Një minoritar nga Shqipëria kandidon në Greqi
Lefteris Dhimitriu, siç është emri i tij në greqisht, apo Lefter Dhimitri siç përcillet në shqip, ishte padyshim nga emrat, që tërhoqën vëmendjen në shpalljen e listës elektorale të partisë greke në pushtet, Demokracisë së Re të Kostas Karamanlis, për zgjedhjet europarlamentare të 7 qershorit. Jo pa qëllim sekretari i partisë, Lefteris Zagoritis, theksoi me këtë rast se është i lindur në një fshat të Sarandës së Shqipërisë dhe ndër katër gjuhët, që di, është edhe gjuha shqipe.
Elektorati i pjesëtarëve të minoritetit grek të Shqipërisë, që fitoi të drejtën e votës me vendimin e akordimit masiv të nënshtetësisë greke, para dy vjetësh mori mesazhin se për herë të parë kishte një kandidaturë të tij bile e njëmbëdhjetë në listë me shanse shumë të mëdha për një vend në Strasburg. Kandidatura e Lefterit ofrohet dhe për një lexim të dytë, që lidhet me cilësinë e qytetarit shqiptar, dhe nuk është e rastit që shumë shqiptarë të imigracionit e panë me interes, për vetë të ardhmen e tyre integruese. Rasti i tij ka anën simbolike, por edhe esenciale të proçesit integrues të shteteve ballkanike në Evropë. Vetë jeta dhe ecuria e Lefterit, lindur e rritur në Shqipëri, i diplomuar në Kamëz për Agronomi, prej andej emigrant në Greqi dhe në vazhdim në Qipro, ku punon si drejtues i një enti evropian duke qenë njohës i thellë i politikave evropiane për bujqësinë, me nënshtetësi gjithashtu qipriote dhe impenjim të madh politik në ishull, është shembulli i gjallë i profilit multikulturor të shoqërive të sotme. Në faqen time elektronike do të lexoni se jam njohës shumë i mirë edhe i gjuhës shqipe. Më vjen mirë që media qipriote nuk anashkalon profilin tim multikulturor. Unë hyra në listë si përfaqësuesi i helenizmit dhe bile ikumenik. Një pjesë e elektoratit tim të bashkëkombasve pra nga Shqipëria, votën e të cilëve kërkoj për Demokracinë e Re dhe shpresoj se do ta kem, kanë cilësinë e qytetarit shqiptar dhe do të votojnë si qytetarë evropianë. Aq më tepër që Shqipëria aplikoi së fundi për të hyrë në familjen evropiane. Uroj që rruga e saj të jetë një rrugë transformimesh dhe plotësimi i të gjitha standarteve, thekson ai. Duke iu drejtuar bashkëatdhetarëve të tij ai ka theksuar se integrimin nuk ta fal kush dhe se vendi në oden evropiane fitohet veçse me punë dhe dinjitet.