E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një mënyrë e re të menduari për turizmin

Pirro Naçi/Specialist për  turizmin 

“Bëni aerodromin dhe do të keni gjysmën e Polonisë në Sarandë”. Ky është një nga mendimet e shprehura në një emision televiziv për turizmin pak kohë më parë. E vetmja gjë që më ka mbetur në  kujtesë, dhe herë pas here më rikthehet. Është “Masterplani” personal i një polaku, i cili vitet e fundit është joshur nga Saranda  dhe nga bregdeti i saj dhe ka sjellë turistë nga ky vend për të shijuar diellin dhe detin e Jonit. E themi “Masterplan personal” pasi polaku është i vetmi person që në praktikë bëri atë që çka duhet ta bënim ne të gjithë, ose njëri prej nesh. Piketoi, mendoi, hartoi, solli, risolli, do të sjellë akoma më shumë turistë nga Polonia. Por...çfarë  konstatoi, çfarë po e frenon atë për të ecur më shpejt? Mungesa e një aerodromi. Shumë është folur për të dhe mjaft plane e masterplane janë  hartuar. Ministra, Kryeministra, deputetë, specialistë e shumë e shumë të tjerë, këto 10-15 vitet e  fundit kanë folur kaq shumë, sa këto fjalë ndoshta i ka marrë era dhe akoma fluturojnë dhe fluturojnë.  “Ne” –tha Edi Rama pak ditë më parë, “nuk mund të rrimë e të presim që potencialet e mëdha të  këtij vendi të zhbëhen para syve tanë”.

Zoti Rama, dëgjojeni  polakun dhe do të dalim të fituar të gjithë, Saranda, Shqipëria, por edhe polakët. Aerodromin e Sarandës le ta shikojmë nga këndvështrimi i një emergjence kombëtare dhe këtë situatë ta trajtojmë si të jashtëzakonshme, për të  mirën e zhvillimit të turizmit, dhe transformimin e jetës sociale. Deri më tani kemi ecur pa parë se çfarë bëhet rreth nesh, kemi hartuar plane dhe masterplane, por ato të gjitha koha i ka vlerësuar si Kuturu. Përpara 15-vjetësh, ndoshta realizimi i një aerodromi dukej si një  utopi, ose siç thonë në Sarandë i ngjante “ideve të Petros”, por tani  është kthyer në një domosdoshmëri të pashmangshme për zhvillimin e turizmit. Nuk mjafton të kesh plazhe, detin dhe rërën, klimën dhe temperaturat nga më të  mirat në Europë, madje nuk do ta teproja edhe në botë. Duhet edhe të dish t’i shfrytëzosh ato në interesin e përgjithshëm tonin, të turizmit në përgjithësi, por edhe të vizitorëve në veçanti. Përveç aerodromit le të ndalemi edhe në një “Kuturu” tjetër për Sarandën. Në këtë qytet, që ndoshta është nga më të bukurit e vendit dhe me premisa për zhvillimin e turizmit sa asnjë vend tjetër, ndodhet një “shtet-qytet’’i çuditshëm. Kanë  kaluar pothuajse 35-vjet, dhe në qoftë se do ta lëmë edhe disa të tjera do të marrë statusin e “qytetshtetit” më të ri në Europë. Fjala është për vilën qeveritare, ose ndryshe Shtëpinë e Pritjes, si dhe sipërfaqen e tokës rreth saj – pronë e shtetit, e rrethuar dhe fortifikuar. Në  faqen  e internetit Google Earth, çdo njeri mund ta vizitojë dhe të shikojë se përse flasim. Në shtator, qeveria do të fillojë punën për menaxhimin e ambientit, prishje, sistemime, rregullime, regjistrime etj, etj.. Dhe mirë do të bëjë. Por paralel me këto veprime, do të thosha në radhë të parë, a do të shikojë se çfarë ka në inventarin e vet të objekteve të “paligjshme”, siç është edhe ky objekt qeveritar dhe t’ia kthejë interesit të përgjithshëm  turistik? Vendi në fjalë është mëse i përshtatshëm për ndërtime me karakter elitar në fushën e turizmit. Ndërtimi i një aseti që do t’i drejtohet turizmit të diellit dhe të detit, biznesit dhe konferencave, interesave të veçanta, turizmit të shëndetit, turizmit kulturor, sportiv, etj., do të shtojë dhe do të zmadhojë sezonin turistik gjatë 12-muajve të vitit. Hoteli i ndërtuar pothuajse 40-vjet më parë, “Butrinti”, gjatë rrugëtimit të tij deri më ‘90-ën, deri diku ja arriti qëllimit. Në vendin që ne po komentojmë, ka mundësi për ngritje jo vetëm të një Butrinti të ri, por katër pesë të tillë. Aerodromin dhe Vilën le t’ia bashkojmë mendimit të Konferencës së 26 gushtit!

