E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një në 5 të aksidentuar në rrugë humb jetën

25/03/2009  Durrës, bilanc tragjik shënon 348 politrauma ku kanë vdekur 70 persona

Segment problematik rruga Përroi i Agait-Plepa-Unaza e Shkozetit-Mbikalimi i Serave

DURRES- Bilanci i viktimave rrugore sa vjen e rritet në qarkun e Durrësit. Pavarësisht masave shtrënguese dhe ndihmës edhe me qarkullime, mjete dhe aparatura nga Tirana, rrugët e qarkut të Durrësit kanë bilance tejet tragjike krahasuar me të gjithë qarqet e tjera të vendit. Një në çdo të aksidentuar në rrugët e qarkut të Durrësit humb jetën, shifër kjo e bërë zyrtare kohët e fundit në një nga analizat që ka bërë Inspektorati i Policisë Rrugore. Në harkun kohor të një viti janë regjistruar gjithsej 348 politrauma, ndërkohë që kanë humbur jetën nga këto aksidente të rënda 70 qytetarë të moshave të ndryshme. “Efektivat e Policisë Rrugore të qarkut të Durrësit kanë një gjeografi shumë të shtrirë të rrugëve që kanë nën mbikëqyrje, ndërsa sinjalistika horizontale e vertikale, infrastruktura e dobët rrugore, shkelja e Kodit Rrugor dhe shumë arsye të tjera kanë dhënë shifrat e mësipërme”,-është shprehur shefi i Policisë Rrugore Xhemal Lushaj. Durrësi ka fare më pak aksidente në rrugë sesa Tirana. Kjo e fundit numëron 417 aksidente me 102 viktima dhe së bashku me Durrësin mbajnë peshën më të madhe të viktimave në rrugët e vendit. Efektivat e Policisë Rrugore të Durrësit ushtrojnë patrullime të pandërprera në disa nga segmentet me fluksin më të madh të qarkullimit të mjeteve. Sipas Lushaj, harta e detyrimit shtrihet nga Përroi i Agait deri në kufi me Tiranën, në komunën e Maminasit, me patrulla të përqendruara sidomos në zonën e akomodimit të pushuesve si në Plazh, Plepa, Shkëmbi i Kavajës, Golem, Currila, Porto Romano, zona këto shumë të frekuentuara gjatë gjithë vitit, por veçanërisht në verë. Policia ka pohuar se segment shumë problematik është rruga Përroi i Agait-Plepa-Unaza e Shkozetit-Mbikalimi i Serave ngase shërben si arterie kryesore e qarkullimit të mjeteve nga Tirana apo Durrësi drejt Jugut të Shqipërisë. Fakti se Durrësi ka 67 km vijë bregdetare dhe se plazhe të tilla si në Hamalle, Rrushkull, Ishëm, Lalëz, Draç, sektori Rinia, Bisht Pallë, Porto Romano, Currila, Plazh, Shkëmbi i Kavajës deri tek kufiri me Kavajën tek Përroi i Agait shënojnë pikun e pushuesve në verë detyron përforcimin e shërbimeve. Por autostrada Fushë-Krujë deri në Laç, Durrës-Tiranë-Durrës, Ura Dajlanit-Plepa, Sukth-Hamalle mbeten segmentet më problematike. Shefi i efektivave të Policisë Rrugore Xhemal Lushaj ka shtuar më pas se “Vetëm në gjatësinë Plepa-Ura e Dajlanit ka 110 ndërprerje rruge që kërkojnë shërbim policie”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›