E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një opozitë për t’u mëshiruar

Në lëmin e pseudo-“kobeve” ekonomike, opozita po thyen çdo rekord gënjeshtrash dhe trillimesh. E quan administratën tatimore të dështuar, të ardhurat buxhetore në pikiatë, në ditë të hallit, në kohën kur administrata jonë tatimore është e vetmja në të gjithë Evropën që ka arritur të mbledhë para për shtetin për këtë vit, më shumë nga sa kishte mbledhur vitin e kaluar. Këtë asnjë administratë tjetër evropiane nuk e realizoi dot, madje as edhe ajo polake, vend i vetmi pas Shqipërisë me ekonomi në rritje. Opozita e quan ekonominë tonë në krizë të thellë e pa rrugëdalje, në kohën kur “Financial Times” në artikullin e vet të datës 7 dhjetor theksonte se “Ekonomia shqiptare po e përballon krizën. Rritja ekonomike këtë vit projektohet në 2-2.5 për qind të Produktit të Përgjithshëm Bruto, niveli më i lartë në Evropë”. Mos vallë gënjen gazeta ekonomike më e njohur në botë?! “Sigurisht që po!”, përgjigjet opozita jonë. Ne jemi një vend me rritje gati zero, madje negative për këtë vit. Biznesi i vogël po falimenton, po kapitullon i tëri, thotë sërish ajo. Interesohem pranë strukturave tatimore të vendit. Ato më thonë se kompani të vogla me xhiro deri në tetë milionë lekë të reja në vit janë rreth 80-90 mijë të regjistruara. Interesohem pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Më thotë se falimentime të deklaruara për këto pesë muajt e fundit janë vetëm 13, një numër më i vogël se mesatarja e dhjetë viteve të fundit. Atëherë, kur s’ka falimentime në masë, kur numri i të papunëve të regjistruar nuk është rritur ndjeshëm, ku është kjo katastrofë, kataklizëm e deklaruar e ekonomisë sonë? Vetëm në fjalët dhe thirrjet nëpër rrugë të opozitës shqiptare? Biznesi ka strukturat e veta, shoqata të organizuara mjaft mirë. Nëse ky biznes do të rrezikohej qoftë edhe me një të dhjetën e hatasë për të cilën po flet opozita, të jemi të bindur të gjithë se këto shoqata të tij do të protestonin natë e ditë përballë Kryeministrisë. Por kjo s’po ndodh dhe arsyeja e thjeshtë është se nuk ka krizë të jashtëzakonshme, të thellë, madje as edhe biznesi i vogël nuk rrezikohet. Por çfarë rrezikohen? Rrezikohen deklaratat tatimore false, mbulimi i të ardhurave nga një aktivitet hotelerie, për shembull, që u merr turistëve të huaj 120 euro natën dhe që sërish deklarohet biznes i vogël me xhiro vjetore 4 milionë. Sistemi tatimor dilte kësisoj tërësisht i deformuar. Kompanitë e mëdha paraqisnin faturat e tyre sipas rregullave, ndërkohë kur konkurroheshin padrejtësisht nga qindra kompani të deklaruara biznes i vogël, por që ua fshihnin shtetit pjesën dërrmuese të të ardhurave të tyre, duke deklaruar një të dhjetën apo një të pestën e xhiros reale. Ja përse administrata jonë tatimore ka identifikuar rreth 7.500 kompani që futen shumë natyrshëm në regjimin e Tatimit të Vlerës së Shtuar (TVSH), duke ngelur biznes i vogël. Po ç’është ky tatim? Një sistem faturash me numër progresiv, i cili njihet nga shteti. Ulja e pragut për kompanitë që të trajtohen nga TVSH ishte në radhë të parë një kërkesë e vetë standardeve të Bashkimit Evropian, ku duam të shkojmë. Mesatarja e pragut të BE-së për trajtimin me TVSH është 25 mijë euro në vit (rreth 3.4 milionë lekë të reja). Shumë më e ulët se e jona, që e kishim 8 milionë lekë. Ishte e kuptueshme që duhej ta ulnim. E bëmë 5 milionë dhe prapë është e lartë. Por ky ndryshim pragu është veprimi i parë konkret drejt formalizimit të fortë të ekonomisë sonë. Nëse shumë biznese të vogla bëhen formale, ato në të kundërt, jo vetëm nuk kapitullojnë e falimentojnë, por i forcojnë këllqet për të mbijetuar nën konkurrencën e qendrave të mëdha tregtare dhe shërbimeve të centralizuara nga kompani të shumicës. Futja në sistemin e TVSH-së nuk ua shkurton jetën, në të kundërt, u jep shanse për të mbijetuar nesër. E kupton këtë opozita, apo thjesht bën sikur s’kupton? Mendoj se është sjellja e dytë. Opozita është e interesuar të nxjerrë sa më shumë njerëz të revoltuar në rrugë dhe po punon me të gjitha kambanat e saj të nxisë e të karikojë sipërmarrësit e vegjël. Dhe po u shet dëngla me okë. Ata këtë gjë e dinë. Të gjithë shqiptarët po e kuptojnë cilët janë gënjeshtarët e vërtetë. Nuk ka gjë më të padëshirueshme për opinionin publik të vendit sesa që opozita me sulmet e saj ndaj gjendjes ekonomike të vendit të katandiset në një gënjeshtare të sëmurë. Ajo po kthehet e tillë dhe në këtë pozicion nuk ka qenë deri tani asnjë opozitë tjetër e ndonjë vendi evropian. Opozita e vendit tim është bërë vërtet për t’u mëshiruar.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›