Europën e ëndërruar ta bëjmë këtu dhe ta bëjmë të prekshme për qytetarët tanë, bazuar tek bindja se turizmi do të kthehet në një industri që do të prodhojë vende pune. Të gjitha këto janë të mundura vetëm përmes një reforme rrënjësore të sistemit qeverisës, të institucioneve që lidhen me ekonominë dhe sipërmarrjen, të marrëdhënies së qeverisë me sipërmarrësin dhe të sipërmarrësit me qeverinë. Këtu do të ndalesha sërish. Dihet që sipërmarrësit që kanë investuar në sektorin e turizmit, çdo gjë e kanë bërë nga xhepi i tyre, pa ndihmën më të vogël të shtetit, por edhe të Bashkimit Europian. Në Europë investimet private, sidomos në sektorin e turizmit kanë grante që arrijnë 50, e deri në 60% të investimit. Një nxitje, një motivim që shteti bën për të nxitur iniciativën private, për të drejtuar sektorin e turizmit, aty ku ai e shikon më të përshtatshëm dhe më të leverdisshme. Por edhe për diçka tjetër që tani është emergjente dhe duhet parë. Të gjitha investimet e bëra nga sektori privat në drejtim të turizmit këto 15-20 vitet e fundit, janë në fazën e rinovimit, po shkojnë drejt “plakjes”. A do të ketë edhe në këtë drejtim një shtysë institucionale për t’i rinovuar objektet, hotelet, lokalet dhe veprimtaritë e tjera turistike, për t’i kalibruar në nivel  kombëtar dhe ndërkombëtar? Institucionet shtetërore, deri më tani, në këtë drejtim kanë punuar kuturu, ose kanë bërë sehir. Për analogji, atë çka bëri ekipi i ri qeverisës pak ditë më parë për ambientin dhe ekonominë, një sipërmarrës  nga Saranda e bëri 10-vjet më parë.

Trokiti në një nga zyrat arkitekturore të specializuara vetëm në fushën e turizmit, jashtë vendit. Erdhën, studiuan vendin, hartuan projektin e një resorti turistik, që do t’ia kishin zili edhe në vendet më të zhvilluara europiane në fushën e turizmit. Dosja përmbante të gjitha kushtet dhe kriteret jo vetëm të BE-së dhe institucioneve bankare ndërkombëtare. Objekti, në një nga vendet më të bukura të qytetit, në majë të malit,e barasvlershme me vlerat turistike që ofron kalaja e Lëkurësit dhe Manastiri i 40-të Shenjtorëve, por shkalla e vështirësisë së realizimit mjaft e madhe. Kalanë e Lëkurësit e kemi dhuratë nga Sulltan Sulejmani këtu e 500-vjet më parë. Sot, ne atë e përdorim për qëllime turistike dhe mirë bëjmë. E gjetëm të gatshme. Manastiri i 40 shenjtorëve, edhe ky në majë të malit, me vlera të mëdha historike, kulturore, por edhe turistike, pamja e mrekullueshme, por shteti akoma edhe sot nuk ka hapur një copëz rrugë për t’ia rritur vlerat qytetit. Shumë afër saj investitori sarandjot hëngri malin me dhëmbë dhe bëri atë çka bëri Sulltan Sulejmani në Lëkurës 500-vjet më parë, bëri atë çka nuk bëri dot asnjë qeveri deri më sot me Manastirin e Shenjtorëve, bëri të pamundurën. Për të mos u zgjatur: shteti do të qëndrojë indiferent ndaj shembujve të tillë që nuk janë pak, apo do të stimulojë dhe do të nxisë sipërmarrësit për ta zhvilluar sa më shpejt turizmin në vendin tonë? Me ato çka dëgjuam orët e fundit në konferencën e 27 gushtit shpresojmë se po.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›