E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nje ngjarje epokale ndodhi para syve tane

Ndryshimi i kërkuar, i pritshëm dhe i paralajmëruar, ndodhi. Zgjedhja e një afrikano-amerikani për të ushtruar detyrën e përgjegjësinë më të lartë politico-institucionale të SHBA-ve, rrjedhimisht edhe të planetit, është shenja e parë dhe e fundit e këtij ndryshimi. Në këtë kuptim, nuk ka rëndësi fare se ç‘lloj presidenti do të jetë Barack Obama. Dua të them, se edhe në ndodhtë që Barack Obama të jetë një president më pak i suksesshëm se sa George W. Bush, ky fakt nuk ka për ta çbërë dot përmasën e ngarkesën historike të asaj që amerikanët bënë dy ditë më parë. Amerikanët sfiduan të gjithë ata që mendonin, se shoqëria amerikane nuk është ende e përgatitur për të patur një president me ngjyrë, të gjithë ata që mendonin se në momentin e fundit do të nxirrte kokë efekti "Bradley", dmth një kriptoracizëm kapilar që prodhonte gjatë fushatës mbështetje të rreme për Obama-n, e të gjithë ata që mendonin se në momentin e fundit gjërat do të kushtëzohen nga ringjallja e riaktivizimi virulent i një apeli të vjetër të botës wasp-iane në mbrojtje të traditës e në respekt të historisë.

"Nuk mund ta mohojmë, se 4 nëntori 2008 është një ditë historike", tha pak a shumë John McCain përpara turmave të dëshpëruara republikane teksa po gdhinte një ditë e re e teksa gjithë bota kish marrë vesh se Presidenti i 44-t i SHBA-ve e kish emrin Barack Obama. Ndërsa ky i fundit, tok me 250 mijë banorë të Chicago-s në Grant Park, vijonte të gërmëzonte pa u lodhur sloganin "Yes, we can", sikur donte të thosh se ndryshimi nuk mbaron këtu. Përkundrazi, vetëm sa ka filluar.

Por le ta lëmë hë për hë agjentin putativ të ndryshimit (është një gjë për t‘u parë, nëse Barack Obama do të jetë në gjendje të përballet me guxim e inteligjencë me sfidat e "dy luftrave, të planetit në rrezik e të krizës më të keqe financiare gjatë shekullit të fundit"), e le të rrimë edhe pak tek ai ndryshim që tanimë ka ndodhur, i cili - e përsëris - mund të regjistrohet qysh tani si një nga ngjarjet më të bukura e më të rëndësishme të historisë amerikane. "O Zot, o Zoti im! Nuk arrij ta besoj këtë që ka ndodhur" - këto ishin fjalët që u dilnin shumë njerëzve me ngjyrë, me të marrë vesh lajmin se Barack Obama është zgjedhur Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (O Zot, çfarë drame do të ish për këta njerëz, nëse rezultati i zgjedhjeve do të ishte i ndryshëm).

E nuk janë vetëm njerëzit me ngjyrë që i gëzohen lajmit. Në turmën qindra mijëshe të Chicago-s kishte një numur të madh të bardhësh që qanin nga gëzimi. Njëra syresh, një meso grua, kish marrë me vete vajzën gjashtëmbëdhjetë vjeçare: "Dua që ajo të mund t‘u thotë nesër fëmijëve të vet se ishte këtu, në këtë park, për të bërë e për të kqyrur historinë". Si lum amerikanët që kanë fatin të asistojnë momente kaq të bukura të jetës së tyre e të jetës së të gjithëve!

***

Është e qartë, se do të flitet gjatë për faktin, që "the change has come to America". Por ç‘do të ndodhë tani? Do të jetë Barack Obama në gjendje të përmbushë pritmëritë e njerëzve në Amerikë e nëpër botë, të cilat (pritmëritë) ai vetë i ka mbjellë gjatë fushatës? Do të dijë ai të përballet me sfidat e kësaj bote? Do të dijë ai të jetë brenda Shtëpisë së Bardhë po aq frymëzues sa ka qënë nëpër sheshet e qyteteve të Amerikës? Ja, këto janë pyetje të mëdha, të cilat kanë nevojë për përgjigje. Secili prej nesh ka marrë pjesë në një farë mënyre në këtë fushatë. E secili prej atyre që kanë mbështetur Barack Obama-n është motivuar prej shpresës apo prej besimit, se Barack Obama do të dijë të ndryshojë Amerikën për të ndryshuar botën.

