E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një pacient refuzues

Detyra më e vështirë për një doktor është që të bindë një pacient që duket shumë i shëndetshëm nga jashtë, se ka nevojë për mjekim të thellë. E njëjta gjë është e vlefshme edhe për sistemin financiar të Gjermanisë. Nga të gjithë treguesit, sektori i kreditimit në Gjermani është shumë mirë, edhe pse jemi në kohë krize, por është gjithashtu e qartë se pa një operacion të dhimbshëm, ka shumë rrezik që arteriet e financave të mbyllen së shpejti. Natyrisht që nuk ka nevojë për panik. Deri tani, asskush në Gjermani nuk frikësohet si pjesa tjetër e botës nga kufizimi i kreditimit. Për kompanitë vendase, të marrësh një kredi sot është po aq e lehtë sa edhe më parë. Edhe shumë ekspertë nuk presin tani për tani ndonjë krizë të kredive të këqija. Por ka shumë ekspertë të tjerë, përfshirë edhe zyrtarë të lartë të qeverisë, që kanë frikë se gjashtëmujori i dytë i këtij viti mund të sjellë një krizë të tillë. "Ka rrezik real që kjo të ndodhë", tha një zyrtar i qeverisë dhe nëse kjo ndodh, atëherë kreditimi mund të pakësohet. Shumë besojnë se rënia e shpejtë e eksporteve të Gjermanisë, ku industria e veglave të punës dhe makinerive ka shënuar rënie deri në 60 për qind, do të thotë se kompanitë e vogla dhe të mesme do të përballen shumë shpejt me krizë. Kompanitë e përmasave të mesme në Gjermani janë zemra e ekonomisë së orientuar nga eksporti dhe këto kompani janë sot shumë të rrezikuara nga kriza. Për më tepër, sipas ekspertëve, bankat e huaja sakaq janë tërhequr pothuajse tërësisht nga Gjermania. Sikur të mos mjaftonin problemet, bankat në Gjermani kanë kapitale shumë të pakta. Kapitali aksioner është më pak se 2 për qind e vlerës së aseteve. Mosvlerësimi i duhur i rrezikut, duket se është edhe dobësia më e madhe në këtë vend. Humbjet nga kreditë e këqija që do të prodhojë recesioni i gjatë, duket se mund ta tresin lehtë kapitalin. Bankat gjermane kanë gjithashtu edhe një problem të madh. Rregullat e reja Basel 2 sanksionojnë detyrimin e bankave të rrisin kapitalin në raport me asetet e veta. Probleme të tilla nuk janë unike në Gjermani, por ato po trajtohen në mënyrë unike dhe dritëshkurtër. Plani i keq i bankave i Gjermanisë që u miratua si ligj këtë muaj, duket se synon thjesht të shmangë mundësinë që bankat ta përdorin atë plan, pasi ka vendosur kushte të panevojshme dhe të ekzagjeruara. Qeveria thotë se plani i saj me bankat synon të mbrojë taksapaguesit nga humbjet që mund të pësojnë bankat. Kjo gjë mund të jetë një sukses i vërtetë, por me siguri që nuk do të mund ta shpëtojë Gjermaninë nga një krizë e gjatë e mungesës së kreditimit. Refuzimi simptomatik i Gjermanisë për të analizuar gjendjen e bankave të veta, ka sjellë edhe refuzimin e qeverisë për të zbatuar strestestet, të cilat mund të nxjerrin në dukje edhe shkallën e rrezikut. Një zyrtar i qeverisë e thotë hapur: "Nuk kemi ndër mend t‘i bëjmë strestestet, sepse kemi frikë të mësojmë se çfarë do të dalë". Por me doktorë të tillë, duket se nuk na ka mbetur gjë tjetër veçse të lutemi për shëndetin e pacientëve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›