E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një milion të papunë, mit apo realitet?

KOSTA BARJABA

1.
Debati për punësimin dhe papunësinë vazhdon të mbetet i nxehtë. Me sa duket, pritet të jetë një ndër kuajt e betejës së zgjedhjeve të ardhshme. Opozita rikonfirmon shifrën e saj të njohur për një milion të papunët. Qeveria kundërshton nëpërmjet ngazëllimit të zakonshëm kryeministror, se Shqipëria nuk ka 1 milion të papunë ngaqë forca e punës në vend është më pak se 1 milion veta. Banka e Shqipërisë konfirmon se në fillim të vitit 2011 në Shqipëri kishte rreth 917 mijë të punësuar, të cilët përbëjnë vetëm njërën pjesë të fuqisë punëtore. Rikujtojmë se forca e punës së një vendi është numri i të punësuarve, plus të papunët. Që argumenti qeveritar të ishte i vërtetë, numri i të papunëve duhej që të ishte më pak se 83 mijë persona. Por, këtë shifër, nuk do ta merrte përsipër turpin ta pohonte asnjë institucion shtetëror. Kush gënjen në fakt? Kujt ti besojnë qytetarët?

2.
Shifrat e sakta dhe realiste përbëjnë themelin e ndërtimit të politikave ekonomike dhe sociale. Fqinji ynë i Jugut rrezikoi të binte në humnerë pikërisht sepse për vite me radhë, për të mos thënë për dekada, qeveritarë të papërgjegjshëm mashtruan me treguesit realë të ekonomisë greke. EUROSTAT, në mënyrë të përsëritur i kishte tërhequr vëmendjen zyrës së statistikave të Greqisë për mashtrimet me treguesit ekonomikë dhe financiarë të vendit. Por veshi i shurdhër dhe syri qorr ndaj së vërtetës erdhi dita që kërkuan shpagim. Ky është fakti që duhet të mësojmë ta lexojmë. Në radhë të parë qeveria. Duke u rikthyer në kontekstin shqiptar, shifra një milion të papunë ka brenda një pjesë të së vërtetës, por nuk është tërë e vërteta. Nëse e llogarisim bilancin e forcave të punës në Shqipëri me laps në dorë, atëherë do të bindemi se treguesit realë të papunësisë janë më të lartë edhe se shifra alternative e ofruar nga opozita. Nëse i referohemi Bankës së Shqipërisë, publikimit të saj të datës 3 shkurt 2012, rezulton se në vitin 2011 popullsia në moshë pune në Shqipëri ishte rreth 2,166 mijë persona. Numri i të punësuarve ishte 917 mijë persona. Diferenca midis popullsisë në moshë pune dhe numrit të të punësuarve është 1,249 mijë persona. Numri i të papunëve faktikë mund të llogaritet duke zbritur nga popullsia në moshë pune numrin e të punësuarve dhe popullsinë joekonomikisht aktive. Po sipas INSTAT-it, popullsia joekonomikisht aktive është rreth 363 mijë persona dhe struktura e saj është si më poshtë: 213 mijë janë nxënës e studentë dhe 150 mijë pensionistë brenda moshës së punës. Ndërkohë, të papunët e dekurajuar dhe shtëpiaket janë të papunë të fshehur. Nëse u hyjmë llogaritjeve, kemi: Numri i të papunëve = 2,166,000 – (917,000 të punësuar+363,000 persona joekonomikisht aktivë) = 886,000. Pra, zyrtarisht, në Shqipëri kemi rreth 886 mijë persona në moshë pune, që nuk janë as në forcën e punës, as në tregun e punës. Mund të na thotë qeveria ku janë këta njerëz? Ata janë midis nesh, por që nuk kanë hyrë në asnjë nga statistikat e shtetit shqiptar. Treguesi i papunësisë bëhet më alarmant nëse mbajmë parasysh që rreth 500 mijë të punësuar janë në bujqësi. INSTAT quan të punësuar në bujqësi çdo person që zyrtarisht ka në zotërim tokë të përfituar nga ligji 7501. Por 40 për qind e familjeve fshatare kanë më pak se dy dynymë tokë, e pamjaftueshme për ti zënë ata me punë me ngarkesë të plotë. Vlerësimet e ekspertëve, madje edhe të atyre pranë qeverisë, pranojnë se nga rreth 500 mijë të punësuarit në bujqësi, pak më tepër se gjysma e tyre paguajnë kontribute në skemën e sigurimeve shoqërore. Ndërkohë, statistikat alternative tregojnë se vetëm rreth gjysma e fuqisë punëtore të fshatit është e zënë me punë, madje edhe ajo punon me rreth gjysmën e kapacitetit. Pra, nëse shifrës së të papunëve nga bilanci i mësipërm i forcave të punës u shtojmë edhe rreth 250 mijë të papunë faktikë në fshat, rezulton se në Shqipëri kemi rreth 1,136 mijë persona në moshën e punës, që duhet të ishin, por nuk janë në punë. Si mund të quhen këta ndryshe, përveçse të papunë? Sepse një person që është në moshën e punës dhe është ekonomikisht aktiv, dëshiron të punojë, por nuk e ka një punë, është logjikisht i papunë. Kjo është logjika e papunësisë, dhe jo aritmetika e INSTAT-it, i cili numrin e të papunëve e llogarit në tavolinë, duke zbritur nga forca e punës numrin e të punësuarve: 1,063,275920,439=142,836 (nëse u referohemi llogaritjeve të vitit 2009).

3.
Duhet të mbajmë parasysh edhe një rrethanë tjetër: burimi i shifrave të INSTAT-i janë shërbimet publike të punësimit. Por po vetë INSTAT na sugjeron të mos u besojmë këtyre burimeve. Sipas anketës së forcave të punës të vitit 2009, të kryer nga INSTAT-i, rezulton se shërbimet publike të punësimit janë shërbimet e fundit (të tretat nga pesë), të cilave u drejtohet një i papunë që kërkon të punësohet. Thjesht qeveria dhe zyra e punës u thotë të papunëve: Po nuk u dukët njëherë nga ne, nuk ju llogarisim. Po a ia vlen të dukesh njëherë nga zyra e punës, kur shërbimet publike të punësimit ndërmjetësojnë punësimin e vetëm rreth 11 mijë të papunëve në vit? Kjo do të thotë se një zyrë publike e punësimit qëndron në tregun e punës për të ndërmjetësuar punësimin e më pak se një të papuni në ditë. Nga ana tjetër, shifra një milion nuk është se konteston standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Punës mbi përkufizimin e të punësuarve dhe të papunëve. Jo, kjo shifër thjesht tregon se llogaritë zyrtare mbi punësimin dhe papunësinë është e pamundur të bëhen duke respektuar këto standarde, në një treg informal dhe të amullt si tregu shqiptar i punës. Ja pra e vërteta e shifrës një milion të papunë është më e hidhur se sa e deklaron opozita. Ajo nuk është një mit politik dhe elektoral, por një realitet. Që shihet për ata që duan të shohin dhe dëgjohet për ata që duan të dëgjojnë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›