Një mrekulli mjekësore që vazhdon
Më 23 janar 1922, ora 11:00, ditë e hënë, në një spital të Torontos në Kanada, dr. Valter Kampbell po hezitonte. Më në fund vendosi. Guxoi të ndërmerrte një tentativë të fundit të dëshpëruar për shpëtimin e jetës së të sëmurit 14-vjeçar, Leonard Thomson. Ai vuante nga diabeti dhe ishte në gjendje ekstremisht të rëndë, pranë vdekjes së sigurt. Djali ishte i varfër dhe shtrimi e mjekimi i tij po kryhej nga spitali si lëmoshë.
Dr. Kampbell i injektoi atij një lëng mjekues krejt të ri, të paprovuar asnjëherë më parë te njerëzit. Por ishte treguar i aftë dy muaj më parë të ulte nivelin e sheqerit në gjak te një qen eksperimental me emrin Marjori. Bari i ri qe izoluar pak muaj më parë në laboratorin e profesorit Maclod në Toronto nga mjeku kanadez, Frederik Banting, i ndihmuar nga studenti i mjekësisë, Carl Best. Ata e nxorën atë nga gjëndra e pankreasit të kafshëve ose më saktë prej një grumbulli qelizash të posaçme si ishuj, që e prodhonin atë, e që prandaj u emërua insulinë. Lëngu u pastrua e u përpunua kimikisht më tej në laborator nga Xhems Kolip, por ende nuk ishte përdorur te pacientët me diabet për mjekim. Dr. Kampbell, pasi kreu injeksionin e parë, priti me ankth. Ai nuk e dinte që pas pak çastesh do të ndodhte magjia. Nuk e dinte që ai dhe djaloshi Thomson do hynin në historinë e lavdishme të mjekësisë. Sepse po hapnin për të sëmurët me diabet një botë të re plot shpresë. Ata po bëheshin protagonistë të një epoke të re në historinë e përballjes së mjekësisë dhe njerëzimit me diabetin, me këtë sëmundje të mbrapshtë, e cila u merrte në mënyrë të pamëshirshme jetën viktimave të tij, sidomos fëmijëve e të rinjve. Në sytë e çuditur të mjekut, insulina e injektuar atë ditë filloi ta mposhtte sheqerin. Analiza e glicemisë në gjak, orë pas ore, tregonte shifra në rënie. Djali u shpëtoi mrekullisht thonjve të vdekjes. Pak nga pak, ai doli nga koma e pashpresë. Leonard Thomsoni u bë kështu pacienti i parë në botë, që falë insulinës iu shpëtua jeta nga vdekja e sigurt. Kurse, dr. Banting, dr. Kolip, dr. Kampbell e studenti i mjekësisë Best dhe bashkëpunëtorët e tjerë pionierë e arkitektë të kësaj sfide unikale u ndjenë atë ditë njerëzit dhe mjekët më të lumtur në botë.
Epokë e re
Zbulimi e përdorimi i insulinës për mjekimin e diabetit e ndau historinë e kësaj sëmundjeje në mes. Ajo la pas epokën mijëravjeçare të dështimit e tragjedisë së pacientëve që vuanin atë sëmundje. Epoka e mundësisë të shumëpritur të shpëtimit dhe rikthimit të jetës me të gjithë gamën dhe koloritin e saj u hap për ta atë ditë. Që atëherë kanë kaluar plot 90 vjet. Disa miliona njerëz në botë me diabet kanë mundur të jetojnë, të punojnë, të prodhojnë, të krijojnë familje dhe gëzojnë jetën falë këtij bari mrekullues. Elisabet Hughes, pacientja amerikane 12-vjeçare, e bija e ish-sekretarit të Shtetit dhe ish- kryebashkiak i New Yorkut, Carl Hughes, ishte një nga ato. E dënuar të humbiste fatalisht jetën që në moshën fëminore nga kjo sëmundje, ajo mundi pas fillimit të mjekimit me insulinë, në të njëjtën vit me Leonard Thomsonin, të jetonte thuajse normalisht edhe 58 vjet të tjerë më pas. Para se të fillonte të mjekohej me barin e ri magjik, ajo ishte si një skelet kockë e lëkurë, që me zor mbahej gjallë falë dietës drakoniane të urisë, që praktikonte diabetologu më i famshëm i asaj kohe, Frederik Alen. Kura e tij qe për të sëmurët më torturuese se vetë sëmundja. Por ajo ishte alternativë e vetme e zgjatjes sadopak të ditëve të jetës. Motoja qe më pak ushqim, për më shumë jetë. Bari insulinë e ndryshoi kryekëput këtë dramë. Ajo nuk e shëroi diabetin, por e bëri të përballueshëm dhe të mposhtëm atë.
