E Diel, 1 Nëntor 2026

“Me Enver Hoxhën shqiptarët kishin dënim kolektiv, tani drejt BE-së

25/03/2009  Intervistë e Presidentit Topi dhënë gazetës kroate “Jutarnji List”

“Gjithçka që ngjiste gjatë kohës kur ishte gjallë Enver Hoxha është ngulitur thellë në kujtesën time. Shqiptarët ishin të dënuar me vuajtje kolektive”, - shprehet Presidenti Topi në një intervistë për gazetën kroate “Jutarnji List”. Ndërkohë ai shton se hapja e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit është domosdoshmëri.

Pyetje (gazetari Drago Hedll) - Shqipëria dhe Kroacia muajin e ardhshëm do të hyjnë në NATO. Sa është e rëndësishme kjo ngjarje për Ballkanin?

Presidenti Topi - Hyrja e Shqipërisë së bashku me Kroacinë në NATO ka rëndësi të jashtëzakonshme për vendin tim. Ky është një sendërtim i dëshirës së popullit shqiptar për integrim në familjen euroatlantike. Shqipëria nuk është më e izoluar. Me hyrjen në NATO ne bëhemi vend i sigurt dhe pjesë e një rajoni të sigurt, në të cilin bëjmë pjesë. Kjo siguri do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, sigurinë shoqërore dhe stabilitetin e institucioneve.

Pyetje - Ishit 28 vjeç kur vdiq Enver Hoxha. A besonit asokohe se gjatë jetës suaj Shqipëria do të bëhej anëtare e NATO-s dhe se do të jetonit në kapitalizëm?

Presidenti Topi - Gjithçka që ngjiste gjatë kohës kur ishte gjallë Enver Hoxha është ngulitur thellë në kujtesën time. Shqiptarët ishin të dënuar me vuajtje kolektive. Disa u ballafaquan në mënyrë direkte me këto vuajtje, të tjerë i përjetuan idirekt. Jetonim në një shoqëri plotësisht të kontrolluar, në të cilën nuk kishte liri të shprehjes, liri të lëvizjes si dhe asnjë lloj lirie ekonomike. Koha e Hoxhës shkaktoi shumë varfëri. Sot popullsia e Shqipërisë, relativisht e re, jeton e punon në kapitalizëm. Ajo pjesë e njerëzve që ende janë nostalgjikë për kohën e Enver Hoxhës, nuk ka më asnjë ndikim.

Pyetje - Kur do ta paraqesë Shqipëria kërkesën për anëtarësim në BE?

Presidenti Topi - Mendoj se kërkesa jonë për anëtarësim të plotë do të bëhet në një të ardhme të afërt.

Pyetje - Në Shqipëri në fund të muajit qershor do të mbahen zgjedhjet parlamentare. A do të jenë të ndershme, duke marrë parasysh vërejtjet se zgjidhjet e mëparshme nuk kanë qenë krejtësisht të ndershme?

Presidenti Topi - Nëse zgjedhjet e qershorit do të jenë të lira, korrekte dhe të ndershme, ato do të jenë vendimtare për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Zgjedhjet e mëparshme në Shqipëri nuk mund të përshkruhen si të ndershme. Kësaj here Parlamenti shqiptar ka miratuar në kohën e duhur një ligj zgjedhor, çka do të thotë se ekziston konsensus që zgjedhjet do të jenë korrekte.

Pyetje - Ju nuk keni firmosur ligjin kontravers mbi lustracionin, por edhe nuk e keni kundërshtuar?

Presidenti Topi - Ligji është shkruar që para dhjetë vjetësh. Edhe asokohe isha i përfshirë në politikë dhe një nga mbështetësit më zjarrtë të hapjes së dosjeve. Mendoja edhe atëherë, edhe tani po kështu mendoj, se njerëzit që duan të bëjnë karrierë politike duhet të jenë të pastër. Lustracioni ka qenë temë e një diskutimi të gjerë në shoqërinë shqiptare. Më në fund ligji u votua në Parlament nga shumica në qeveri. Mund të firmosja, ta kundërshtoja ose të heshtja. Kjo e fundit nënkupton se ligji hyn në fuqi menjëherë. Përherë kam qenë mbështetës i hapjes së dosjeve. Por ka pasur shumë çështje mbi kushtetutshmërinë e këtij ligji. Për shkak të këtyre qëndrimeve kundërshtuese vendosa të heshtja. Partitë e opozitës dhe disa organizata kanë kërkuar mendimin e Gjykatës Kushtetuese, e kjo e fundit i është drejtuar Komisionit të Venecias (Komisioni Europian për Demokraci Nëpërmjet së Drejtës) për këshillim. Në fund Gjykata Kushtetuese mori vendimin për ngrirjen e zbatimit të këtij ligji derisa të arrijë sugjerimi nga Venecia.

Pyetje - Sipas organizatave që matin korrupsionin, Shqipëria qëndron ende lart. A mendoni se do ta fitoni luftën kundër korrupsionit?

