç ishin Partia Agrare apo Aleanca Demokratike, Legaliteti, LZHK dhe Balli Kombëtar, por edhe partitë e vjetra të së majtës, sidomos socialdemokratët. PAA humbi mbi 80% të votave nga 2009, PSD humbi mbi 60% të votave, PAD mbi 75% të votave, LZHK mbi 50% të votave dhe të tjerat në nivele 40-50% të votave. Partia e vetme e vjetër që i mbijetoi sistemit edhe pse nuk mori mandat parlamentar është PDS e drejtuar nga P.Milo, e cila fitoi 11.8 mijë vota, shifër e pamjaftueshme për një mandat për shkak të sistemit, por de facto prodhuese për një mandat të majtë PS/LSI.

Partitë e vetm

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›