E Diel, 1 Nëntor 2026

Nouriel Roubini, profeti i katastrofës

Nouriel Roubin të lë përshtypjen e një njeriu shumë të ditur. Mëngjesin e një të shtune shtatori, i ulur në një kolltuk në zyrën e tij në Nju Jork, më pyet teksa pi gjithë qejf çajin: "Dëshiron edhe ti pak?" Ndërkohë, vetëm pak metra larg tij "Wall Street" po rrëzohej, ashtu siç ai e kishte parashikuar. Një krizë e thellë ekonomike do të paralizonte ekonominë e Amerikës dhe pastaj të të gjithë botës. "Më duhet ta pranoj se nuk më vjen aspak mirë që kam pasur të drejtë në ato që thashë", tregon Roubini. Dy vjet më parë, me Roubinin, djalin e një tregtari tapetesh në Stamboll, ishin tallur të gjithë ekspertët më të mëdhenj të ekonomisë botërore. Në një konferencë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Roubini kishte parashikuar ardhjen e një katastrofe ekonomike. Pas ndërhyrjes së tij, moderatori i konferencës kishte replikuar pa "mëshirë". "Në sallë të gjithë nisën të qeshnin. Mendonin se isha i çmendur", kujton ai. Në atë kohë ishte momenti i parave të "lehta", kur Dow Jones rritej me dhjetë për qind në vit dhe menaxherët e bankave të mëdha fitonin miliona dollarë. Por sot situata ka ndryshuar. Të gjithë jemi duke jetuar një krizë të krahasueshme me Depresionin e Madh të 1929-ës, ndërsa Nourie Roubini është bërë një nga ekonomistët më të kërkuar të momentit. Ai merr pjesë në mbledhje në Davos, Paris, Hong-Kong dhe Londër, shkëmben këshilla me presidentin e Bankës Qendrore Evropiane dhe drejtuesit e Shtëpisë së Bardhë. "Dje isha në Londër, ndërsa një ditë më parë në Konektikat, tashmë nuk fle më", tregon ekonomisti. "Kur njerëzit nuk më besuan, nuk u ofendova. Shpesh atyre u duhet kohë për të kuptuar gjërat". Për Roubinin që sapo ka mbushur 50 vjeç, është njëlloj sikur ka nisur një jetë e re. "Nuk kam frikë nga plakja, puna ime bëhet çdo ditë e më shumë interesante". I lindur në një familje iraniane, shpesh ka udhëtuar nga një vend në tjetrin. Nga Stambolli në Teheran, nga Tel Avivi në Milano. Kur ishte fëmijë ka jetuar në shumë vende për të ndjekur nga afër bizneset e të atit. Në moshën 24-vjeçare, pasi u diplomua në "Bokoni" u largua nga prindërit për t‘u nisur drejt Amerikës. Kishte zgjedhur Universitetin prestigjioz të Harvardit, sepse, siç shpjegon, "ishte më i miri". Pastaj nisi të japë mësim në Universitetin e Nju Jorkut. "Kjo është puna ime me kohë të plotë", thotë. Është ajo që i pëlqen më shumë dhe nga e cila u shkëput vetëm nga 1998-2000 për të hyrë në rrethin e këshilltarëve të ekonomisë në Shtëpinë e Bardhë, në kohën e administratës së Klintonit.