Presidenti Topi - Është bërë një përparim i madh në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. Por ky përbindësh ende ekziston. Njerëzit që ndeshen me korrupsionin, më shkruajnë letra, por informacionet mbi të i marr edhe nëpërmjet kanaleve zyrtare. Korrupsioni është si puna e virusit, që mbërthen tërë organizmin. Ka hyrë në institucionet publike dhe ato të drejtësisë. Korrupsioni është zgjeruar edhe në sektorin privat. Në luftën kundër korrupsionit na duhet të gjejmë metoda institucionale, por edhe të fitojmë mbështetjen e gjerë publike.

Pyetje - Kroacia këtë vit do të heqë vizat për qytetarët e Shqipërisë. A do të ketë pastaj marrëdhënie më të mira ekonomike mes dy vendeve?

Presidenti Topi - Jam takuar me Presidentin Mesiç, me kryeministrin Sanader dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të vendit tuaj. Marrëdhëniet politike mes nesh janë më të mirat në histori, që do të thotë se duhet të fillojnë të zhvillohen edhe ato ekonomike. Kemi projekte të përbashkëta dhe të tilla do të ketë akoma më shumë kur të bëhemi anëtarë të së njëjtës familje: NATO-s dhe Bashkimit Europian.

Pyetje - Në takimin e fundit të kryeministrave Sanader e Berisha në Zagreb u fol për mundësinë që Shqipëria dhe Kroacia të ndërtojnë bashkërisht një central bërthamor.

Presidenti Topi - Çështja e energjisë është një temë shumë e nxehtë. Me rastin e vizitës së fundit të Presidentit francez Sarkozi në Itali është biseduar për ndërtimin e centraleve bërthamore. Sot ende nuk jam në gjendje të them nëse Shqipëria do të ndërtojë ndonjë central bërthamor me këtë apo me atë shtet, por këtë do ta bisedojmë, në mënyrë që të rritim me kujdes burimet tona energjetike. Tani për tani Shqipëria më së shumti varet nga hidropotencialet, por po këmbëngulim të rritim edhe burimet nga termocentralet. Po, planifikojmë që në të ardhmen të ndërtojmë central bërthamor, por për këtë ende nuk kemi vendime konkrete.

Pyetje - Para pak kohësh keni vizituar Kosovën. Si do ta përshkruanit raportin tuaj ndaj këtij shteti, duke pasur parasysh faktin shumë të ndjeshëm se edhe atje jetojnë shqiptarë etnikë?

Presidenti Topi - Ka kaluar një vit që kur Kosova u bë e pavarur. Udhëheqja kosovare po e drejton vendin e saj me sukses në kuadrin e vendosur nga bashkësia ndërkombëtare. Ajo që theksohet gjithandej është se Kosova po ndërton një shoqëri multietnike. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka ftuar Presidentin serb Boris Tadiç që të vizitojë Prishtinën. Mendoj se tani është koha e duhur që të çlirohemi nga ngarkesa e së kaluarës, skenarë që kanë prodhuar vuajtje në mbarë Ballkanin. Kjo është koha për bashkëpunim politik dhe ekonomik të të gjitha vendeve të Ballkanit.

Pyetje - Vendimi i qeverisë shqiptare që të lëshojë një port për nevojat e Kosovës si dhe ndërtimi i autostradës që do të lidhë të dy shtetet ka shkaktuar spekulime se po punohet në njëfarë mënyre për përgatitjen e një bashkimi të mundshëm të dy vendeve. Çfarë mund të thoni për këtë?

Presidenti Topi - Do t’ju përgjigjem në mënyrë direkte. Kur gjatë verës së kaluar Presidenti maqedonas Crvenkovski vizitoi Shqipërinë, shprehu dëshirën që t’i mundësojmë Maqedonisë hyrjen në portin tonë në Durrës. Përgjigjja jonë ishte se porti i Durrësit është i hapur në përputhje me politikën tonë për lëvizjen e lirë të mallrave dhe të njerëzve. Me këtë synim po ndërtojmë edhe autostradën Durrës–Kukës–Prishtinë, në mënyrë që të mundësojmë lidhje jo vetëm me Kosovën, por me tërë rajonin, me qëllim që të gjithë ta kenë më të lehtë daljen në detin Adriatik. Lëshimi i porteve tona dhe i kapaciteteve të tyre kontribuon në zhvillimin e mbarë rajonit. Dhe kur vjen në pyetje Kosova, ajo do të ketë përfitimin nga kjo, por nga ana tjetër do të ketë përfitim edhe Shqipëria. Megjithatë, kjo nuk ka asnjë lidhje me spekulimet për ndonjë bashkim.

Pyetje - Qëndrimi juaj për Kosovën dhe marrëdhëniet tuaja me këtë shtet a i kanë cenuar marrëdhëniet tuaja me Serbinë?

Presidenti Topi - Për këtë nuk bëhet fjalë. Kur më pyetën për Shqipërinë e madhe, mbi atë nëse duan që Shqipëria dhe Kosova të bashkohen, unë u thashë shumë haptazi se Shqipëria e Kosova së bashku me vendet e tjera të rajonit do të bashkohen, por në Bruksel, qendra administrative e Europës së Bashkuar dhe seli e NATO-s. Atëbotë edhe ata më ambiciozët do të heqin dorë përfundimisht nga ideja e të kthyerit prapa.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›