E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cani: Duhet një valë e re liberalizimi në ekonomi

Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, mendon se Shqipëria duhet të konceptojë dhe zbatojë një valë të re liberalizimi ekonomik, me anë të së cilit duhet të zbusë ose të heqë kufizime të tilla si rregullore apo licenca profesionale, si dhe të eliminojë monopolet faktike aktuale, në mënyrë që të përshtatë veten me kushtet e reja botërore që po krijohen nga kriza. I pyetur nga "Shqip", Cani tha se kriza aktuale botërore mund ta ndryshojë modelin e zhvillimit që Shqipëria ka ndjekur gjatë njëzet viteve të fundit, ndërsa bota pritet të bëhet më armiqësore ndaj emigrantëve dhe më pak ekspansioniste për sa u përket investimeve të huaja.

"Kriza aktuale ndoshta do të lërë prapa pasoja afatgjata. Ka një farë probabiliteti që potenciali aktual i rritjes ekonomike të Shqipërisë prej 6 për qind, të ulet në më pak se 3 për qind për vitet e ardhshme", tha ai.

Rritja ekonomike e njëzet viteve të fundit është mbështetur nga puna e emigrantëve, nga industria e lehtë që përdor krahun e lirë të punës në Shqipëri, si edhe nga investimet e huaja relativisht të bollshme. Këta faktorë ka gjasa që të mos jenë më kaq produktive sa kanë qenë në njëzet vitet e fundit. Janë të shumtë ekspertët vendas dhe të huaj që kanë filluar të mendojnë për pasojat afatgjata të krizës, e cila do të sjellë më shumë mbikëqyrje të sistemeve financiare të vendeve të zhvilluara dhe për rrjedhojë, më pak investime në vendet në zhvillim si Shqipëria. Ekspertët kujtojnë gjithashtu se Depresioni i Madh i vitit 1929 bëri që papunësia në Perëndim të mbetej e lartë për më shumë se një dekadë pas përfundimit të krizës. Nëse një fenomen i tillë përsëritet, emigrantët shqiptarë do ta gjejnë veten në ambient më armiqësor se aktualisht. Ndonëse në mënyrë jo eksplicite, një zyrtar i Fondit Monetar Ndërkombëtar deklaroi në Tiranë në muajin prill, se "rritja ekonomike prej 6 për qind i takon të shkuarës tashmë". Edhe Banka Botërore parashikon që ekonomia shqiptare të rritet me më pak se 3 për qind së paku deri në vitin 2011.

Liberalizimi

Reformat liberalizuese shikohen në të gjithë botën si një ilaç kundër problemeve strukturore që bllokojnë potencialin e rritjes ekonomike. Shqipëria e kreu valën e fundit të liberalizimit të ekonomisë në vitin 2004, kur u privatizua banka më e madhe në vend. Disa iniciativa të tjera liberalizuese të viteve të fundit duket se nuk kanë dhënë shumë efekt.

Ish-guvernatori Cani thotë se nën shënjestrën e liberalizimit, kësaj here duhet të vendosen barrierat jotarifore, pra sistemi i pafundmë i licencimit profesional e teknik, si edhe një pafundësi masash ligjore fiskale të ndërmarra gjatë viteve të fundit dhe që kryejnë funksionet e barrierave jotarifore.

"Në këtë vend ka nevojë që institucionet përgjegjëse për sistemin e licencave dhe kufizimeve të fillojnë të argumentojnë se pse janë të domosdoshme disa sisteme licencimi", thotë Cani. "Sot në Shqipëri institucionet publike marrin përsipër të përcaktojnë shumë gjëra mbi aktivitetin e privatëve, edhe pse realisht privatët kanë më shumë eksperiencë", vijon ai, duke përmendur një rregullore të Bankës së Shqipërisë që përshkruan mënyrën se si bankat private duhet të ruajnë fizikisht ambientet e tyre nga vjedhjet, apo fakti që këmbimi valutor është ende një profesion i licencuar dhe i mbikëqyrur.

Barrierat jotarifore

Shqipëria zbaton një pafundësi ligjesh dhe procedurash ligjore, të cilat pengojnë hyrjen në treg të operatorëve të rinj. Një rregullore e tillë, p.sh. ndalon realisht njësitë e biznesit të vogël të kryejnë procedura zhdoganimi, ndërsa që ta fitojnë këtë të drejtë, kompanitë duhet të regjistrohen në tatime si biznes i madh. Një numër shumë i madh profesionesh të nivelit teknik kërkojnë ende licencë profesionale, përfshirë profesionin e elektricistit, pavarësisht se sistemi i licencave dhe kodeve nuk prodhon në tërësi cilësi më të lartë pune.

Një liberalizim i ri çmimesh

Problemi më i madh i Shqipërisë duket se do të jetë nevoja për heqjen e kufizimeve tarifore në tatime dhe dogana, kufizime, të cilat janë vendosur gjatë dekadës së fundit si pasojë e presionit nga lobingjet e biznesit, apo nga dëshira për të mbledhur artificialisht më shumë taksa. Kostot e ndërtimit, çmimet e apartamenteve, normat e fitimit, kostoja e punës, vlera e makinave të importuara, referencat doganore dhe fiskale, apo çmimi i kontrolluar i energjisë elektrike dhe i ujit, e bëjnë Shqipërinë e sotme më shumë të ngjashme me një shtet korporativ, se sa një ekonomi të tregut të lirë. Pothuajse çdo linjë e rëndësishme biznesi ka qenë në gjendje të vendosë kufizime teknike përmes lobimit politik, gjë që ka mbyllur dyert e tregut për sipërmarrës të rinj. Kufizime të tilla kanë krijuar praktikisht monopole dhe oligopole në një numër të pafundmë tregjesh, gjë që në vetvete ndalon zhvillimin ekonomik.

Nga ana tjetër, një sistem i mbikëqyrur ligjërisht ka dërguar në stratosferë kostot e transaksioneve ekonomike përmes detyrimeve për noterizime dhe legalizime të pafundme dokumentesh. Çmimet e këtyre shërbimeve janë të vendosura nga qeveria, ndërsa shumë praktika noterizimi janë thjesht të pakuptimta nga pikëpamja praktike.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›