E Diel, 1 Nëntor 2026

Një ministër i Katarit, gjatë takimit me Bamir Topin, i telefonon kryebashkiakut Basha

29-02-2012 / Gazeta 55

Presidenti Bamir Topi është gjendur në vështirësi gjatë një takimi me ministrin e transporteve të Katarit, i cili, për bitisjen e bisedës, është detyruar t’i telefonojë Lulzim Bashës. Dëshmitarët flasin për disa versione të telefonatës, por ekstremitetet enden nga pyetja “A është Bamir Topi president i Shqipërisë” e deri tek verifikimi-kuintesencë “a është Bamir Topi tiranas”


Presidenti Bamir Topi, në një vizitë si pas berihajit në Katar, pa asnjë mundësi negocimi e veç me një ambalazh hartimesh për marrëdhëniet dypalëshe, është ndodhur dje para një të papriture të pakëndshme. Gjatë drekës së shtruar nga këshilltarët e Emirit të Katarit, për nder të presidentit të Shqipërisë (i çuditshëm ky “reciprocitet”), presidenti Topi është ndalur gjatë në një bisedë me ministrin e transporteve e të punëve të Katarit, Abdullah bin Naser Al Hamidi. Gjatë takimit, ministri i Katarit i ka telefonuar kryebashkiakut të Tiranës, Lulzim Basha. Dëshmitarët flasin për bllokimin e presidentit të republikës, i cili s’ka mundur ta kapërcejë ngërçin, veçse duke folur për “zhvillimin e Tiranës”. Përveç bashkëpunimit tashmë të vendosur me Katarin, lidhur me investimin për zgjatimin e Bulevardit qendror të kryeqytetit, përtej stacionit aktual të trenit, kryebashkiaku i Tiranës ka vendosur tashmë një bashkëpunim me investitorët e Katarit, të përqendruar në projekte, të cilat edhe do të mund të realizohen në të ardhmen. Por për to, Bamir Topi s’ka asnjë dijeni dhe është i përqendruar veç tek krijimi i klanit të tij politik, i cili për momentin s’ka asnjë emër. Hamendësimet që bëjnë dëshmitarët lidhur me motivet e telefonatës shkojnë që nga riverifikimi nëse bashkëfolësi ishte me të vërtetë presidenti i republikës së Shqipërisë, e më pas zbrisnin tek interesimi nëse “Bamir Topi ishte ende president i Shqipërisë”, më tej nëse “Topi është ende përfaqësues i institucioneve shqiptare” e përfundonin me interesimin-kuintesencë “a është tiranas Bamir Topi”. Sido që të jetë kronika në detaje e bisedës telefonike, Bamir Topit s’i mbeti gjë tjetër veçse të çuditej për projektin e zgjatimit të Bulevardit të Tiranës, dhe t’i premtonte vetes se do t’i bënte mirë llogaritë, kur të pillte plevicën e tij politike, para se ta kapërcejë vizën e të kryejë obstruksion, jo vetëm për politikanë, por edhe për vetë stabilitetin e institucioneve të shtetit shqiptar. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›