E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjalët nuk e lëndojnë

Nëse George Bush i merr si personale fyerjet, këtë nuk e tregonte aspak. Më 23 tetor, John McCain, që dikur i doli krah Presidentit pavarësisht një marrëdhënieje personale të tensionuar, ia nisi një ligjërate ku renditi dështimet e administratës "Bush". Ai kërdisi Presidentin "për zgjatjen e luftës në Irak me vite, rritjen e madhësisë së qeverisë", si dhe për injorim të vullnetit të Kongresit. "Ne i lamë gjërat të na dalin krejt jashtë kontrolli", tha McCain për "The Washington Times". Sulmi i tij tingëllonte si një reklamë e Obama-s, vetëm se i mbushur me më tepër zemërim. Në po të njëjtën ditë, Bush ftoi një grup grash nga Lindja e Mesme për një bisedë joformale në Shtëpinë e Bardhë. Ai pozoi për fotografi dhe iu përgjigj pyetjeve, pjesë e përpjekjes së tij për të treguar se lufta kundër terrorizmit nuk është luftë kundër islamit apo botës arabe.

"Kur vjen puna te pikëpamjet e mia për myslimanët, unë besoj se ne i lutemi të njëjtit Zot", u tha ai grave të ftuara. "Unë them se ndajmë të njëjtat besime. Unë besoj se nënat myslimane duan që fëmijët e tyre të rriten në paqe". Por, në një moment, Bush nisi të flasë për veten. "E di që kam një imazh", tha ai. "Nuk jetoj në një fshikëz". Teksa Presidenca e tij po merr fund, Bush e ka mbushur kalendarin me më shumë nga këto aktivitete joformale, jokonfrontues, ku ai mund të shfaqë anën personale më të butë, përpara audiencave që janë krenarë, madje të entuziazmuar që ndodhen pranë Presidentit.

Jashtë Shtëpisë së Bardhë, ata nuk është e lehtë t‘i gjesh. Bush-i do të largohet nga detyra në janar me ndoshta përqindjen më të ulët të mbështetjes në popull që ka pasur ndonjë President modern. Kritika e Bush-it është ndoshta po kaq popullore mes republikanëve sa edhe mes demokratëve. Obama e ktheu të kaluarën e Bush-it në temë qendrore të fushatës së tij. Megjithatë, ata që e njohin Bush-in thonë se ai i ka përballuar me gjakftohtësi sulmet. Bush-i nuk ka qenë kurrë një njeri që të torturojë vetveten me dyshime apo të vetëndëshkohet me "po sikur". Edhe në momentet më të errëta të Presidencës së tij, muajt më të përgjakshëm të kryengritjes pas pushtimit të Irakut; reagimit shkel e shko pas uraganit "Katrina", nuk pati lajme për një President të shushatur që u fliste portreteve në krahun perëndimor. Atij i intereson opinioni i popullit amerikan, miqtë dhe ndihmësit e afërt thonë se nuk është shurdh ndaj faktit që është kthyer në një objekt talljeje.

Por, ata thonë se ai mbetet gjithashtu me bindje të patundur se historia do t‘i shohë si vendime të drejta ato që ai i ka marrë. Ndihmësit e Presidentit nuk janë gjithnjë kaq filozofikë apo falës. Shumicës prej pjesëtarëve të stafit të tij u erdhi keq që Presidentit nuk iu ofrua një rol i spikatur si folës në Konventën Republikane në shtator; ata shfrynin privatisht se Bush, i cili fillimisht qe planifikuar të fliste në natën e parë, më vonë u hoq nga lista prej ekipit të fushatës së McCain. Në fund, Bush u shfaq vetëm me një mesazh filmik. Disa prej miqve dhe ndihmësve u ankuan direkt tek ai për atë që e konsideruan si një fyerje të pafalshme. Bush-i u përpoq t‘i qetësojë. "E kuptoj", tha Bush, sipas dy njerëzve të përfshirë në këtë bisedë. "Edhe mua m‘u desh të distancohem disi nga im atë gjatë fushatës".

Ata të fushatës së McCain mohojnë se e kanë penguar Bush-in të marrë pjesë në Konventën e Republikanëve. Por, gjithsesi fyerja e tyre ndaj Presidentit vjen në versionin e tyre të ngjarjes. Bush dhe Dick Cheney u planifikuan fillimisht të flisnin në natën e parë. Por, kur një uragan kërcënoi Bregun e Gjirit atë ditë, partia e shtyu fillimin e bashkë me të edhe fjalimin e Bush-it. "Gjëja e fundit që partia kishte nevojë ishte që t‘u kujtonte njerëzve çdo gabim trashanik që kjo administratë ka bërë me ‘Katrinën‘", thotë këshilltari i McCain. "Ishte një makth". Këshilltari thotë se ata nuk u përpoqën ta mbajnë Bush-in larg, por pranon se gjetja e një kohe tjetër për të folur nuk qe një prioritet. "Ai ka përqindjen më të ulët të mbështetjes që ka pasur ndonjë President në histori dhe ata ankohen?", - thotë këshilltari. "Bush e kupton mjedisin politik ku ndodhemi. Ose ndoshta nuk e kupton".

