E Diel, 1 Nëntor 2026

Favorizimi në tenderin e veshjeve policore, tre zyrtarë në pranga

Tre zyrtarë janë vënë në pranga, pasi akuzohen për favorizim në tendera kundrejt përfitimeve në vlera të konsiderueshme eurosh. Prangat iu janë vënë edhe dy pronarëve të kompanive të “përzgjedhura” si fituese të tenderit të veshjeve për Policinë e Shtetit, ndërkohë që njëri prej tyre është lënë në “arrest shtëpie”. Tre zyrtarët, përmes punës së tyre në funksionet publike, favorizonin kompani veshjesh, ku në këmbim të “përzgjedhjes”, kishin arritur të fusnin në xhepat e tyre 125 mijë euro. Por, falë një hetimi 4-mujor, Departamenti i Hetimit të Krimit në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës arriti të zbulonte skemën dhe të vinte në pranga pesë persona, ndërsa njëri u la në “arrest shtëpie”. Tre prej të arrestuarve janë zyrtarë në administratën shtetërore, ndërsa tre të tjerët janë pronarë të kompanive të ndryshme të përzgjedhura si fituese të tenderit. Në prangat e uniformave blu ranë shtetasit Bujar Murati, 39 vjeç, drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme, 31-vjeçari Redi Popescu, specialist në Ministrinë e Integrimit dhe Tahir Imami, 49 vjeç, shef i Programimit të Prokurimeve në Gardën e Republikës. Nga policia u arrestuan edhe pronarët e bizneseve, konkretisht 43-vjeçari Artan Berberi, 49-vjeçari Jani Gjergjefi, ndërsa u la në “arrest shtëpie” 47-vjeçari Agur Sadiku. Ndërkohë, burime zyrtare policore bëjnë të ditur se vazhdojnë hetimet edhe për persona të tjerë të përfshirë në këtë vepër penale.

Hetimi
Grupi hetimor kishte rreth 4 muaj që kishte nisur nga puna për dokumentimin e aktivitetit kriminal të tre funksionarëve publikë. Nëpërmjet metodave speciale të hetimit, grupi hetimor arriti të siguronte prova të pakontestueshme për tre zyrtarët, të cilët akuzohen për kryerjen e veprës penale të “korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Në bazë të hetimit të kryer u vërtetuan veprimet korruptive të tre zyrtarëve, Bujar Murati, Redi Popescu dhe Tahir Imami, të cilët kanë favorizuar e përzgjedhur disa subjekte tregtare për t’u klasifikuar fitues në procedurat e prokurimit të datës 09.09.2009 me objekt “blerje veshje për disa institucione” me vlerë limit dhe “blerje këpucë”, duke përfituar 5% të shumës së fondit limit të përcaktuar për këtë tender. Sipas burimeve zyrtare, tre funksionarët publikë kërkonin ryshfet nga drejtuesit e firmave nga 5% deri në 10% të vlerës së limitit të prokurimit. Fondi limit i vendosur ishte 175.034.194 lekë, që do zhvillohej nga Drejtoria e Përgjithshme e Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme. Tashmë akuza e ngritur për tre zyrtarët është “korrupsioni pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërkohë që masa e arrestit është marrë dje në Gjykatën e Tiranës në mungesë. Gjithashtu, sipas grupit hetimor, pronarët e kompanive të favorizuara në tender, konkretisht shtetasit Artan Berberi, Agur Sadiku dhe Jani Gjergjefi dyshohet se u kanë ofruar shumën prej 125.000 eurosh shtetasve Bujar Murati, me detyrë drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme dhe Redi Popescu, specialist në Ministrinë e Integrimit. Duke kryer një veprim të tillë korruptim, ata kanë ndarë me marrëveshje të paracaktuar midis tyre fituesit e loteve të kësaj procedure prokurimi, duke eleminuar konkurrencën e shoqërive të tjera në mënyrë të padrejtë.

Operacioni

Rreth orës 18:00 të ditës së djeshme, punonjësit e Departamentit për Hetimin e Krimeve në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Tiranë finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Prokurimi i fundit”. Ata ekzekutuan masat e sigurimit “arrest në burg” dhe “arrest shtëpie” të vendosura në mungesë po dje nga Gjykata e Tiranës për tre zyrtarët dhe tre drejtuesit e kompanive të përfshira në aferat korruptive. Përmes një konference për shtyp, drejtori i Departamentit të Hetimit të Krimit në Policinë e Shtetit, Agron Kuliçaj, deklaroi se në këtë operacion u vunë në pranga 39-vjeçari Bujar Murati, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, me detyrë drejtor i Përgjithshëm i Zhvillimit të procedurave të Përqendruara të Prokurimit pranë Ministrisë së Brendshme; Redi Popescu, 31 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, me detyrë specialist në Ministrinë e Integrimit dhe 49-vjeçari Tahir Imami, lindur dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, shef i Programimit të Prokurimeve në Gardën e Republikës. Ndërkohë që masa “arrest me burg” u zbatua edhe për 43-vjeçarin Artan Berberi, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, pronar i Kompanisë “Malbertex” sh.p.k.; 49-vjeçarin Jani Gjergjefi, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë pronar i kompanisë “Gjergjefi” sh.p.k. Ndërkohë që ndaj 47-vjeçarit Agur Sadiku, lindur dhe banues në Berat, pronar i kompanisë “Sadiku” sh.p.k u zbatua masa “arrest në shtëpi”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›