Një monografi për Rugovën
Pas suksesit që e arriti me librin biografik mbi Adem Demaçin, autori Shkëlzen Gashi i është kthyer një figure tjetër të rëndësishme të Kosovës. Bëhet fjalë për ish Presidentin Ibrahim Rugova. Ai është duke e shkruar një monografi mbi ish Presidentin, për të cilin thotë se është personaliteti më i rëndësishëm politik i Kosovës.
Libri, i cili, nëse gjithçka shkon sipas planit, do të botohet vitin e ardhshëm, do të përbëhet prej dhjetë kapitujve që, pak a shumë, do të jenë kështu: Fillimet (1944-1967); Studimet (1967-1987); Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës (1988-1989); Themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (1989-1992); Themelimi i Institucioneve të Republikës së Kosovës (1992-1998); Lufta në Kosovë (1998-1999); Mbas Lufta (1999-2000); Themelimi i Institucioneve të Kosovës (2001-2005); Vdekja (2006); Mbas Vdekja (2006-2008).
Siç shihet edhe nga kapitujt e librit, Gashi është fokusuar në tërë jetën dhe veprimtarinë e dr. Rugovës. “Për këtë libër janë duke u marrë për bazë librat e dr. Rugovës dhe librat e të tjerëve për dr. Rugovën. Pastaj do të merret për bazë konteksti historik i Kosovës prej Luftës së Dytë Botërore, duke përfshirë dokumente të rëndësishme për Kosovën dhe dr. Rugovën”, u shpreh Gashi, duke shtuar se do ta shqyrtojë në detaje shtypin e Kosovës si dhe atë ndërkombëtar. Pasi të mbarojnë këto, Gashi tregon se do t’i fillojë intervistat me shokët, kolegët, bashkëmendimtarët, kundërshtarët, bashkëpunëtorët e të afërmit e dr. Rugovës. Sikurse libri i tij mbi Demaçin, edhe libri mbi Rugovën do të përkthehet në gjuhën angleze, ndërsa para se të botohet do të lexohet prej dhjetë kritikëve më të shquar kombëtarë e ndërkombëtarë.
Arsyeja pse Gashi është duke shkruar monografi për Rugovën është se, sipas tij, Rugova ka qenë udhëheqës politik i Kosovës në dy dekadat thuajse më të rëndësishme të saj (1986-2006). “Për më shumë, mënyra se si dr. Rugova e ka kundërshtue okupimin e Kosovës nga Serbia është unike në krejt përpjekjet një shekullore të Kosovës për çlirim”, tha Gashi.
Edhe pse deri më tani janë botuar një numër i konsiderueshëm i librave mbi Rugovën, të cilët ose e mbiçmojnë ose e nënvlerësojnë rolin e tij në procese të ndryshme politike, Gashi thekson se do të përpiqet maksimalisht që libri i tij për dr. Rugovën të mos i takojë asnjërit prej këtyre grupeve dhe do të mundohet me qenë sa më profesional që të jetë e mundshme.
Projektin për këtë libër ai e ka dorëzuar në Komunën e Prishtinës, e cila e ka mbështetë financiarisht, ndërsa këto ditë thotë se do ta dërgojë edhe në Ministrinë e Kulturës dhe në Ministrinë e Arsimit.
“Shpresoj fuqishëm që edhe këto dy institucione kanë me e mbështetë këtë projekt, në mënyrë që me dalë një botim/studim serioz/profesional për jetën/veprën e dr. Ibrahim Rugovës, e që do të mund të ishte i plasueshëm edhe ndërkombëtarisht”, tha Gashi.
Derisa libri për Adem Demaçin është pritë mirë, si nga lexuesit, ashtu edhe nga kritikët, Gashi beson shumë se libri për Rugovën ka me u pritë shumëfish më mirë.
Për shumë arsye libri për Ibrahim Rugovën do të jetë tjetërqysh prej atij për Adem Demaçin. “Dallimi esencial ka me qenë se derisa libri për Demaçin ka qenë biografi, ky për Rugovën ka me qenë monografi”, tha Gashi.