E Diel, 1 Nëntor 2026

QKKF përgatitet për koncertin 1 Qershor festa e dashur e fëmijëve

Qendra Kulturore Kombëtare e Fëmijëve Tiranë në vazhdimësinë e aktiviteteve të shumta është në përgatitje të një koncerti festiv në kuadër të festës së 1 Qershorit. Koncerti me titull 1 Qershor festa e dashur e fëmijëve, vjen pas një pune disa mujore profesionale me skenar të të mirënjohurit Jorgo Papingji, udhëheqës artistik ,Xhavit Ujkani dhe regji Klaudia Hila. Ky aktivitet, në repertorin e tij ka të gërshetuara këngë të gjinive të ndryshme, duke filluar nga repertori i këngës për fëmijë , ai klasik dhe ai popullor gjithashtu. Grupi koral është protagonisti kryesor i këtij aktiviteti, ku në përbërjen e tij janë fëmijë të grupmoshave të ndryshme. Të kënduarit koral zgjon tek fëmijët dashurinë për muzikën dhe edukon tek ata për shijet estetike, duken dihmuar njëkohësisht edhe për zhvillimin e aftësive të tyre muzikore dhe rrit nivelin e kulturës së tyre vokale-korale. Nga drejtuesit dhe specialistët e këtij spektakli është bërë një punë e kujdesshme për të arritur një unitet dhe bukuri të tingëllimit koral, duke u përkujdesur që çdo anëtar i këtij grupi të zotërojë shprehitë vokale. Duke u nisur nga kjo, edhe repertori është përzgjedhur me një përkujdesje të veçantë, duke marrë në konsideratë mundësitë vokale të fëmijëve, si dhe të grupmoshave të ndryshme. Gërshetimi i këngëve korale me ato solistike janë pjesë e këtij repertori, ku spikasin këngët popullore të përpunuara, ato klasike dhe ato fëminore. Këtë spektakël e pasuron larmia që do të sjellë grupi i valleve, i cili me repertorin e tij të larmishëm do të sjellë kërcime klasike, popullore dhe me elementë bashkëkohorë. Puna për realizimin e këtij aktiviteti sipas Drejtoreshës së Artit dhe Kulturës në QKKF, znj.Nigda Dako, udhëheqësit artistik, z.Xhavit Ujkani, mjeshtres së vokalit, znj. Eleonora Asllani, është në fazën përfundimtare për realizimin e këtij koncerti. Bashkëpunimi me shkollat 9-vjeçare të kryeqytetit dhe në veçanti me mësuesen e apasionuar, znj. Violeta Shamku të shkollës Avni Rustemi është një eksperiencë që kërkon vazhdimësi të mëtejshme.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›