E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet gjyqi i Bollanos, mungon avokati

25/03/2009  Seancën e ardhshme jepet vendimi

VLORE- Seanca e fundit e gjyqit që sheh si të pandehur Vasil Bollanon, kryebashkiakun e Himarës, është shtyrë. E vendosur për t’u zhvilluar dje në orën 10.00, në sallë nuk është prezantuar avokati mbrojtës i kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano.

Petraq Curri duhej të lexonte dje motivacionin e mbrojtjes, pas pretencës së dhënë nga prokurori i çështjes Sokol Malaj, i cili kërkoi dënimin me 1 vit burg dhe një gjobë prej 5 milionë lekësh.

Tashmë do të jetë mbrojtja që do të thotë fjalën e saj. Dje avokati Curri nuk u paraqit në sallë, çka bëri që gjyqtari i çështjes të shtyjë seancën për në datë 7 prill, ora 03.00, ku parashikohet të jepet verdikti i gjykatës për Vasil Bollanon. Gjyqi ndaj kryebashkiakut të Himarës ka rreth një vit që vazhdon dhe më së shumti janë shtyrë seancat duke zvarritur kështu dhe dhënien e vendimit nga trupi gjykues. Vasil Bollano akuzohet për shpërdorim detyre, pas veprimit të urdhëruar prej tij për heqjen e tabela në aksin rrugor Llogara-Qeparo me pretendimin se ato duheshin shkruar edhe në Greqisht. Këto tabela u vendosën nga Drejtoria e përgjithshme e Rrugëve për të ndihmuar kryesisht turistët për orientim në zonat turistike të jugut të vendit. Por Bollano urdhëroi Policinë Bashkiake të Himarës që t’i hiqnin ato duke i shkaktuar shtetit shqiptar një dëm në miliona lekë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›