Bush është shfaqur vetëm një herë në publik me McCain-in gjatë fushatës. Në mëngjesin pas primareve të Texas-it në mars, të dy drekuan në Shtëpinë e Bardhë dhe më pas dolën para gazetarëve. Në atë kohë, McCain po përpiqej të fitonte bazën konservatore të Partisë Republikane dhe shpresonte që një aktivitet me Bush-in do të ndihmonte. Ka shumë pak ngrohtësi mes Presidentit dhe senatorit. Në vitin 2000, aleatët e Bush-it i vunë shkopinj në rrota përpjekjes së McCain-it për Presidencën me një fushatë në South Carolina, ku këmbëngulnin se ai qe baba i një fëmije të jashtëligjshëm. Më pas, McCain bëri paqe me Bush-in për qëllime politike, por dëmi nuk mund të zhbëhej.

Para gazetarëve në Kopshtin e Trëndafilave ata qëndruan vetëm 10 minuta. Bush i rrahu shpatullat McCain-it dhe buzëqeshi për kamerat. Një gazetar pyeti McCain-in nëse të dy do të bënin fushatë së bashku. "Shpresoj që ai do të bëjë fushatë për mua sa kohë që i lejon axhenda shumë e ngjeshur", u përgjigj McCain. Pak çudi bën fakti që Bush-i ka qenë i kënaqur të ruajë distancën. "Ai e ka kuptuar këtë situatë dhe nuk dëshiron të ndikohet", thotë një ish-këshilltar që mbetet pranë Bush-it. Një tjetër mik thotë se Bush-i e dinte që sulmet do të vinin. "Ai e mblodhi mendjen gjatë zgjedhjeve të mesmandatit në 2006-ën, se do të bëhej shënjestra e preferuar", thotë miku i tij. Disa këshilltarë të Bush-it thonë se ndihen të çliruar që gazetarët politikë, të angazhuar me fushatën, nuk nisin të shohin më me lupë çdo hap apo lëvizje të gabuar të Presidentit.

Bush-i ka nisur të shohë nga jeta pas Zyrës Ovale. Miqtë thonë se me shumë gjasa do të shkojë sërish në Dallas, aty ku ai dhe Laura jetonin para se Bush-i të bëhej Guvernator. Texas-i mbetet kufiri i fundit i Bush. "Ka shumë dashuri për familjen Bush dhe kjo përfshin të gjithë familjen", thotë James Francis Jr., një mik i ngushtë i Presidentit. Francis thotë se, me shumë gjasa, Bush do të shkruajë kujtimet e tij dhe mbajë fjalime. Por fokusi kryesor do të jetë ndërtimi i librarisë së tij, si dhe një institut politikash për të promovuar demokracinë në Lindjen e Mesme. Laura Bush, e cila thuhet se e pëlqen Washingtonin edhe më pak se i shoqi, mezi po pret gjithashtu të rikthehet në një jetë normale. "Më tha se ka 14 vjet që nuk gatuan", thotë Ruth Altshuler, një tjetër mike e ngushtë e familjes Bush. "Mendoj se do t‘i duhen ca muaj të marrë veten e më pas të integrohet gradualisht në jetën e Dallasit", thotë ajo. "Të gjithë do të duan që ajo të bëhet kryetare e nderit e gjithçkaje".

Javën e kaluar, Bush pati një ide se çfarë lloj turmash miqësore do ta presin kur të kthehet në shtëpi. Gjatë një barbekjuje me qëllim grumbullim fondesh, ai i rrëfeu audiencës në lidhje me momentin më të mundimshëm nga ana nervore e Presidencës së tij: hedhja e topit të parë në Serinë e Bejsbollit në vitin 2001, pas 11 shtatorit. "Entuziazmi i njerëzve në Texas-in Perëndimor për këtë njeri ishte i paparë", thotë Don Evans, një prej miqve më të vjetër të Bush. "Ishte një ngjarje që ia ngriti shumë humorin, pasi pati shumë brohoritma". Pikërisht ai lloj adhurimi që e bën një njeri të mendojë se një ditë ndoshta do të dojë të hyjë në politikë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›