Një natë ndryshe me Sister Bliss

Njëra prej DJ’ve më të njohur në Britani, e njohur sidomos në skenën elektronike, do të zbresë sot në Prishtinë.
Sister Bliss, një ish themeluese e grupit “Faithless”, ndryshe ka një histori të jashtëzakonshme si muzikante para se të bëhej DJ. Ajo ka filluar t’i bije pianos që në moshën pesëvjeçare, pastaj kishte filluar me violinë, saksofon dhe me bas-kitarë.
Atë në Prishtinë e sjell prapë “Next Level”, përderisa koncerti edhe pse ishte paraparë të mbahej në një ambient të hapur, pritet të mbahet në një ambient të mbyllur.
“Koncerti do të mbahet në ‘Full House’ për shkak se nuk parashihet një mot i mirë, pra ai do të mbahet në ambiente të brendshme të këtij lokali”, tha për Express Ardin Badivuku nga kompania “Next Leve;”.
Ndryshe, në fillim Sister Bliss e kishte pseudonimin DJing, përderisa në Britani femrat DJ njiheshin me gishta. Ajo ishte paraqitur në klubet më të njohura të vendit, si në klubin shumë të njohur “Cream”, pastaj “Gallery” dhe në “Ministry of Sound”. Nga këtu ajo filloj të merret edhe me muzikë dhe bëhet e njohur ndërkombëtarisht.
“Kurse adhuruesit e kësaj DJ mund ta shohin atë këtë të premte duke paguar një biletë për vetëm pesë”, tha Badivuku nga ana tjetër.
Në fillim Bliss kishte hezituar të merrej me këtë profesion dhe kishte bërë vetëm disa demo, derisa ishte takuar me shokun e saj DJ Rollo. Por, edhe para këtij takimi ajo ishte e njohur në karrierën e saj në muzikën tekno. Të dy fillojnë të punojnë së bashku, përderisa ajo vazhdon karrierën si solo DJ. Këngët e saj “Life’s A Bitch” dhe “Badman” edhe sot janë hitet më të mëdha që u lëshuan në tërë Evropën. Ndërkaq ajo vazhdonte bashkëpunimin me Rollon, erdhi edhe deri tek emri i “Faithless”.
Por, më vonë ajo bëhet e njohur me albumin e saj të parë “Reverence”, në të cilin bëri hitin e ri “Sister Sister”, prej nga edhe e merr mandej emrin Sister Bliss. Ajo është e njohur edhe për hitin Back to Mine”.
“Sister Bliss në skenë pritet që të del në orën 1 pas mesnate, ndërkaq para saj do ta bëjë nxehjen Uran B”.
Producente dhe DJ
Sister Bliss përpos që është DJ, është edhe një instrumentiste dhe DJ. Për momentin ajo është ende duke prezantuar albumin e saj të fundit “Nightmoves”. Ky album nuk kishte albumin dhe sukseset e “Faithless”, por megjithatë turneu nëpër Evropë i saj duket se ka arritur sukseset që ajo kishte paraparë. Sister Bliss ka edhe një djalë, të cilin e kishte lindur në shtator të vitit 2006.