E Diel, 1 Nëntor 2026

Uzina në Mjekës ideohet për demontimin rajonal të municioneve

Gjatë dempontimit në Uzinën e Mjekësit

ELBASAN – Uzina e Lëndëve Plasëse në Mjekës të Elbasanit mund të përdoret në një të ardhme të afërt edhe për demontimin e municioneve të tjera të tepërta të vendeve të rajonit nëse do të jetë e nevojshme dhe nëse kërkohet prej tyre, por me miratim të politikës shqiptare. Kjo ishte ideja e hedhur nga zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, përfaqësuesve të NAMSA-s dhe drejtuesve të pushtetit vendor në Elbasan gjatë një vizite pune që zhvilluan në këtë uzinë, në kuadrin e seminarit të pestë të Iniciativës Rajonale për Reduktimin e Stoqeve. Përfaqësuesi i NAMSA-s, Dejvi Nautrov, nga Luksemburgu, gjatë vizitës në ambientet e kësaj uzine, shprehu konsideratat e tij më të mira për këtë uzinë duke e certifikuar në këtë mënyrë atë në kthimin e mundshëm në një uzinë rajonale. Sipas tij, Uzina e Lëndëve Plasëse në Mjekës është një aset i rëndësishëm dhe me eksperiencën që ajo ka fituar mund të shfrytëzohet dhe në marrjen e një vendimi të tillë, por për këtë duhet të vendosë politika shqiptare. NAMSA do ta konsiderojë këtë gjë si një avantazh të madh të Uzinës së Lëndëve Plasëse të Mjekësit për demontimin e municioneve të tepërta, tha ai. Edhe zv.ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahia, nga ana e tij është shprehur entuziast rreth të ardhmes së Uzinës në Mjekës, e cila, sipas tij, ka kapacitete jashtëzakonisht të mëdha për ti shfrytëzuar. Sipas tij, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2013 do të përfundojë asgjësimi i të gjitha municioneve të tepërta dhe brenda shtatorit të këtij viti do të përfundojë demontimi i municioneve në poligone, për të vijuar më pas me demontimin në uzinat ushtarake. Nëpërmjet granteve dhënë Agjencisë për Mbështetjen dhe Furnizimin e NATO-s (NAMSA), Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mundësuar që Shqipëria të vetasgjësojë mijëra tonë municione të tepërta në ULP-në Mjekës.

Prefekti: Uzina rajonale zbut papunësinë
Prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi, theksoi se duhet që të hidhen hapat e nevojshëm për shndërrimin e Uzinës së Lëndëve Plasëse të Mjekësit në uzinë rajonale për demontimin e municioneve të tepërta, pasi kështu ajo do të zbusë së tepërmi nivelin aktual të papunësisë së Elbasanit dhe më gjerë. Gjatë dhjetë viteve të fundit Shqipëria ka shkatërruar pjesën më të madhe të arsenalit të armëve, duke përfshirë armët e artilerisë dhe sistemet e armëve të rënda. m.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›