Kur Elisabeta u nda nga jeta në vitin 1981, ishte një grua e lumtur, e plotësuar, me arsim të lartë, me karrierë e veprimtari të pasur profesionale e shoqërore, e martuar me familje me fëmijë të saj dhe gjyshe e gëzuar me 7 nipër e mbesa. Ajo kishte bërë në trup deri ato ditë 42 mijë injeksione insulinë. Një rekord ky, që sot mund të kalohet nga shumë pacientë të tjerë me diabet në botë. Por mesazhi që ajo dha, është ende i vlefshëm për të gjithë: Falë insulinës, sëmundja e diabetit nuk përbën më pengesë për suksesin, cilësinë dhe aspiratat e jetës njerëzore.
Besoni ëndrrat!
Historia e zbulimit të insulinës dhe përdorimi i saj me sukses në mjekimin e diabetit përbën pa dyshim një nga sagat më fashinante e më frymëzuese të mjekësisë në tërësi. Në të u përzien një mori faktorësh, pasionesh, lojëra dramatike të fatit dhe mrekulli të papritura të tij. Vëzhgime dhe ide befasuese, si të ardhura nga qielli, këmbëngulje, dështime, solidaritet, ambicie, lakmi, xhelozi, intriga, rivalitete nacionaliste dhe personale, si dhe integritet, humanizëm, bujari e mirënjohje të karakterit njerëzor dhe profesional. Rruga e zbulimeve të mëdha duket se e tillë është: plot hendeqe, humnera e mjegullnaja, e njëkohësisht me të përpjeta, por edhe me dritë të papritur dhe me engjëj të çuditshëm që të marrin në krahë e të çojnë lart në majën e dëshiruar. Askush nuk e di misterin e datës 31 tetor 1920. Pse atë natë, në orën 2 të mëngjesit, kirurgu deri atëherë jo aq i suksesshëm, Frederik Banting, u zgjua befas nga gjumi në dhomën e vogël të shtëpisë së tij në qytezën London të Ontarios në Kanada? Përse kërkoi ta rilexonte përsëri me kuriozitet përvëlues një artikull mjekësor, që e pati parë shkarazi para se të flinte, në të cilin përmendej mundësia e ndikimit të një lëngu të prodhuar nga disa grupe qelizash brenda gjëndrës së pankreasit ndaj nivelit të sheqerit në gjak. E zgjoi ndonjë zhurmë? Ndonjë ëndërr? Apo ideja fatlume e ardhur papritur? Gjysmë i ngritur në shtrat, ai hapi dritën dhe rilexoi ngadalë e ngultas artikullin. Pastaj nxitimthi shënoi në bllokun që ishte në komodinë: Diabet; Lidhim kanalin e gjëndrës së pankreasit te një qen. E mbajmë gjallë qenin gjashtë javë sa gjëndra të thahet e të mbeten vetëm qelizat që prodhojnë lëngun, që thuhet se ndikon mbi sheqerin e trupit. Prej tyre nxjerrim lëngun dhe provojmë efektin te qeni. Kaq. Të shkruara në anglisht, gjithsej 25 fjalë. Fleta ku u shkrua, ruhet në po atë shtëpi të shndërruar në muze, një farë Meke e diabetologjisë. Ajo ka hyrë në histori si zanafilla e një prej zbulimeve më të mëdha të mjekësisë. Pas asaj nate, Bantingu si somnambul i magjepsur nuk do i ndahej dot më idesë të lindur në gjumë. Të gjitha ëndrrat mund të bëhen realitet pati thënë Walt Disney nëse i besojmë ato dhe u shkojmë pas me vendosmëri. Bantingu arriti ti realizonte ato që shkroi në fletën e bllokut. Ai zbuloi e prodhoi insulinën, çelësin magjik të shumëkërkuar të mjekimit të diabetit. Me 14 nëntor 1921, ai dorëzoi për botim rezultatet e zbulimit të tij. Atë ditë qe ditëlindja e tij e 30-të. Federata Botërore e Diabetit do e shpallte 14 Nëntorin më pas Ditën Botërore të Diabetit. Më tepër se talenti apo dituria ishin këmbëngulja, besimi, sakrificat dhe përkushtimi i pashoq që do të determinonin suksesin mrekullues të tij.
Fataliteti i ëndrrave të ndërprera
Zbulimi i insulinës qe finalizimi i një sërë përpjekjesh, i një morie hapash, njohurish, arritjesh, por edhe decepsionesh e dështimesh të grumbulluara në këtë fushë. Disa pionierë të tjerë patën ndjekur thuajse të njëjtën ide, kishin ndërmarrë iniciativa të ngjashme ose të njëjta, e ndonjë prej tyre ishte dokumentuar si e suksesshme. Minkovski dhe Mering patën vërejtur që në 1889-n shfaqjen e diabetit tek qentë, pas heqjes eksperimentale të gjëndrës së pankreasit. Në 1901-shin, Eugen Opi vërejti se vetëm heqja e plotë e disa qelizave të veçanta në formë ishujsh brenda tij ishin përgjegjëse për këtë. Në 1906-n, Ludvig Zulcer përdori ekstraktin e këtyre qelizave ishullore për të mjekuar diabetin e shkaktuar eksperimentalisht te qentë. Nuk dihet pse nuk shkoi më tej. Në 1911-n, E. Scot në Çikago n
