“Onufri 2009”, dëshmi dhe dëshira
“Onufri 2009” vjen në Galerinë Kombëtare nën titullin dhe kornizën “Dëshmi dhe dëshira”. Kuratori Parid Teferiçi ka ndërtuar një ekspozitë pa “temë”, duke kërkuar ndryshimin në pikëpamjen mbi këtë konkurs të arteve pamore që jo pak herë ka rënë edhe në klishenë e ilustrimit dhe të paracaktimit teorik të produktit artistik pamor të vendit. Kjo ekspozitë është një hulumtim i hollësishëm i skenës (apo siç thotë Teferiçi, edhe i prapaskenës) së arteve pamore në vend. Me pjesëmarrjen e artistëve të brezave dhe qëndrimeve të ndryshme artistike, “Dëshmi dhe dëshira” reflekton produktin artistik real të një skene sa problematike aq edhe produktive, që tenton pjekjen dhe rritjen cilësore përmes luhatjeve dhe zhvillimit komunikues të një gjuhe shprehëse në kushtet e transformimit të vazhdueshëm. Një risi e ekspozitës vjetore “Onufri” është përfshirja për herë të parë e një përzgjedhjeje studentësh të Akademisë së Arteve që marrin pjesë pa qenë në konkurrim për çmim. Kjo përzgjedhje i është besuar artistit Gentian Shkurti, i cili i ka dhënë mundësinë e ekspozimit tre studenteve të Akademisë së Arteve, Donika Çino, Entela Hoxha dhe Anjeza Dyrmishi, të ekspozojnë krahas artistëve të afirmuar të skenës dhe të pasqyrojnë zhvillimet në institucionin formues artistik. Kjo risi do të bëhet pjesë edhe e edicioneve të ardhshme të “Onufrit” dhe i shërben nxitjes artistike të më të rinjve dhe integrimit të tyre në skenën e artit të vendit.
Lista e artistëve pjesëmarrës ne Onufri XVI:
Robert Aliaj, Ervin Bërxolli, Albion Bogdani, Donika Çino, Klodian Dedja, Anjeza Dyrmishi, Najada Hamza, Eugert Hykaj, Edmond Gjikopulli, Gentian Gjikopulli, Yllka Gjollesha, Gjelosh Gjoka, Helidon Haliti, Entela Hoxha, Ziso Kamberaj, Blerta Kambo, Greta Lami, Olson Lamaj, Gazmend Leka, Elsa Martini, Gazmend Muka, Fatmir Musai, Vladimir Myrtezai, Hasan Nallbani, Sokol Peçi, Gent Pipa, Gëzim Tafa, Zihni Veshi, Pleurad Xhafa, Aldi Zgjani, Enkelejd Zonja.