Këtu është vendi për t‘i parë SHBA-të edhe me sy apo syze shqiptare. E në këtë mes, ata shqiptarë që e duan demokracinë liberale, por që as kanë fuqi ta mbjellin atje ku s‘mbin dot kollaj e as kanë fuqi ta mbrojnë kur preket e lëndohet, presin më shumë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të paktën, presin të mos ballafaqohen më me ca zhgënjime, që kanë ardhur prej mbështetjeve politike ndaj të vetmit gangster të politikës shqiptare (e patë këtë gangster, besoj, se ç‘bëri para tri ditësh për herë të n-të në parlamentin shqiptar?). Këtu nuk e kam fjalën për personazhe e individë të llojit të James Traficant-it, apo të Tom Ridge-it, të cilët kanë qënë lidhur me këtë gangster për të mbushur xhepat e tyre (kuptohet, në mënyrë legale, por në të njëjtën kohë në mënyrë krejt imorale).

Individë e personazhë të tillë do të ketë gjithmonë në Amerikë, ashtu si kudo gjetkë. Këtu e kam fjalën edhe për diplomacinë amerikane, e cila mbështetjen e vet ndaj establishment-eve të ndryshme sunduese nëpër botë nuk e kondicionon në çdo rast me respektimin nga ana e këtyre establishment-eve politike të principeve e standarteve të demokracisë liberale. Ndodh në rrethana të caktuara, që kjo mbështetje të kondicionohet ose nga interesat nacionale amerikane (në këtë botë hobbes-iane ku jetojmë, këto interesa do të mbeten përjetë fari ndriçues i diplomacisë amerikane), ose nga presioni i lobingjeve, të cilat ngrihen mbi bazë interesash e jo idealesh, ose nga mendjelehtësia e shtetarëve të lartë amerikanë (përfshirë Presidentët) në qasjen ndaj praktikave jo demokratike, iliberale e të korruptuara të klikave sunduese të vendeve si Shqipëria.

Është e qartë se është e zorshme t‘i përligjësh shqiptarët, teksa ia kanë besuar administrimin e pushtetit e qeverisjen e tyre një njeriu si Sali Berisha (për shqiptarët, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, ka megjithatë një alibi: nuk janë ende në gjendje të prodhojnë instrumenta politikë, ligjorë, institucionalë e kulturorë, nëpërmjet të cilëve të minimizojnë dëmet e ndonjë udhëheqësi të paudhë apo të garantojnë moszgjedhjen e këtij soji udhëheqësish). Por nuk mund të justifikosh amá diplomacinë amerikane, teksa pranon si interlokutorë (apo njeh si miq) cubë provincash si Sali Berisha i Shqipërisë. Nuk mund të justifikosh gjithashtu George Bush plakun e George Bush të riun, të cilët u shndërruan për një kohë të gjatë në mentorë të këtij cubi. Çfarë zhgënjimi kolosal kanë qënë atë e bir për shqiptarët, që kanë luftuar këto vite për pakëz demokraci më shumë në vendin e shqipeve! Shyqyr që mori fund koha e tyre!

Për të evituar situata të tilla, nuk duhet ndonjë diplomaci që të injorojë interesat nacionale të SHBA-ve; as ndonjë diplomaci që t‘i shpallë luftë botës së lobingjeve në vendin e tyre. Jo, duhet thjesht një diplomaci, e cila, në marrëdhëniet me qeveri, shtete e udhëheqës, të ketë si bottom line dy gjëra: respektin ndaj parimeve të demokracisë e respektin ndaj standarteve të shtetit të së drejtës. Duhet një diplomaci, që të frymëzohet nga ajo që tha pas zgjedhjeve e me zë të lartë presidenti riosh e rishtar i SHBA-ve: forca jonë nuk qëndron tek armët, tek madhëstia ekonomike apo tek resurset natyrore, por qëndron tek vlerat, tek idealet, tek demokracia, tek liria. Diplomacia amerikane është motivuar herë pas here nga kjo filozofi. Por s‘do të ishte keq që të motivohej gjithë kohën.

Ǒlidhje ka ky merak i imi i hershëm me fitoren e freskët të Barack Obama-s në zgjedhjet presidenciale amerikane? Thjesht do doja që Barack Obama t‘i jepte diplomacisë amerikane atë pamje idealiste, të cilën ajo gjithmonë e ka rivendikuar, por rrallë herë e ka merituar. Dhe kjo pamje vjen nga një rol e funksion idealist në mbrojtje të demokracisë liberale. Po dje, Barack Obama qortoi të gjithë ata që kishin vënë në dyshim "the power of our democracy". Por nuk tha asgjë lidhur me ata që kanë vënë në dyshim fuqinë e gatishmërinë amerikane për të promovuar e mbrojtur "the power of democracy abroad". Le të shpresojmë se "agjenti i ndryshimit" do ta demonstrojë në mënyrë gjenuine këtë fuqi e këtë gatishmëri. E kështu, erërat e ndryshimit do të fryjnë nga të gjitha anët.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›