Njeri me shpirt kundërshtimi

Në ambientin akademik, fama e menjëhershme e Roubinit nuk u prit mirë. Deri pak kohë më parë njihej vetëm për jetën në lëvizje dhe festat e natës, se sa për teoritë e tij ikonoklaste. "Kur mbërrita në Uashington, kujton Romain Ranciere, profesor i shkollës së ekonomisë në Paris, "Nouriel ishte i famshëm, sepse kishte një shtëpi të madhe dhe organizonte shumë festa". Më pas, Ranciere shton se i ishte dukur paksa "vulgar" dhe më pas thotë: "Roubini nuk është Nostradamusi, nuk ka shpikur një mënyrë të re të të menduari në ekonomi. Ka zgjedhur një pikëpamje, të cilën e ka mbështetur gjatë gjithë kohës, siç bën një njeri me shpirt kundërshtimi". Sipas disave, Nouriel Roubini është bërë i famshëm falë këmbënguljes më shumë se sa talentit. Ky ekonomist, që e quan veten edhe sipërmarrës, ka qenë shumë i prerë në përhapjen e analizave të tij. Ai ishte ndër të parët që kishte një blog, edhe pse në fillim askush nuk i kushtonte shumë vëmendje. Për të "shitur" njohuritë e tij themeloi agjencinë për konsulencë RGE (Roubini Global Economics), ku punojnë rreth 40 veta. Emri i tij është i njohur nga publiku, por Roubini më të vështirë e ka të dëgjohet prej kolegëve të tij. "Ata të brezit të tij e konsiderojnë ekonominë si një teori të aplikuar", mbështet Roubini. Në librat e tij llogaritjet matematikore, ose ekuacionet thuaje nuk ekzistojnë. Ai flet për gjithçka: nga inflacioni te çmimi i benzinës, nga GDP-ja te rrogat. "Është pak i çrregullt, pak si shumë latin", thotë antropologu dhe sociologu Paul Jorion, profesor në Universitetin e Kalifornisë dhe Los Anxhelosit. Roubini është konsideruar si një "rast i veçantë", tregon Thoma Philippon, një pedagog në Nju Jork. Dr. Doom (ashtu siç e quajti "New York Times") i kalon pushimet në San Trope. Apartamenti i tij në Nju Jork i ngjan atij të një hipije, i arreduar me mobilie metali dhe ngjyra të ndezura. Nga tavani varen disa sfera xhami, të bëra nga një artist modern, ndërsa në mur janë fotot e një feste të madhe në Tel Aviv. Roubinit nuk i intereson vetëm ekonomia. Kurioziteti i madh e ka shtyrë të udhëtojë shumë, të flasë shumë gjuhë, të dojë si muzikën lirike ashtu edhe repin. Miqtë e tij të gjithë betohen se është një njeri argëtues. "I pëlqejnë shakatë dhe në këtë lagje është një nga njerëzit më simpatik", shton portieri i apartamentit ku ai jeton. Në mëngjes, kur merr gazetën, flet me të për aktualitetin dhe administrimin e krizës financiare nga ana e administratës së Bushit, që e quan "republika e bananeve".

Profesori i vitit

Roubini është një njeri i këndshëm. Studentët e tij e zgjodhën profesorin e vitit. Ky aspekt i karakterit të tij të çorienton paksa, sepse, në të vërtetë, është shumë larg nga imazhi i atij që njerëzit kishin krijuar për të. Prania e tij në debatet apokaliptike nuk është ndonjë risi: që në 2004-ën ai foli për goditjen që do të pësonte ekonomia amerikane pas disa vitesh. Petet Kenen, profesor në Universitetin e Kolumbias, që e takon rregullisht nëpër konventa, gjithmonë ka menduar se është një njeri i ashpër. "Nuk e kam parë kurrë të buzëqeshë", thotë ai. Në të vërtetë, Roubini e ka të vështirë të qeshë. Shumë e quajnë si një njeri të trishtuar, që shëtit gjithë botën, por pa vendosur rrënjë në asnjë vend, me pak fjalë bën pjesë në ata njerëz që e ndiejnë veten mirë kudo, por asnjëherë në shtëpinë e tyre. Përveç pamjes, Roubini siguron se është optimist në jetë, edhe pse disa shprehje duket sikur kanë një kuptim të veçantë për të. Në blogun e tij lexon me dhjetëra herë shprehje të tipit "krizë sistematike", "recesion botëror", "depresion". Shpesh flet edhe për "arrest kardiak" të ndërmarrjeve të mëdha dhe stres të ekonomisë. Ah, nuk harron të flasë edhe për "rrezikun e madh të shpërthimit të sistemit financiar dhe të një recesioni botëror". Një optimist i vërtetë, apo jo?


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›